LAJMI I FUNDIT:

Protesta është institucion!

Protesta është institucion!

Shqipëria ka manifestuar sovranitetin e vet. Ditën kur kryeministri Rama u tha aleatëve “Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”, Shqipëria manifestoi subjektivitetin e saj në rrafshin ndërkombëtar. Kjo do pak zbërthim. Kryeministri për veten e tij ishte i bindur se duhej thënë “po”, madje në fjalimin e tij ai dha gjithë ato argumente pse duhej thënë “po”. Nuk tha “po” sepse nuk e lanë të thoshte “po”. Populli që po mblidhej me të madhe në sheshin para kryeministrisë nuk e la të thoshte “po”. Pra, nuk ishte vullneti i kryeministrit por vullneti i popullit. Kryeministri bëri atë që duhet bërë një kryeministër, të ushtrojë vullnetin e popullit të tij.

Ndoshta në më të rrallën herë qytetarët e Shqipërisë manifestuan të qenët qytetar i një republike. Qytetarët e Shqipërisë u sollën si sovran, e detyruan kryeministrin ta ushtronte sovranitetin e Shqipërisë, e me këtë ajo u soll si subjekt në rrafshin ndërkombëtar.


Të shumtë janë ata që mundohen ta paraqesin këtë moment ndryshe, qoftë si pafuqi e kryeministrit Rama qoftë përfshirje e qytetarëve me “mosdijen” e vet në një aktivitet “jo-institucional”. Në Kosovë, analistë nga Shqipëria nuk e patën dert t’i quanin “kope” qytetarët që kishin dalë për të protestuar. U tha edhe se nuk duhet lavdëruar ky moment, por përkundrazi, duhet të kihet kujdes të mos shërbejë si precedent për marrjen e vendimeve herë të tjera. Bile-bile, nuk e lanë pa shtruar pyetje naive si “po tani që mori vendim nga presioni i protestuesve, a do të thotë që do t’i dorëzohet edhe mafies së ndërtimit, dilerëve të drogës, oligarkëve e grupeve të tjera të interesit?”. Do të mundohem t’i dekonstruktoj gjithë këto sa janë thënë e që më duken si tezat përfaqësuese të mendimit kundër-protestë dhe kundër vendimit të kryeministrit Rama.

E para e punës, duhet të japim këtu një sqarim të vockël, krejt të thjeshtë për demokracinë dhe sistemin më të shprehur të saj, sistemin e përfaqësimit me zgjedhje. Më lejoni që të kërkoj falje kur më duhet të bëj sqarime elementare, por më duket patjetër e nevojshme për të shtruar argumentet e mija në favor të protestës dhe vendimit të Kryeministrit Rama.

Duhet thënë që demokracia përfaqësuese nuk është forma më e kulluar e demokracisë, as më modernia, e as më e mira formë e saj. Demokracia përfaqësuese është marrëveshje mes qytetarëve të republikës për mbajtjen e një procesi zgjedhjesh dhe përfaqësimi nga të zgjedhurit e të gjithë qytetarëve në mekanizmat e ndërtuar për të mundësuar/lehtësuar jetën publike. Pra, ne zgjedhim të zgjedhurit tanë, që të na përfaqësojnë në institucionet që na shërbejnë neve, dhe krejt kjo, për shkak të pamundësisë që të gjithë të përfshihemi në zgjedhje përherë sa i përket vendimeve të përditshme që duhen marrë.

Por, është shumë e qartë që shoqëri të ndryshme janë ndodhur në situata kur kjo formë e demokracisë nuk ka qenë e mjaftueshme. Kur demokracia përfaqësuese nuk mjafton, siç nuk mjaftoi në rastin e fundit në Shqipëri, vihen në ndihmë forma të tjera të demokracisë, ajo pjesëmarrëse dhe e drejtpërdrejtë. Demokracia pjesëmarrëse nënkupton presionin publik, por ama vërtet publikisht, përmes debateve e diskutimeve të ndryshme publike, peticioneve a formave të tjera të ushtrimit të presionit publik apo edhe nëpërmjet protestave e aksioneve simbolike.

Ndërkaq, demokracia e drejtpërdrejtë nënkupton referendumin si formë e organizuar shoqërore e ushtrimit të demokracisë e cila ka nevojë për kohë sidomos sa i përket organizimit si dhe shterjes së debateve publike. Ka vende, që e ushtrojnë më shumë demokracinë e drejtpërdrejtë, siç është Zvicra e cila nga viti 1960-2003 i ka mbajtur 321 referendume apo diku rreth 7 referendume në vit.

Për të gjithë ata që i quajtën jo-institucionale, e jo-demokratike protestat, sidomos kur mundoheshin t’i paraqisnin ato si prishje të rendit demokratik dhe demokracisë e cila në pikëpamjet e tyre është e reduktuar vetëm në demokraci përfaqësuese, duhet thënë që protesta është institucion pa ndërtesë i demokracisë. Njerëzit që marrin pjesë në protesta janë deputetë pa portofol. Të paktën kështu ngjan në mendimin tim protesta e qytetarëve që angazhohen për interes publik. Qytetarët protestuan, morën pjesë në demokraci sepse përfaqësimi nuk qe i bollshëm. Protesta u bë institucioni ad-hoc i demokracisë dhe qytetarët protestues deputetët pa portofol të këtij institucioni.

