LAJMI I FUNDIT:

Profecia e nobelistit

Profecia e nobelistit

Lajme të këqija vijnë nga Kina. Para pak muajsh në “betejën” e mjekëve kinezë me bakteret përgjegjëse për infeksionet, do të bjerë edhe Colistina, një prej antibiotikëve që përdoreshin kur të tjerët nuk vepronin, një prej antibiotikëve ku ankoroheshin shpresat në infeksionet rezistente nga antibiotikët, duke paralajmëruar të pritshmën: ardhjen e një cunami të fuqishëm të “erës së pasantibiotikëve” që, sipas Jim O’Neill, në vitin 2050 do të kushtëzojë vdekjen e rreth 10 milionë njerëzve në vit si pasojë e infeksioneve rezistente nga antibiotikët, duke mbështetur profecinë e nobelistit Joshua Lederberg, i cili gjithmonë ka insistuar se luftën e njerëzve ndaj baktereve do ta fitojnë bakteret, duke çuar në fundin e dominimit të njeriut në tokë.

Me bindjen e nobelistit se bakteret jo vetëm që kushtëzojnë shëndetin e njeriut, por ato kanë bërë dhe historinë e tij, dikush qeshi me ironi duke i kujtuar moshën por, studimet e mëpasme duket se po i japin të drejtë.


Revista e famshme Nature, në një komunikim të kësaj jave, befason me interpretimin që shëndeti ynë varet ngushtë nga lloji i baktereve që popullojnë zorrët tona dhe nga ekuilibri ndërmjet baktereve të ashtuquajtura “të mira” dhe atyre “të dëmshme”. Prishja e këtij ekuilibri bakterial në zorrë prish harmoninë me natyrën dhe çon në dëmtimin e sistemit mbrojtës dhe për pasojë një sërë sëmundjesh, përfshi sëmundjet e zemrës.

Ky zbulim paraqet një potencial të ri terapeutik në qasjen e parandalimit të sëmundjeve të zemrës, të konsideruara si killeri numër një i shoqërive moderne, si dhe të sëmundjeve të tjera metabolike, përfshi diabetin, duke hapur derën e parandalimit të këtyre sëmundjeve.

Për më tepër, kur mendon se çdo mjekim me antibiotikë është një prishës i mundshëm i këtij ekuilibri, i cili do të çonte në dominim të baktereve që shkaktojnë sëmundje, duhet të na dridhet dora në përshkrimin e çdo recete me antibiotikë. Pikërisht kjo ndërthurje e baktereve me shëndetit e njeriut ka qenë, është e do të jetë objekt i shumë studimeve, të cilat kanë ecur përtej të tashmes, në të shkuarën e largët, duke na sjellë fakte shumë interesante, të denja për t’u “hequr kapelën” mikrobeve, apo për t’i “laureuar” në filma si protagonistë, jo vetëm të shëndetit, por dhe të historisë njerëzore.

Në bestsellerin e tij shkencor, “Armët, Çeliku dhe Mikrobet; Fatet e shoqërive njerëzore”, Jared Diamond, me një qartësi impresionuese do të argumentojë se më shumë sesa armët dhe çeliku, janë mikrobet ata që kanë plazmuar superioritetin dhe të ardhmen e njeriut, duke ndryshuar rrugën e historisë më shumë sesa luftërat. Sipas tij, fruthi, tuberkulozi, murtaja, gripi, malaria e kolera nuk ekzistonin në Amerikë dhe arritën atje në fund të vitit 1400 me kuajt, buajt, derrat dhe anijet europiane.

Vendësit nuk ishin të mbrojtur nga këto sëmundje. Përse? Sepse në Europë dhe në Azi njerëzit jetonin me kafshët prej mijëra vitesh dhe kishin arritur t’i zbusnin duke i kthyer ato në shtëpiake. Sistemi i tyre mbrojtës kishte pasur kohë të përshtatej me mikrobet e kafshëve dhe ishte i aftë të njihte dhe të shkatërronte çdo mikrob të tyre.

