LAJMI I FUNDIT:

Presidentja jokonsensuale

Në shoqërinë tonë nuk janë të pakët ata që flasin dhe i japin më shumë rëndësi personit publik sesa kornizës politiko-juridike me të cilën punon ai. Është shumë me rendësi që personi publik të ketë integritet profesional e moral dhe përvojë në poste publike, ama baza juridike mbi të cilën do të punojë ai është qenësore. Në vendin tonë bëhet shumë zhurmë e debat se kush do të duhej të ishte në detyrën e caktuar shtetërore, por jo edhe për ndryshimet e mirëfillta legjislative. E keni parë se si entuziazmohet një pjesë e qytetarëve kur bëhen ndryshime emrash në postet e rëndësishme shtetërore. Emrat e rinj ngjallin një shpresë të re e cila shumë shpejt tjetërsohet në një zhgënjim të ri. Kësisoj, shpresa e re është shpresë e vjetër, zhgënjimi i ri është zhgënjim i vjetër.

Ju kujtohet të gjithëve ai formatizimi i famshëm i qeverisë se parë të Hashim Thaçit. Drejtuesit e kësaj qeverie, duke e parë që presioni i qytetarëve, shoqërisë civile dhe mediave ishte rritur ndaj keqqeverisjes se tyre deri në shkallën e shpërthimit gjithëqytetar, shpëtimin e gjetën duke bërë ndërrime ministrash, për të cilët më se paku ishte folur për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për disa muaj lajmi kryesor ishte formatizimi i qeverisë. Thaçi e dinte se çdo ndërrim sado i parëndësishëm dhe i padrejtë të jetë i bën qytetarët që të presin. Dhe çdo pritje nga qytetarët është jetëzgjatje e keqqeverisjes. Sigurisht se ky ndërrim ministrash doli të jetë krejt i padobishëm.


Partitë politike në përgjithësi dhe partitë qeveritare në veçanti, nuk janë të interesuara për ndryshime substanciale, por vetëm simbolike. Çdo ndryshim thelbësor është e kundërta e gjendjes juridiko-politike që kemi sot. Nuk mund të kemi situatë të re e të favorshme me klasën e vjetër politike. Në postin më të rëndësishëm në Kosovë u bë edhe një ndryshim kozmetik, nga i cili përfitoi personi i dytë në Policinë e Kosovës, Atifete Jahjaga. Zgjedhja e Jahjagës Presidente e Kosovës erdhi si rezultat i një marrëveshje jokushtetuese dhe jodemokratike në mes të Thaçit, Mustafës dhe Pacollit nën trysninë e Dellit. Kjo marrëveshje jo vetëm që amnistoi shumë procese negative politike, por edhe tenton të mundësojë që këto procese negative të vazhdojnë në të ardhmen.

Isa Mustafa mbase ia zgjati jetën Qeverisë së Thaçit, për të cilën e dinin të gjithë qytetarët se nuk do të mund të mbijetonte më shumë se gjashtë muaj. Mustafa po thotë se LDK-ja ia shkurtoi jetën kësaj qeverie, duke aluduar në mandatin e plotë që është katër vite. Kjo deklaratë bie ndesh me deklaratat e tij të mëhershme se kjo qeveri nuk ka legjitimitet dhe nuk mund të qeveris. Nëse Mustafa njëmend ka besuar se kjo qeveri do të qeveris katër vite, atëherë për të dhe LDK-në marrëveshja me Thaçin mund të quhet sukses. Mustafa po garanton se marrëveshja e ka nxjerr vendin nga kriza, e dihet fare mirë që kriza po vazhdon sepse do ta kemi të njëjtën qeveri që ishte para marrëveshjes. Veprimi i kreut të LDK-së ishte joparimor dhe i pazakonshëm, ngase është jashtë kornizave politike opozitare. LDK-ja do të jetë bashkëpërgjegjëse me PDK-në dhe AKR-në për të gjitha të këqijat që mund të ndodhin pa qenë në qeveri. Tashmë roli opozitar i LDK-së nuk ka kuptim dhe efekt politik.

Zgjedhja e Jahjagës Presidente duke mos pasur debat parlamentar dhe pëlqimin e të gjitha subjekteve politike, e bën Jahjagën person jokonsensual. Vetëm partitë që bënë pazar për ketë post po e quajnë Jahjagën konsensuale. Pak kohë pas zgjedhjes se Jahjagës presidente, Behxhet Pacolli e shpërfaqi natyrën dhe mbarëvajtjen jodemokratike të marrëveshjes. Pacolli tha që ambasadori amerikan Dell, në një moment ka nxjerr nga zarfi emrin e Jahjagës, duke thënë se nëse nuk e votoni ketë person prishen marrëdhëniet Kosovë-ShBA.

Presidentja e re ka agjendën e vjetër, e cila konsiston në vazhdimin e negociatave politike me Serbinë dhe privatizimin e egër neoliberal. Kjo presidente nuk do të mund të bëjë asgjë për ndryshimin e rrjedhave negative politike dhe ekonomike. Qytetarët e Kosovës janë lodhë me ndërrime të shpeshta të krerëve shtetërorë, por ajo që nuk po ndërron është jeta e rëndë sociale e tyre.

Kuvendi i Kosovës ka krijuar Komisionin për Ndryshime Kushtetuese, i cili brenda një viti do të merret me këtë çështje. Pritet që mënyra e zgjedhjes se presidentit të ndryshohet duke u votuar drejtpërdrejt nga qytetarët e Kosovës. Presidenti, duke u zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët ka mundësinë që të jetë person unifikues e konsensual. Nuk pritet që ndryshimet kushtetuese të jenë në përputhje me kërkesat e qytetarëve. Komisioni për Ndryshime Kushtetuese do të punojë nën diktatin e ndërkombëtarëve, ashtu siç ka ndodh në të kaluarën. Ajo që do të duhej të ndryshojë në Kushtetutën e Kosovës është karakteri i shtetit multietnik dhe kufizimet në sovranitet. Përveç këtyre decentralizimi etnik dhe eksterritorialiteti fetar duhet të rishikohen. Për më tepër, duhet të hiqen të gjitha elementet jodemokratike siç janë: garantimi me automatizëm i ulëseve për deputetët serbë dhe vetoja e deputetëve serbë në Kuvend.

Kosova duhet të ketë Kushtetutë në harmoni me vullnetin e qytetarëve e cila bazohet në realitetin historik dhe demografik. Krejt në fund një Kushtetutë që nuk mundëson referendumin qytetar nuk është në funksion as të demokracisë dhe as të interesit kombëtar.