LAJMI I FUNDIT:

Programi i qeverisë për shëndetësinë konsiderohet listë dëshirash

Programi i qeverisë për shëndetësinë konsiderohet listë dëshirash
Arkiv

Plan pa objektiva të qarta se si do të përmirësohet sistemi shëndetësor dhe shërbimet mjekësore po konsiderohet programi qeverisës që prek sektorin e shëndetësisë.

Për këtë mandat, Qeveria e Kosovës prioritet kryesor ka vendosur menaxhimin e pandemisë COVID-19, por në planin e punës, Ministria e Shëndetësisë ka paraparë të krijojë një strategji të re për shëndetësi si dhe rishikimin e kornizës ligjore të sektorit të shëndetësisë, me theks të veçantë ligjin për shëndetësinë, dhe ndryshimin e Ligjit për sigurim shëndetësor.


Për katër vitet e ardhshme ky dikaster synon edhe reformë me qëllim të përmirësimi të shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës.

Por, i gjithë plani nga opozita po vlerësohet si programi më i dobët deri më tani, madje njohësit e kësaj fushe po e konsiderojnë “një listë dëshirash”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, po kërkon që plani për shëndetësinë të tërhiqet nga Qeveria dhe të përmirësohet, pasi si të tillë ai e quan si një plan që nuk përfshin asgjë konkrete.

Këtë plan pune të Ministrisë së Shëndetësisë, Haxhiu e vlerëson si programin më të dobët të miratuar nga një qeveri e pasluftës.

“Nuk ka asgjë konkrete (në programin qeverisës) përmenden vetëm fjalët riorganizim, rivitalizim funksional të shërbimeve që veç ekzistojnë, pra kur të funksionalizosh kemi të bëjmë me një shërbim të ri, ka pra vetëm mashtrim fjalësh dhe formulime të gabuara dhe që nuk përkojnë me realitetin prandaj kam kërkuar që Qeveria është mirë ta tërheq këtë program, ta përmirësojë në aspektin përmbajtjesor edhe në aspektin e formulimeve sepse ka pasur shkarje të mëdha. Ky ka me qenë programi më i dobët i miratuar nga një qeveri e pasluftës, prandaj do ishte mirë që ta përmirësonin vet. Nuk ka objektiva të qarta, as si do të përmirësohet sistemi shëndetësor dhe as shërbimet”, tha Haxhiu.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e PDK-së vlerëson se ky program për shëndetësi i anashkalon pacientët dhe profesionistët shëndetësorë.

Haxhiu e sheh si shumë shqetësues faktin se kjo qeveri nuk ka paraparë të merret me Ligjin për Transplantimin e Organeve, përkundër që në agjendën legjislative për plotësim-ndryshim janë përfshirë një sërë ligjesh që prekin shëndetësinë.

“Fjala ‘pacient’ dhe ‘profesionist shëndetësor’ janë anashkaluar në programin e shëndetësisë e kur janë të anashkaluar si fjalë janë të anashkaluar edhe si mundësi për t’u kujdesur për pacientin por edhe për mirëqenien e profesionistëve shëndetësorë, nuk ka rritje të pagave dhe nuk ka sigurime shëndetësore, nuk ka afat kur ka përfunduar Sistemi i Informimit Shëndetësor dhe shumë mangësi të tjera. Pra, është një mashtrim i madh me këtë program dhe realisht edhe jo real. Është shqetësuese si janë qasur pothuajse të gjitha ligjet që e prekin sektorin e shëndetësisë, i kanë paraparë në agjendën legjislative për plotësim-ndryshim por nuk është Ligji për Transplantimin e Organeve prej të cilit do përfitonin qytetarët tanë”, theksoi deputeti i PDK-së.

Specialistja për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli, tha se ekzekutivi krahas menaxhimit të pandemisë prioritet duhet të ketë edhe ristrukturimin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Xhemajli kërkon që për secilën premtim Ministria e Shëndetësisë të jap një afat kohor për realizimin e tyre.

