LAJMI I FUNDIT:

Policia dorë lirë për shqiptimin e tiketave

Policia dorë lirë për shqiptimin e tiketave

Gjatë nëntë muajve të këtij viti nga Policia e Kosovës (PK) janë shqiptuar 250735 tiketa që, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ky numër ka shënuar rritje për 21 512 tiketa të shqiptuara më shumë.

“Numri i tiketave të shqiptuara nga Policia e Kosovës për periudhën janar-shtator të këtij vitit është 250 735 tiketa. Ndërkaq, për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ky numër ishte 229 222 tiketa”, është bërë me dije për gazetën “Epoka e re” nga zyrtarë të Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës.
Sipas zyrtarëve policor, numri i tiketave të shqiptuara, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rritur për rreth 10 për qind, ndërkaq numri i aksidenteve gjatë së njëjtës periudhë ka shënuar rënie për rreth 20 për qind.

Sa i përket çështjes së pagesës së tiketave dhe mjeteve të grumbulluara nga gjobat e shqiptuara, Zyra për Komunikim me Publikun në PK ka treguar se ato janë të rregulluara në bazë të Ligjit mbi Sigurinë në Komunikacionin Rrugor nr. 02/L-070. Sipas kësaj zyre, këto të hyra sipas ligjit në fjalë grumbullohen në buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës, gjegjësisht komunës përkatëse në të cilën është shkaktuar kundërvajtja. “Policia e Kosovës nuk përfiton nga këto mjete, pasi nuk derdhen në buxhetin e PK-së”, është thënë nga Zyra për Informim e PK-së.


Inxhinieri i Komunikacionit, Gazmend Hoti, ka thënë se rritja e numrit të gjobave në trafik mund të jetë rrjedhojë e rritjes së importit të automjeteve.

“Aktualisht gjatë një viti në Kosovë importohen rreth 23 mijë automjete apo rreth 6.1 për qind, kemi rritje të importit të automjeteve me vitet paraprake. Krahasuar me këtë, në rritjen e numrit të gjobave kanë ndikuar edhe javët e sigurisë të shpallura nga Policia e Kosovës, të cilat besoj se kanë qenë shumë të suksesshme në vetëdijesimin e ngasësve. Po gjatë këtij viti në rritjen e numrit të gjobave ka ndikuar edhe mobilizimi i Inspektoratit Rrugor, sidomos të automjeteve transportuese për moslejimin e tejkalimit të ngarkesave në automjete, si dhe shqiptimi i gjobave nga ana e Policisë për shkak të gjendjes teknike jo të mirë të automjeteve në rrugë”, është shprehur Hoti. /Telegrafi/