LAJMI I FUNDIT:

PTK ndihmon edukimin dhe sigurinë në shkolla

PTK ndihmon edukimin dhe sigurinë në shkolla

Rreth 40 mijë euro në formë donacioni, Kryeshefi Ekzekutiv i Post Telekomit të Kosovës (PTK), Shyqyri Haxha i ka ndarë për të ndihmuar edukimin e nxënësve dhe studentëve të rinj dhe ofrimin e sigurisë në dy shkolla të kryeqytetit.

Nga ky donacion rreth 6.5 mijë euro do të përfitojë Gjimnazi “Sami Frashëri” në Prishtinë , ndërsa shkolla fillore “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, do të përfitojë 3.5 mijë euro. Që të dyja këto shkolla kanë për qëllim të ndihmojnë në realizimin e projekteve të tyre si: “Sistemi i Kamerave dhe Qasja e Kontrollit” dhe projektin për zërim dhe kamera.

“PTK dhe unë personalisht iu jemi përgjigjur pozitivisht projekteve të dy shkollave, me qëllim të ofrimit të kushteve më të mira për sigurinë e nxënësve. Projektet kanë për qëllim ngritjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies, përmes instalimit të pajisjeve vizuale nëpër shkolla”, ka deklaruar KE i PTK-së, Shyqyri Haxha

PTK gjithashtu ka ndihmuar edhe OJQ Këshilli Amerikan për Arsimin Ndërkombëtar me njëzetepesë (25) mijë euro, të cilat do të dedikohen për sponzorizimin e programit për bursa shkollimi.


“Këto bursa, do t’u dedikohen kosovarëve premtues për studime të nivelit master në universitetet më të mira amerikane. Këshilli Amerikan për Arsimin Ndërkombëtar, u ofron udhëheqësve të ardhshëm kosovarë, mjetet e nevojshme për ta promovuar zhvillimin ekonomik të vendit”, ka pohuar më tutje Haxha.

Ndërsa në anën tjetër, PTK do të mbështetë me mjete financiare edhe shkollimin e të riut Memli Robaj në Angli, me një bursë në vlerë prej katër (4) mijë eurosh.

Robaj do të studiojë në Metropolitan University të Londrës për Computer Networking. /Telegrafi/