“Nuk ka asgjë gabim në plan, por ka disa gjëra të cilat nuk janë edhe aq prioritet duke i parë disa gjëra që kishe menduar që duhet të vijnë pas vaksinimit. Ristrukturimi i ShSKUK-së, më shumë duhet me fol rreth kësaj, COVID-i ka hedh në pah edhe shumë të meta të sektorit të shëndetësisë, jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet më të forta, dhe ajo pres të jetë prioritet, sigurimet shëndetësore, Sistemi Informativ Shëndetësor nuk do thotë se janë shumë të rëndësishme por në njëfarë mënyre janë më të rëndësishme se disa të tjera që mund të presin më gjatë”, deklaroi ajo.

Xhemajli, duke e cilësuar programin si “listë dëshirash”, u shpreh se reforma e pretenduar në shëndetësi që parashihet në plan është shumë e nevojshme, por që duhet specifikuar më qartë detajet e saj se çfarë nënkupton, kë do përfshijë dhe se kur do të fillojë.

“Për që duhet reformë në shëndetësi ajo është e ditur, gabimet i dimë të gjithë, ata që merren me këtë fushë se çka kanë menduar me reformë ajo që unë pres prej ministrit me pa se si e ka parë këtë reformë dhe në çfarë forme dhe kur do t’ia fillojë kjo reformë për shkak se plani është për 2021-2025 atëherë kur do të fillojë kjo reformë, a do të fillojë pas vaksinimit apo gjatë dhe çka nënkupton aty. Ka shumë hapësira që duhet përmbushur për të arsyetuar se çka nënkupton me reformë. Nuk më duket si plan, më duket si një listë dëshirash që në parim janë në rregull derisa kur shpjegohen më gjatë.”, theksoi ajo.

Por, mendim ndryshe ndan nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku e cila thotë se me Qeverinë Kurti 2 i është kthyer vëmendja e munguar sektorit të shëndetësisë. Ajo thotë se në këtë mandat qeveria do të jetësojë konceptin për mjekësinë familjare me qëllim që të përmirësohen shërbimet për pacientët.

“Riorganizim do thotë me fokus tek mjekësia familjare ku zbatimi i konceptit të mjekësisë familjare, ku deri tani kemi ndërtuar objekte por nuk është jetësuar asnjëherë mjekësia familjare e vërtet, ku do funksionalizohen QMF-të nëpër fshatra, pjesët më rurale sepse kryesisht kemi pacientë që ndoshta e kanë QMF-në afër shtëpisë ose mungon mjeku sepse mjekët nuk janë të interesuar të marrin specializim në mjekësi familjare sepse shpeshherë mbesin pa mjek. Pra, është interesi që të zbatohet vërtetë koncepti i mjekësisë familjare, pastaj investimi edhe në nivelin dytësor dhe tretësor që e kemi, investimet ku duhet riorganizim. Pra, interesi ynë është shërbime të sigurta dhe cilësore, kjo ka munguar që kur të orientohesh në institucionet shëndetësore publike të marrin shërbime të sigurta dhe cilësore. Në anën tjetër do mbështetën edhe punëtorët shëndetësorë”, tha ajo.

Kollçaku tutje ka deklaruar për KosovaPress se edhe agjenda legjislative për sektorin shëndetësor është mjaftë ambicioze.

“Ne do t’i plotësojmë-ndryshojmë shumicën prej ligjeve të shëndetësisë duke filluar nga Ligji bazik për shëndetësi pastaj Ligji për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse që është shumë aktual për shkak të pandemisë COVID-19 dhe Ligji për sigurime shëndetësore ku do të investohet në infrastrukturë sepse ne e kemi miratuar por asnjëherë nuk kemi krijuar fond dhe nuk është zbatuar si i tillë. Dhe në kornizën legjislative e cila është sjellë nga Qeveria në Kuvend shihet që është mjaftë ambicioz sepse parasheh plotësim-ndryshimin e shumë ligjeve dhe disa ligje të reja që pritet të miratohen”, theksoi Kollçaku.