LAJMI I FUNDIT:

Po shpifet për produktet kosovare

Po shpifet për produktet kosovare

Gjuha e egërsuar karshi produkteve kosovare po bëhet për interesa personale të kompanive të ndryshme, të cilat përmes dezinformatave për gjoja produkte të pasigurta të cilat gjenden në treg, e të cilat rrezikojnë jetën e qytetarëve, po përpiqen që të përfitojnë për vete.

Kështu u tha në një konferencë për media, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), Agjencioni i Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës ( AUVK) dhe Oda Ekonomike Amerikane ( OEAK),me temë “Kontrolli dhe siguria e ushqimit ne Kosovë”.

Safet Gërxahliu, kryetar i OEK-ut, tha se qarqe të caktuara kanë hartuar strategji konkrete për ta dëmtuar aspektin ekonomik të Kosovës.


Ai theksoi se këto dezinformata po e dëmtojnë prodhimin vendor, ambienti biznesor e mbi të gjitha po dëmtohet imazhi i të bërit biznes në Kosovë. “Jemi dëshmitarë që tregtarë të caktuar për të arritur te përfitimet e tyre dhe qëllimet e veta financiare, e shkelin çdo gjë që është kosovare dhe çka ka verë, me të vetmin qëllim që përfitimet e tyre, të grupeve të caktuara dhe të klaneve të caktuara të jenë ato që arrijnë synimet e tyre. Apelojmë tek qytetarët të mos bien pre e dezinformatave të pa argumentuara, të mos bien pre e komunikimeve të ndryshme, të cilat me të vërtetë e dëmtojnë të bërit biznes në Kosovë“, tha Gërxhaliu.

Ndërsa, Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK) theksoi se është për keqardhje që dikush mëton t’i përdorë ato interesa për përfitime të veta personale ose për përfitime të kompanive të caktuara, duke dëmtuar kështu interesat ose reputacionin e kompanive të tjera. Ai tha se dezinformatat e tilla shkaktojnë panik në publik apo tek konsumatorët, rreth asaj se çfarë produkte po konsumojmë.

“Shumë shpesh për shkak të interesave personale, ka pasur informata të pasakta të cilat plasohen në publik. Sepse dezinformatat të tilla të ngjashme ka pasur dhe në të kaluarën. Është jashtëzakonisht për çdo keqardhje që dikush mëton t’i përdorë ato interesa për përfitime të veta personale, ose për përfitime të kompanive të caktuara, duke e dëmtuar kështu reputacionin e kompanive të tjera”, tha ai.

Kurse, Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv, në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit (AVUK) i siguroi qytetarët se të gjitha produktet të cilat gjenden në tregun tonë, janë të sigurta. “AVUK me të gjitha kapacitete e saja profesionale dhe infrastrukturore, ka arritur që t’i përmbush objektivat e saja, duke garantuar për të gjithë qytetarët e vendit, produkte të sigurta dhe të cilat nuk e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve të vendit. Në asnjë mënyrë nuk kemi lejuar që të importohen, apo prodhohen produkte të cilat paraqesin, apo kërcënojnë shëndetin publik të qytetarëve të vendit”, tha ai.

Gjinovci më tej pohoi se AVUK vite me radhë ka ndërmarrë një varg aktivitetesh që kanë forcuar kontrollin e sigurisë së produkteve ushqimore që prodhohen nga vet prodhuesit vendor dhe atyre që importohen.

Ndryshe, vetëm gjatë vitit 2014 si rezultat i punës së AVUK-ut, janë asgjësuar mbi 350 tonë produkte ushqimore. Produkte bimore janë asgjësuar 57 tonë. Produkte shtazore janë asgjësuar 75 tonë dhe 73 tonë produkte konditorike. /Telegrafi/