LAJMI I FUNDIT:

Procesimi vonon rrogat e rritura

Procesimi vonon rrogat e rritura

Ka përfunduar çdo dilemë në lidhje me pagesën e rrogave me rritje nga ana e qeverisë së Kosovës. Së paku, kështu thonë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MEF). Edhe pse asnjë nga mbi 70 mijë punonjësit në Administratën Publike dhe institucioneve qeveritare nuk i ka marrë deri pas mesdite pagat për muajin janar.

Zyrtarë të MEF-it kanë thënë se problemi tani qëndron tek procesimi i pagave në banka.
Rritja e pagave pritet t’i kushtojë Qeverisë së Kosovës rreth 100 milionë euro në vit. Vendimi për këtë ngritje u mor nga Kryeministri në largim Hashim Thaçi gjatë fushatës zgjedhore dhe deri të martën ka pasur dyshime në lidhje me zbatimin e këtij vendimi për shkak se qeveria ishte në dorëheqje dhe buxheti i pa miratuar nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Si arsye për dyshime ka qenë dhe marrëveshja me Fondin Monetarë Ndërkombëtarë, me të cilin Kosova kishte nënshkruar marrëveshje dhe aty parashihej që pagat të rriteshin nga 7 deri në 8 për qind.

Për paga dhe mëditje për vitin 2010 nga buxheti i Kosovës janë paguar 313 milionë euro ndërsa për vitin 2011, kësaj shume do t’i shtohet shifra prej 100 milionë euro. /Telegrafi/