LAJMI I FUNDIT:

PTK ndihmon personat me aftësi të kufizuara

PTK ndihmon personat me aftësi të kufizuara

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së Shyqyri Haxha, në një takim të organizuar me rastin e pranimit të tyre në punë, ka thënë se PTK si pasojë e rrjedhave të biznesit nëpër të cilat po kalon, i është dhënë mundësia që të punësojë punëtorë të rinj, në këtë rast me aftësi të kufizuara.

Sipas tij kjo tregon se menaxhmenti aktual i PTK-së, kujdes të veçantë u jep edhe personave më aftësi të kufizuara duke u dhënë mundësinë që edhe ata të japin kontributin e tyre në zhvillimin e mëtutjeshëm të korporatës sonë.

“Nuk dyshoj në asnjë moment se ju nuk mund të jepni kontributin tuaj, përkundrazi besoj fuqishëm se kontributi juaj do të jetë i madh dhe shembull i punës dhe përkushtimit”, ka pohuar kryeshefi ekzekutiv i PTK-së Shyqyri Haxha.

Haxha mes tjerash ka pohuar, se PTK duhet të merret si shembull i mirë nga kompanitë e tjera se si duhet kujdesur për të gjitha shtresat e shoqërisë, e veçmas për personat me aftësi të kufizuara, për të cilët si kompani publike kemi edhe përgjegjësi sociale.


Të punësuarit janë shpërndarë pothuajse në të gjitha njësitë e PTK-së, si në Teleshitje, Qendër të Thirrjeve dhe në Sigurim Fizik.

Sa u përket pozitave nëpër të cilat janë sistemuar këta gjashtë punëtorë të rinj, Haxha ka shprehur besimin se këta punëtorë të rinj, do të përshtaten mirë në pozitat ku janë sistemuar dhe do ta kryejnë punën me plot përgjegjësi.

Nga ana tjetër, të sapo punësuarit, të emocionuar për këtë gjest shumë human të menaxhmentit aktual të PTK-së, janë shprehur shumë të lumtur që u është dhënë mundësia që edhe ata të japin kontributin e tyre në zhvillimin e mëtutjeshëm të PTK-së.

Ndërsa, Agim Vatoci, Drejtor për Përgjegjësi Sociale në PTK, ka thënë se e veçanta e këtij takimi qëndron në faktin se, me përkrahjen e Shyqyri Haxhës kanë arritur që të konkretizojmn punësimin e gjashtë personave më aftësi të kufizuara të cilët nga sot do të jenë në vendet e tyre të punës dhe kjo është dëshmi që këta persona nuk janë barrë e shoqërisë.

“Kjo është dëshmi, se të menduarit human dhe social në PTK, është në fokus të menaxhmentit aktual dhe jam i bindur se një përkrahje e tillë e PTK-së, dhënë personave me aftësi të kufizuara do të jetë model edhe për subjektet tjera se si të trajtohet ky segment i shoqërisë” ka pohuar Vatovci. /Telegrafi/