LAJMI I FUNDIT:

Politikat e FMN-së joefektive për rimëkëmbje ekonomike

Politikat  e FMN-së joefektive për rimëkëmbje ekonomike

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), nuk ka respektuar kërkimet e veta shkencore dhe i ka shtyrë shumë herët vendet e pasura të shkurtojnë buxhetet, pas krizës financiare globale.

Në këtë përfundim ka arritur Auditori i Brendshëm i FMN-së. Huadhënësi me bazë në Uashington, i shqetësuar për nivelet e larta të borxhit dhe deficitet e mëdha fiskale, u bëri thirrje vendeve si Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Japonisë, të ndjekin masa shtrënguese në vitet 2010-2011, përpara se këto ekonomi të shëroheshin plotësisht nga kriza.

Në të njëjtën kohë, FMN mbështeti politika monetare lehtësuese për të stimuluar rritjen dhe për të përmirësuar kërkesën në ekonomitë e zhvilluara, por në anën tjetër “injoroi” rreziqet e mundshme të këtyre politikave për vendet në zhvillim.


Këto parregullsi janë publikuar nga Zyra e Vlerësimit të Pavarur, që ka analizuar mënyrën se si FMN i është përgjigjur krizës financiare. “Kjo përzierje e politikave nuk ka qënë efektive në nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike, madje ka shkaktuar edhe dëme”, shkruan zyra e auditorit. Fondi Monetar Ndërkombëtar këshillon 188 vendet anëtare mbi politikat ekonomike dhe ofron asistencë financiare emergjente për anëtarët, me kusht që të kthejnë ekonomitë e tyre në rrugën e duhur.

Auditi i brendshëm me ironi thotë: “FMN duhet të ketë qënë në dijeni se një kombinim i politikave fiskale shtrënguese me politikat monetare ekspansioniste nuk janë shumë efektive në mbështetjet e rritjes ekonomike, pas një periudhe krize. Provat tregojnë se fokusi i sektorit privat në reduktimin e borxhit, i ka bërë kompanitë më pak të ndjeshme ndaj stimujve monetarë. /Telegrafi/