LAJMI I FUNDIT:

PTK ndihmon ndërmarrjen Trepça

PTK ndihmon ndërmarrjen Trepça

Me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së,Shyqyri Haxhës dhe me miratimin nga Bordi i Drejtorëve të kompanisë, kompleksit xehetaro-metalurgjik, sot i është ndarë një donacion në vlerë prej 80 mijë euro, për përmirësimin e kushteve dhe ushqimit të punëtorëve dhe rregullimin e mensave në minierat Kishnicë dhe Stantërg.

Gjithë këto ndihma i janë dhënë ndërmarrjes “Trepça”, që ta bëjnë më të lehtë kapërcimin e gjendjes së vështirë në këtë ndërmarrje.

Bazuar në një njoftim zyrtar të kompanisë, kjo ndihmë e vogël financiare, por madhore në aspektin social dhe shoqëror, vjen pas vizitës që Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha i ka bërë ndërmarrjes “Trepça”.

Me këtë rast Haxha është shprehur i lumtur, që krahas afarizmit shumë të sukseshëm nëpër të cilin po kalon PTK-ja, me kontributin e madh në buxhetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës si tatim paguesja më e madhe, po ndihmon dhe kontribuon edhe në aspektin social e shoqëror.


“PTK, po ndan sot një donacion për ndërmarrjen që dikur ka qenë krenaria e vendit, krenari e cila shpresojmë shumë se do t’i kthehet kësaj ndërmarrjeje. Por, sot kjo ndërmarrje ka nevojë për ndihmë dhe PTK po i ndihmon, që minatorët të kenë kushte më të mira, së paku për kohën kur ata pushojnë”.

Në anën tjetër, Drejtori Menaxhues i “Trepçës”, Ferat Shala, ka pohuar se 80 mijë euro, të ndara nga PTK-ja, janë shumë të rëndësishme dhe do të reflektojnë në punën e përditshme të minatorëve.

“Kjo ndihmë do të përmirësojë kushtet e punës së minatorëve në kohën e pushimit, në kohën kur të lodhur dalin nga miniera dhe drekojnë apo pushojnë. Këto mjete do të përdorën pikërisht që minatorët sërish ta ndiejnë vetën krenar se janë minatorë të ndërmarrjes “Trepça”. /Telegrafi/

Përveç kësaj, “Trepçës”, i është shlyer borxhi i telefonisë fikse në vlerë prej 14 mijë euro, me vendim të Bordit të Drejtorëve dhe i është dhënë gjithashtu donacion një autoveturë .