LAJMI I FUNDIT:

Podujevë, miratohet vendimi për rialokim dhe transfer të projekteve

Podujevë, miratohet vendimi për rialokim dhe transfer të projekteve

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka miratuar vendimin për rialokim dhe transfer të projekteve për vitin 2014.

Kuvendi i Komuës së Podujevës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, të mbajtur sot, ka shqyrtuar propozim vendimin për rialokim dhe transfer të projekteve për vitin 2014.

Në mbledhjen e kryesuar nga kryesuesi i Kuvendit, Mehmet Gashi, e ku ishin të pranishëm edhe anëtarët e ekzekutivit të Komunës, këshilltarët kanë debatuar për dokumentin e prezantuar në Kuvend i cili përfshinte rialokimin dhe transferin e projekteve për sivjet.


Këshilltari nga radhët e grupit parlamentar të LDK-së, Fidan Rekaliu, ka përkrahur rialokimin dhe transferin e projekteve sipas dokumentit të paraqitur. Ndërsa, kundër rialokimit janë deklaruar këshilltarët nga radhët e opozitës, Kadri Avdiu dhe Rafet Llapashtica-PDK, Haki Rudari -Lëvizja Vetëvendosje dhe Lutfi Rexhepi- AAK, të cilët vlerësuan se rialokimi dhe transferi i projekteve është pasojë e mos planifikimit të mirë.

Mirëpo, drejtori i Drejtorisë për Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtimi, Faik Muçiqi, duke dhënë sqarime për secilin projekte të transferuara, tha se rialokimi është pasojë e mos konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mos rishikimit të buxhetit nga legjislativi i vendit.

“Nëse nuk ndodhë ridetinimi atëherë komunat, pra edhe komuna e jonë, në fund të vitit fiskal do të vijnë në situatë që të kenë njëkohësisht edhe suficit, por edhe obligime të pakryera ndaj operatorëve, sepse pavarësisht kësaj operatorët i kanë kryer obligimet sipas kontratave”, tha Muçiqi.

Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje, Kuvendi me shumicë votash ka miratuar vendimin për rialokim dhe transferim të projekteve për vitin 2014. /Telegrafi/