Ndërsa në Amerikën e izoluar më mijëra vjet nga pjesa tjetër e botës, në Amerikën pa kafshë shtëpiake, e pra pa të tillë mikrobe, sistemi mbrojtës i njerëzve ishte i papërgatitur ndaj viruseve dhe mikrobeve të ardhura nëpërmjet kafshëve shtëpiake, të cilat i sollën europianët. Të gjendur pa mbrojtje natyrale, sëmundjet infektive do të bënin kërdinë në popullatën indigjene.

Vetëm nga virusi i gripit, popullata e Santo Domingos në harkun e pak viteve, nga 1 milion do të reduktohej në më pak se 10 mijë. Perandoria e fuqishme dhe shumë e lulëzuar Inka sigurisht nuk mund të mposhtej nga 168 ushtarët e Francisco Pizzarros. Indigjenët nuk u shfarosën nga armët e europianëve, por nga epidemitë e kushtëzuara nga mikrobet dhe viruset që ata bartnin, ndërkohë që pushtuesit kishin mbrojtje natyrale.

Kronikanët vendës do t’i përshkruanin ata gati hyjnorë dhe të pathyeshëm. I njëjti fat ishte rezervuar për aztekët e Meksikës. Në sulmin e parë në vitin 1519, europianët të udhëhequr nga Kortës do të thyheshin keq e do të humbnin 400 nga 660 burrat që ata kishin, çka konfirmon se aztekët ishin shumë më të fortë se spanjollët.

Por, në betejën e dytë indigjenët do të mundeshin shumë keq, por këtë herë jo nga armët, por nga fruthi. Të tilla histori fatkeqe, të kushtëzuara jo nga armët, por nga epidemitë, janë pa fund në të tërë Amerikën, duke bërë që në më pak se 80 vjet, 80% e popullatës indigjene të Amerikës të shfaroset duke i vënë një pikëpyetje të madhe deri dhe historive të filmave me kaubojs, kur evidentohet qartë supremacia e ushtarëve europianë ndaj atyre indigjenë.

Ndoshta ka ardhur koha që në vend të tyre të realizohen filma me “ushtarë mikrobienë e viralë”. Kjo shfarosje do të çonte në mungesën e krahut të lirë e për pasojë marrjen e të zinjve nga Afrika, të cilët nga ana tjetër do të sillnin malarien dhe ethet e verdha.

Konfirmimi shkencor i profecisë së nobelistit Lederberg, se bakteret jo vetëm që kushtëzojnë shëndetin e njeriut, por se edhe qytetërimi ynë është plazmuar nga mikrobet dhe se ishin eksploratorët dhe kafshët që vendosën të ardhmen e popujve vjen si bombë kur mendon qasjen tonë me antibiotikët, të cilët prishkan jo vetëm shëndetin e njeriut, por edhe historinë e tij.

Vetëm në Amerikë çdo vit shpenzohen 3,400 tonë antibiotikë për të mjekuar të sëmuret dhe çka është më e tmerrshme 8,900 tonë për të shëndoshur kafshët, sidomos derrat dhe viçat, duke profiluar kështu një të ardhme të zymtë të përshkruar si një apokalips antibiotikësh që do t’i çarmatosë mjekët nga arma e tyre më e fortë, antibiotikët.

Ndalimi i rreptë dhe pa kompromis i dhënies pa recetë të antibiotikëve nga farmacistët, edukimi i vazhdueshëm i mjekëve të familjes mbi përdorimin adekuat të antibiotikëve në infeksionet, sidomos ato të mushkërisë dhe të veshkave, kontrolli i përdorimit të antibiotikëve në agrokulturë, sidomos me qëllim rritjen e kafshëve, dhe ndalimi i rreptë i tyre konform ligjit europian të 2006-s, si dhe krijimi i një plani kombëtar kundër rritjes së rezistencës së mikrobeve ndaj antibiotikëve, me model atë të marsit të këtij viti nga Obama, mendoj se është i domosdoshëm nga strukturat tona të shëndetësisë. /Panorama/

Në trend

Më shumë
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

La Liga
Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Boks
Kalo në kategori