LAJMI I FUNDIT:

President pa hile

Tekqë zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës po i bëjnë “tekrar” nëpër disa komuna, asnjë palë nuk ka marrë guximin të ujdiset me Partinë Demokratike për të lidhur koalicion dhe se kujt çka do t’i takojë s’dihet ende. Por ngaqë PDK-ja si partia më e madhe ngulmon të mbajë për vete postin e kryeministrit, është fort e pritshme që hisedari i vogël i koalicionit të kërkojë presidencën. Një ndarje e tillë e zyrave, megjithatë, nuk ofron siguri se koalicioni i ri qeveritar do të jetë i qëndrueshëm. Sepse për të mbajtur postin e kryeministrit, partneri i madh po i jep mikes së vogël një pozitë, mandati i së cilës nuk varet nga qëndrueshmëria e koalicionit.

Më një shkrim të paradokohshëm, pata shtjelluar nevojën që Presidentin e Republikës ta zgjedhë vetë populli, meqë po t’i lihet kjo përgjegjësi Kuvendit, zyra e kreut të shtetit do të bie pre e marrëveshjeve politike. Me zgjedhjen jo të drejtpërdrejtë të presidentit jo vetëm se mund të mos arrihet të zgjidhet përfaqësuesi më legjitim i popullit, por rrezikohet të krijohen ngërçe politike që nuk u hyjnë në punë as mirëqeverisjes së vendit e as vetë partive që mëtojnë të zënë vend nëpër institucione.


Vetë rasti i PDK-së, e cila pritet të formojë qeverinë e re, pasqyron kurthurimet që presidenca mund t’u shkaktojë partive politike. Përderisa partia më e madhe në vend merr postin e kryeministrit – për një mandat katërvjeçar ose fare të shkurtër, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare – ajo i jep një tjetër partie, bashkë me garanci për vjet, zyrën e Presidentit të Republikës. Kjo mungesë baraspeshe në kohëzgjatjen e mandateve mund të bëhet edhe më e hidhur për PDK-në, poqë se mbahen zgjedhje parlamentare këtë vit ose pa u mbushur katër vjet nga zgjedhjet maratonike të dhjetor-kallnorit. Pas zgjedhjeve të ardhshme, formimi i koalicionit do të jetë më i kushtueshëm për partinë mandatare, në një kohë që presidenti i vendit mund të jetë formalisht jopartiak ose të paktën i pandikuar nga marrëveshja për formimin e qeverisë.

Edhe pse klasa politike e Kosovës mund të ushqejë ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj besës dhe fjalës së dhënë, partnerët e koalicioneve të deritanishme nuk kanë dëshmuar ndonjë përkushtim të veçantë ndaj ortakëve të tyre. PDK-ja apo cilado parti që mund të krijojë qeverinë e re dhe të marrë postin e kryeministrit duke lëshuar njëkohësisht presidencën ka pak arsye të besojë në jetëgjatësinë e koalicionit. Ajo parti që merr presidentin ngelet fitimtare me prishjen e mundshme të ujdisë për bashkëqeverisje; asaj i mbetet presidenti, por edhe mundësia për të fituar kryeministrinë pas zgjedhjeve pasuese.

Në këto rrethana, partitë politike duhet të tregohen të vetëdijshme për vlerën e kartave që kanë në dorë dhe ndonëse mund të cyten t’i mbajnë për vete, kanë më fort leverdi t’ua kalojnë ato popullit sovran. Partia Demokratike, si subjekti më i madh politik, do të ishte fituesi parësor i një reforme kushtetuese që do të kërkonte zgjedhjen e presidentit nga populli. PDK-ja do të rrezikonte që me kalimin e reformës t’ia kalonte edhe presidencën ndonjë partie rivale, e cila nuk do të merrte pjesë në koalicionin qeverisës. Mirëpo, do të ndalte për vete meritën për përforcimin e demokracisë e madje edhe gjasat reale që si kryeministri ashtu edhe presidenti i vendit t’i përkasin Partisë Demokratike të Kosovës.