LAJMI I FUNDIT:

Politika e zhvatjes

Politika në Kosovë është bërë mundësi dhe hapësirë për zhvatjen e pushtetit dhe e parasë publike. Zhvatja e pushtetit bëhet nëpërmjet zgjedhjeve elektorale, ndërsa zhvatja e parasë publike bëhet nëpërmjet pushtetit. Pra, zgjedhjet nuk janë delegim i sovranitetit të popullin për politikanët, por rrëmbim i pushtetit të popullit nga politikanët. Një pushtet i tillë prodhon politikan të pasur për të sunduar popullin e varfër. Për ketë gjendje të padrejtë në shoqëri, Jean-Jacques Rousseau, në veprën e tij të famshme Kontrata Sociale, ndër të tjera shkruan se pasuria e madhe e disa njerëzve dhe varfëria e të tjerëve është vdekjeprurëse për të mirën e përgjithshme.

Kosova ketë vit ka një qeveri të re, por ajo që ka mbetur e vjetër, është politika e saj. Në politikën e vendit tonë janë bërë praktike ndryshimet sipërfaqësore e simbolike, por po mungojnë ndryshimet përmbajtjesore e substanciale. Qeveria e re e ka udhëheqësin e vjetër, ndërsa ministrat e rinj e kanë agjendën e vjetër. Ndryshimet e reja po janë krejt të parëndësishme e të padobishme, prandaj jetesa e qytetarëve nuk po përmirësohet. Ndryshimet reale ndodhin kur politikanët janë vullnet i popullit dhe veprimet e tyre janë kërkesa të popullit.


Koalicioni pas zgjedhor PDK-AKR, dhe mënyra se si u formua qeveria nga ky koalicion, është kulmi i manipulimeve të zgjedhjeve të përgjithshme qe filluan në fund të vitit të kaluar dhe përfunduan në fillim të këtij viti. Të gjitha fazat e procesit zgjedhor ishin të manipuluara skajshmërisht, që nga fushata zgjedhore e deri të krijimi i institucioneve të vendit. Qeveria dhe Presidenca e Kosovës janë jolegjitime dhe jokredibile për tri arsye: e para, këto institucione janë produkt i zgjedhjeve të vjedhura; e dyta, zgjedhja e këtyre institucioneve është bërë duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit; dhe e treta, liderët e këtyre institucioneve e kanë të rrënuar imazhin sepse akuzohen për korrupsion dhe afera të tjera.

Dita e formimit të institucioneve të Kosovës ishte demaskim i pushtetarëve para syve të qytetarëve. Në atë ditë qytetarët drejtpërdrejt e kanë parë se pushtetarët për ta ruajtur pushtetin i përdorin të gjitha mjetet jodemokratike dhe imorale. Për më tepër, në ketë ditë u pa mirëfilli se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në dikaster të Qeverisë se Thaçit. Nuk është hera e parë që Kuvendi si institucioni më i lartë nga i cili dalin të gjitha institucionet tjera dirigjohet nga qeveria. Kuvendi vetëm po i krijon institucionet, nuk po i kontrollon ato.

Deputetët e PDK-së i nënshtrohen vullnetit të Hashim Thaçit. Kjo u pa në ditën që po votohej Presidenti. Votimi në rundin e parë dhe të dytin nuk kalonin shumicën e thjeshtë që është e domosdoshme për t’u zgjedh Presidenti. Thaçi, duke e parë që disa deputetë të PDK-së nuk kanë vullnetin për ta votuar Behgjet Pacollin, lëshoj sallën edhe përkundër deklarimit të kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit, se ndërprerja e votimit është kundër Kushtetutës dhe rregullores të punës se Kuvendit. Më vonë, vetë Krasniqi e pranoi se Thaçi i kishte shantazhuar deputetët e PDK-së, se nëse nuk votoni pro kandidaturës se Pacollit, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, dhe unë nuk do t’iu përfshij në listën e PDK-së si kandidat për deputetë. Krasniqi ka shkuar edhe më larg duke i quajtur veprimet e Thaçit totalitare në parti dhe institucione.

Në skenarin e 22 shkurtit ishin të përfshirë edhe ambasadori amerikan Christopher Dell dhe bashkëpunëtori i Pacollit, boshjako-amerikani Essad Puskar. SMS-të e tyre që u botuan në mediat e tona tregojnë që ajo që ngjau atë ditë ishte skenar i parapërgatitur. Në një letër të hapur drejtuar Komisionit të Pavarur për Media, ambasadori Dell e quan veprimin e gazetave Koha Ditore dhe Ekspress si dhe të televizionit KTV, joprofesional, joetik e madje të paligjshëm. Organizata ‘Reporterët pa Kufi’ dolën në mbrojtje të mediave tona, duke e cilësuar veprimin e Dell-it trysni të papranueshme mbi lirinë e shtypit. Ambasadori Dell me ketë veprim jodemokratik ka pasur për qëllim që t’i fusë mediat e pavarura nën vullnetin e tij politik ashtu siç ka bërë me partitë politike. Deklaratat publike të Dell-it janë plot me demokraci, por politika vepruese e tij shpesh po i shkel rregullat e demokracisë.

Në formimin e institucioneve të Kosovës së pasluftës, faktorët ndërkombëtarë në vendin tonë gjithmonë kanë qenë të përfshirë në mënyrë direkte. Kjo përzierje e pakompetencë e zyrtarëve ndërkombëtarë është pjellë e inferioritetit të skajshëm të politikanëve të korruptuar. Për politikanët inferior vullneti i ndërkombëtarëve nuk do të duhej të diskutohej as të debatohej, por të jetësohet me automatizëm. Në Kosovë përveç që i kemi misionet e huaja me fuqi ekzekutive mbi qafë, ne i kemi edhe ambasadat dhe shefat e tyre mbi kokë. Ndihma e ndërkombëtarëve është e mirëseardhur, ama vullneti politik i yni nuk do të duhej të lëkundej për asnjë përfitim dhe humbje të çfarëdo natyre. Çdo raport apo marrëdhënie me ndërkombëtarët duhet të ndërtohet brenda kornizave të partneritetit. Raportet armiqësore dhe inferiore me ndërkombëtarët janë dy anët ekstreme të marrëdhënieve politike e diplomatike, prandaj secila nga to e dëmtojnë Kosovën. Politika në Kosovë është e zhveshur nga morali dhe ideali. Kur politikës i mungojnë këto atribute qenësore, të gjitha proceset politike nuk mund të jenë ndryshe përveç të dështuara e të devijuara. Të tilla ishin zgjedhjet e parakohshme, i tillë ishte krijimi i institucioneve dhe e tillë do të jetë qeverisja e këtyre institucioneve. Populli thotë, ‘kur diçka fillon mbrapsht përfundon mbrapsht’.