LAJMI I FUNDIT:

 Projekti “Sa-punë”, fëmijët në shkollë në këmbim të punësimit të grave (Video)

 Projekti “Sa-punë”, fëmijët në shkollë në këmbim të punësimit të grave (Video)

Çanta bartëse, kartolina dhe kuleta me filigran, vath e varëse, janë disa nga  produktet të cilat grupi i grave të komuniteteve të ndryshme, në Fushë Kosovë,   i punojnë me shumë dashuri.

Vjollca Berisha, ka gjashtë vite që është pjesë e projektit “Sa-punë”. Ajo ka thënë se ideja për t’u bërë pjesë e tij erdhi krejt rastësisht.


“Na kanë ofrua mundësi të mira boll. Na kanë thënë se nëse i dërgojmë fëmijët në shkollë do të keni punë, nëse nuk shkojnë mundeni me dalë nga puna. Por, tash pasi po i dërgojmë fëmijët në shkollë po kemi punë”, deklaroi punëtorja Vjollca Berisha.

Me plot vullnet, ato punojnë pa u ndalur, sepse produktet e tyre kalojnë jashtë tregut kosovar. Tashmë ato janë pjesë të tregjeve të Britanisë së Madhe dhe Amerikës.

Edhe Heteme Avdiu, është pjesë e grupit qysh edhe kur ka filluar ky projekt. Ajo ka thënë se është një mundësi shumë e mirë, jo vetëm për të,  por për gjithë familjen e saj.

“Punojmë prej gjashtë viteve në këtë punë. Në fillim kemi punuar me sapuna tash po vazhdojmë më qirinj. Kepim edhe çanta. Na kemi dëshirë më punue pasi nuk kemi të ardhura tjera”, thotë punëtorja tjetër Heteme Avdiu.

Projekti “Sa-punë”, menaxhohet nga shkrimtarja britanike Elizabeth Goëing, e cila që nga viti 2012, ka hap dyert për këto gra.

Koordinatorja e projektit, Altinë Nika, ka thënë se  ky biznes ka të punësuara nga komunitete të ndryshme, ndërsa kushti kryesor për punësimin e tyre ka qenë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë.

“Ky projekt tashmë është shndërruar në një biznes social. Për momentin kanë ndryshuar edhe produktet por edhe gratë më të cilat kemi punuar. Kemi dy targete kryesore. I pari është punësimi i këtyre grave sidomos, gratë e Fushë Kosovës. Kushti i dytë është që këto gra t’i dërgojnë fëmijët në shkolla në mënyrë që të jenë të punësuara te “Sapunë”. Produktet ton shkojnë në Londër kryesisht, por ka raste kur kemi kërkesa edhe nga SHBA”, deklaron Altinë Nika- Koordinatore në “Sa-punë”.

“Sa-punë”, ka të punësuara edhe katër gra të tjera, në qytezën e Janjevës.

Vjollca Hetemi, ka thënë se ndjehet shumë e lumtur, që përveç që i është dhënë mundësia për punësim, ajo falë kësaj, po mundet të krijoje një te ardhme për fëmijët e saj./RTV Dukagjini/Telegrafi/