LAJMI I FUNDIT:

Politika dhe arroganca

A beson kush përrallën e zotit Jakup Krasniqi se zoti Bajram Rexhepi, ministër aktual i punëve të Brendshme është rrugaç? Kirurgu me përvojë i Mitrovicës; ish aktivisti i LDK-së; kryetari i komunës së Mitrovicës në dy mandate pas lufte – herën e parë i emëruar menjëherë pas lufte (pa vota), herën e dytë i zgjedhur me votat e qytetarëve; kryeministri i parë i qeverisë së koalicionit të gjerë edhe me LDK-në; pastaj në planin profesional një doktor i mjekësisë dhe specialist i kirurgjisë, që për ta arrirë këtë i duhet së paku dy herë më shumë angazhim intelektual se sa për t’u bërë një doktor i historisë – ta zëmë i profilit të Jakup Krasniqi?!

Po zoti Jakup Krasniqi vetë a mendon se Bajram Rexhepi është i tillë, pra rrugaç, si ai e quajti publikisht atë? Apo njeriu i ka momentet e veta kur del nga orbita e arsyes dhe në vrull e sipër nuk kujdeset për llumin që le prapa, për plagët që i shkakton tjetrit e as për rrënimin e imazhit të vetvetes, të cilin i është dashur një jetë njeriu ta ndërtojë e i duhen vetëm disa sekonda për ta rrënuar. Ishte një kohë kur zoti Krasniqi ishte ministër në qeverinë e Bajram Rexhepit dhe nëse kryeministri ishte një rrugaç, atëherë edhe ajo qeveri paska qenë qeveri rrugaçësh, ku një nga rrugaçët paska mundur të jetë edhe vetë zoti Jakup Krasniqi!


Pra, në asnjë variant ofendimi i zotit Krasniqi nuk është i pranueshëm dhe si i tillë më shumë i bënë dëm atij vetë se kujtdo tjetër. Sepse, zoti Bajram Rexhepi është një figurë e merituar e mjekësisë, e inteligjencës dhe e politikës kosovare në saje të edukimit akademik, të punës dhe angazhimeve të tij të deritashme. Madje, hiq disa nga gabimet e tij (kush punon gabon) është një nga figurat e rralla politike që shquhet për kontributin e tij në rrethana të caktuara, madje shumë delikate dhe specifike që ka kaluar e vazhdon të kalojë Kosova.

Kjo sa i përket fjalëve kuturu to zotit Jakup Krasniqi. Tash dua ta rrotulloj medaljen në anën tjetër dhe të merrem me deklarimet e zotit Bajram Rexhepi. A i beson dikush deklaratave të Bajram Rexhepit se Jakup Krasniqi ishte i vonë në UÇK, kurse Bajram Rexhepi na qenka aty që nga viti 1996? Apo, sa pi ujë ironia e Rexhepit, e thënë në intervistën e tij KTV-së, se nuk e ka veshur uniformën e UÇK-së, sepse nuk i janë dashur fotot për t’i përdorur për përfitime të pasluftës siç paskan bërë të tjerët.

A e di Bajram Rexhepi se UÇK-ja kishte mjekë që veshën uniformat dhe që fotot e tyre asnjëherë nuk i treguan në publik? Kur dikush flet për luftën dhe angazhimet e tij duhet të jetë shumë i saktë, sepse lufta nuk ka ndodhur që 50 vite, por vetëm 13 vite më parë dhe kujtesa është ende shumë e freskët. Roli i Bajram Rexhepit ka qenë i pamohueshëm si mjek, por në Kosovë ka me dhjetëra mjekë që kurrë nuk u ndalën në shërbim të luftës dhe sot janë tërhequr në zanatin e tyre pa dashur ta marrin as edhe më të voglin kredit për të kaluarën e tyre.