Njerëzit që protestojnë, ka shpesh mundësi që të jenë të manipuluar, por kësaj radhe në Shqipëri nuk u pa një gjë e tillë. Qytetarët që protestuan ishin kryesisht të rinjtë e vendit, shumica të papërfshirë në interesa të ngushtë. Protestuan mençur, bukur dhe i dhanë shembull kësaj radhe gjithë rajonit, se si të rinjtë duhet angazhohen për mirëqenien publike. Ata nuk u sollën aspak si kope, përkundrazi ishin bariu që udhëhoqi vendimmarrësit e tyre.

Këtij momenti dhe kësaj ndërmarrjeje të qytetarëve nuk duhet frikësuar, përkundrazi duhet parë si shëndoshje e shoqërisë nga apatia dhe indiferenca qytetare. Ky është një moment që unë e kam pritur me ëndje. Shqiptarët u sollën si subjekt. Dhe a e dini pse jam entuziasmuar kaq shumë? Sepse na e dhatë një shembull edhe neve këtej në Kosovë, se si i thuhet jo Amerikës dhe jeta vazhdon me më shumë dinjitet, pa një therë në këmbë. Tani në Kosovë, kur të na hidhen përsipër me gjithë ato etiketa e akuza se po rrezikojmë marrëdhëniet me SHBA-të, ne do të dimë si ta përdorim argumentin që na ofroi lëvizja qytetare kundër armëve kimike. Dhe jam kaq i sigurt për këtë, së pari kur shoh cilët në Kosovë kanë filluar ta shajnë protestën e ta quajnë atë “të rrezikshme”. Janë pikërisht ata që janë në pushtet, sepse e kanë humbur tashmë argumentin “kështu thotë Amerika”. Tani do t’u duhet të prodhojnë argumente, e për këtë s’janë të aftë. Së dyti, sepse në botë ka shembuj për këtë. SHBA-të i kërkojnë Izraelit zgjidhje për çështjen e Palestinës, duke kërkuar pranimin nga Izraeli të kufijve të 1967-ës, por Netanjahu ua tha në Kongres amerikanëve, se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Dhe është pikërisht Izraeli që varet së tepërmi nga ndihmat e SHBA-ve qoftë financiarisht, qoftë politikisht.

T’i krahasosh protestuesit që ia mbajnë gajlen mirëqenies së përgjithshme me dilerët e drogës, mafiozët e ndërtimeve e të tjera grupe kriminale, nuk tregon bile as mosdije. Kjo tregon sa larg ka mbërritur frustrimi me protestën, qoftë si dëshmi kundra ideologjive të djathta, qoftë si fillesë për shembjen e pushtetit të padrejtë të atyre që e kanë nën zotërim. Mos kini merak. Nëse Rama e kishte me të vërtetë programin e tij të bazuar në prodhim, turizëm, zhvillim të bujqësisë dhe luftim të korrupsionit, aleanca (them kushtimisht) që ka lidhur me qytetarët kur dëgjoi kërkesën e tyre për mospranim të armëve kimike në Shqipëri, vetëm sa do t’i japë forcë ta luftojë korrupsionin dhe bandat që për pak s’ia arrijnë ta kapin shtetin.

Përderisa dëgjoja rrjedhjen e bukur të fjalëve që kishte shkruar kryeministri Rama, më vinte e tmerrshme pjesa e këtij fjalimi që lëvdonte SHBA-të verbërisht, që ngrinte në qiell veprat e SHBA-ve e sulmonte kësisoj kundërshtarët e vet politik. Vërtetë më vinte keq, që edhe ky kryeministër premtues si pjesën më të fortë të shpalljes së tij për t’i rënë kundërshtarëve të vet politik, përdorte jo argument politik, ideologjik a filozofik, por shantazhin e besnikërisë ndaj SHBA-ve. Jemi lodhur në të dyja anët e kufirit t’ju dëgjojmë të na flisni se si e doni shumë SHBA-në dhe perëndimin. A mundeni ju lutem të na jepni ndonjë argument politik kur flisni për njëri tjetrin? Sepse populli ua dha përgjigjen. Përmbi dashurinë e tij për SHBA-në qëndron mirëqenia e tij, ekzistenca e vet, subjektiviteti i ushtruar si sovran.

Por, na duhet ta pranojmë se për të parën herë, një kryeministër shqiptar, këtej dhe andej kufirit, respektoi dhe njohu protestën. E quajti atë të domosdoshme ashtu siç është e domosdoshme qeverisja e mirë. Dhe po zoti kryeministër, ju keni vepruar drejt, jo si politikan shqiptar që serviloset para të huajve dhe lufton interesat e popullit të tij, prandaj janë hidhëruar keq me ju. Por ju vazhdoni kësisoj, ndonëse me rezerva, do ta keni përkrahjen tonë.