LAJMI I FUNDIT:

PTK promovon kulturën gjermane në Kosovë

PTK promovon kulturën gjermane në Kosovë

Posta dhe Telekomi i Kosovës dhe Ambasada Gjermane, kanë nënshkruar të enjten një marrëveshje mirëkuptimi, përmes së cilës PTK do të përkrah ngjarjen kulturore, “Javët Gjermane”, gjatë muajit shtator - tetor.

Me këtë rast PTK do të lëshojë në qarkullim edicionin e jashtëzakonshëm dedikuar “Javëve Gjermane”.

“Në bazë të kësaj marrëveshjeje, PTK angazhohet të promovojë edicionin e jashtëzakonshëm të pullës postare “Javët Gjermane”, pullë kjo që shpreh më së miri bashkëpunimin dhe partneritetin me shtetin gjerman”, ka deklaruar Kryeshefi Ekzekutiv i PTK –së, Shyqyri Haxha pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Ndërkaq Ambasadori gjerman, Hans-Dieter Steinbach, ka falënderuar PTK-në për mbështetjen që i dha këtij projekt.


Ky memorandum, fillimisht i referohet një bashkëpunimi në sferën e kulturës. Projekti “Javët Gjermane në Kosovë”, do të mbahet nga 23 Shtatori deri më 17 tetor 2009 në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës.

Në këto 4 javë shteti gjerman do të prezantojë aktivitete që kanë të bëjnë me muzikën, ekspozita të ndryshme, por do të ketë bashkëpunime edhe në fushën e ekonomisë, të gjitha këto, aktivitet që i lidhin dy vendet tona. /Telegrafi/