Por, Bajram Rexhepi si ushtar? Kjo është një çështje tjetër. Nuk mjafton të thuash se isha në oden e Shaban Jasharit më 1996. As më 1993! Nuk mjafton të kesh qenë mjek e madje as kirurg si “profil kryesor i mjekut në luftë” që ta quash veten pjesëtar të UÇK-së. UÇK kishte njësitë e veta që e përbënin ushtarët. Çdo njësi kishte komandantin e vet. UÇK kishte Shtabin e përgjithshëm dhe ky shtab kishte hierarkinë e vet komanduese. Në këtë hierarki Jakup Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së dhe anëtar i shtabit.

Në të vërtetë, ishte një kohë kur zyrtarisht askush nuk kishte ndonjë post më të lartë se Jakup Krasniqi, sepse ishte një konfuzion rreth komandantit të përgjithshëm, për të cilën edhe dyshohej se nuk ekzistonte fare. Vetë Hashim Thaçi ndihej inferior ndaj Jakup Krasniqit. Në një takim rasti që kam pasur me Thaçin në Izbicë, e ku ishte edhe Rexhep Selimi, në një bisedë joformale Thaçi më inkurajonte të më takonte edhe me Jakup Krasniqin! Natyrisht, duke mos ditur njohjen time shumë më të hershme me zotin Krasniqi. Kështu thoshte ai: “Eja atje. Do të takoj edhe me Jakup Krasniqin”.

Pra, Jakup Krasniqi ishte më i madh se Thaçi, veçanërisht para Konferencës së Rambujesë. Edhe atje ai ishte paraparë që të ishte i pari, por shokët e Thaçit apo shokët e emigracionit e që ishin shumicë e drodhën bigën. Sepse, kishin gatuar tjetër kulaç. Në një bisedë telefonike që kam pasur me Blerim Shalën në mbrëmjen e bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, i cili sapo ishte kthyer nga Rambujeja, më ka thënë se ishin marrë vesh që kryeministër të emërohej Jakup Krasniqi. Por, ajo që pamë ne më vonë ishte se kryeministër u emërua Hashim Thaçi, pra në kundërshtim me marrëveshjen e delegacionit të Rambujesë për qeverinë e përkohshme të Kosovës. Pastaj, u pa më vonë se LDK-ja nuk dëshironte të merrte pjesë në qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Gjatë kësaj kohe Bajram Rexhepi ishte një mjek që kontribuonte për UÇK-në. Kjo është ajo që dihet deri më sot. Por, kur ai flet për luftën dhe tregon për rolin e tij duhet të na tregojë thjeshtë se në cilën njësi ushtarake ishte dhe çfarë roli kishte brenda asaj njësie. A kishte uniformë dhe a ishte i ngarkuar me armë. Dhe, nëse nuk kishte uniformë të UÇK-së, opinioni duhet ta dijë se janë vetëm tri arsye që mos ta ketë pasur uniformën: e para, të mos ketë qenë anëtar formal i UÇK-së; e dyta të mos ketë pasur uniforma të mjaftueshme (për njerëzit e profilit të Bajram Rexhepit do të gjendshin uniformat, njësoj si është gjetur për Jakup Krasniqin!); dhe e treta ta ketë pasur e mos ta ketë veshur nga frika e uniformës së armikut!

Por, ajo që thotë ai se nuk e ka veshur sepse nuk ka dashur të përfitojë nga lufta nuk pi ujë kurrkund, mësa pi ujë cilësimi i tij si rrugaç nga ana e Jakup Krasniqit! Madje, një deklarim i tillë i Bajram Rexhepit është fyerje për të gjithë ushtarët e UÇK-së që bartën uniformën dhe për të gjithë ata që deshën ta bartin atë e nuk e patën. Uniforma ishte krenaria dhe trimëria e UÇK-së. Ishte krenari e çdo ushtari. Por, kur atë e veshte intelektuali, apo mjeku (profili i Bajram Rexhepit) ishte moment i ngritjes së moralit të rinisë çlirimtare.