LAJMI I FUNDIT:

Prezantohen kapacitetet energjetike të Kosovës

Prezantohen kapacitetet energjetike të Kosovës

Sot në Stamboll të Turqisë ka hapur punimet Forumi i 12 Euroaziatik ku po merr pjesë edhe një delegacion nga Kosova, në kuadër të të cilat janë presidenti Fatmir Sejdiu, ministrja e Energjisë Justina Shiroka –Pula dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcılar.

Në sesionin për energjinë, ministrja, Justina Shiroka-Pula ka prezantuar të arriturat dhe sfidat e Kosovës në fushën e energjetikës dhe ka vlerësuar se problemet energjetike janë probleme të përbashkëta dhe kanë dimension rajonal dhe më gjerë.

Ministrja Pula me këtë rast ka thënë se përkundër faktit se Kosova është një vend i vogël, kur bëhet fjalë për energjinë vendi ka burime të konsiderueshme primare të saj, e veçanërisht linjit nga i cili mund të gjenerohet energji jo vetëm për Kosovën por edhe për vendet përreth.

“Kosova është duke rishikuar politikat dhe strategjinë energjetike duke krijuar hapësirë për investimet private në këtë sektor. Kështu me asistencën e Bankës Botërore, Komisionit Evropian dhe USAID-it, në Kosovë do të ndërtohen kapacitete të reja gjeneruese prej 1000 MW në fazën e parë deri në vitet 2016-2017”.


Ajo më tutje tha se Kosova synon të integrohet në rrjetat ndërkombëtare të gazit natyror që vijnë nga Euroazia. Sa i përket legjislacionit, ministrja tha se e gjithë korniza ligjore në fushën e energjetikës po bëhet konform direktivave të Bashkimit Evropian.

Duke u ndalë te bashkëpunimi ndërshtetëror, ministrja Pula tha se Kosova është e hapur për bashkëpunim në fushën e energjisë me të gjithë vendet duke theksuar marrëveshjen e nënshkruar me Shqipërinë dhe marrëveshjet në proces me Maqedoninë, ndërkohë që ka paralajmëruar një marrëveshje të tillë edhe me Malin e Zi.