LAJMI I FUNDIT:

Pula-Shiroka viziton mihjet në KEK, premton përkrahje

Pula-Shiroka viziton mihjet në KEK, premton përkrahje

Ministrja e Energjisë dhe Minierave Justina Shiroka Pula është njoftuar sot nga menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në lidhje me gjendjen e mihjeve sipërfaqësore dhe procesin e hapjes së mihjes së re, Sibovci Jugpërendim.

Shiroka- Pula ka shprehur gatishmërinë për mbështetje të plotë në realizimin e kësaj mihje, që është projekti më kapital që po implementohet në sektorin energjetik gjatë dy dekadave të fundit.

“Vazhdoni me përmirësimin e kushteve të punëtorëve dhe gjendjes së furnizimit me qymyr. E keni mbështejten time të plotë”, tha Shiroka-Pula, duke falënderuar menaxhmentin dhe punëtorët e KEK-ut për rezultatet e arritura deri tash.

Kryetari i bordit të drejtorëve të KEK-ut, Fadil Citaku dhe u.d. i drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj e kanë siguruar se bordi dhe menaxhmenti i korporatës po bëjnë ç’është e mundur që të përmirësohet edhe më tutje gjendja.


“Furnizimi me qymyr është shumë stabil. Punëtorët i kanë të gjitha pajisjet e punës dhe të sigurisë. Ne nuk do të ndalemi me kaq, por do t’i përmirësojmë në vazhdimësi kushtet e punës dhe sigurisë”, tha Gjukaj.

“Hapja e Sibovcit Jug-përendim po ecën me ritmet e parapara kohore. Në bazë të kësaj dinamike ne do t’i kemi tonët e parë të qymyrit nga kjo mihje gjatë vitit 2010”, shtoi tutje drejtori Gjukaj. /Telegrafi/