LAJMI I FUNDIT:

A po bëhet posti i presidentit pengesë e pakalueshme për arritjen e koalicionit LVV-LDK?

A po bëhet posti i presidentit pengesë e pakalueshme për arritjen e koalicionit LVV-LDK?

Që nga dita e shtunë (14 dhjetor), kreu i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk janë takuar më. Edhe pse pas takimit të fundit u tha se do të intensifikojnë takimet deri në momentin e arritjes së koalicioni qeverisës, tash e katër ditë nuk pati ndonjë takim mes liderëve të LVV-së dhe LDK-së. Ndërsa, kanë vazhduar deklaratat kundërthënëse nga zyrtarë të dy subjekteve politike për postin e presidentit, që po konsiderohet si pengesë e pakapërcyeshme në negociatat për arritjen e koalicionit. 

Pas një mbledhje që ka mbajtur me kryetarët e degëve të partisë të hënën, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se çështja e presidentit është parimore dhe është çështje e mirëbesimit ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, duke shtuar se ndarja e pozitave duhet të bëhet në mënyrë që asnjëra parti të mos del e fuqishme nga ky koalicion.

“Nëse ne kemi besim si LDK që ta votojmë z.Kurti për kryeministër, atëherë presim që një besim të tillë duhet ta ketë edhe partneri jonë ndaj LDK-së, por nuk dyshojmë për këtë”, ka thënë Mustafa, shkruan Telegrafi.


Të njëjtën gjë e ka thënë edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri. Ai në RTV Dukagjini, ka deklaruar se posti i presidentit i takon LDK-së, siç ka thënë ai për të pasur një balanc të pushtetit.

Muhaxheri, ka thënë se koalicioni do të arrihet dhe se gjasat për të dështuar ky koalicion janë zero.

Po ashtu, deputetja e zgjedhur e kësaj partie, Hykmete Bajrami dy ditë më parë ka thënë se LDK-në s’mund ta kushtëzojnë askush që mos ta propozojë presidentin.

“Propagandën dhe luftën speciale duhet ta ndalë Vetëvendosje nëse njëmend ka vendosur të ndërtojë koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. LDK po punon për ndërtimin e një Qeverie që do të ofrojë zgjidhje për secilin problem të qytetarëve. E jo Qeveri e cila rrëzohet pas një viti. Qeveri e cila nuk e përfundon mandatin. T’i lëmë deklaratat e të merremi vesh para se të prishet çdo urë bashkëpunimi. Kushtëzimi i Vetëvendosjes se nuk e pranojmë Presidentin nga LDK-ja është i papranueshëm. Kushtëzime të tilla s’mund të vendosin partitë që s’kanë fituar 51 për qind të votave”, kishte shkruar ajo në profilin e saj në Facebook, transmeton Telegrafi.

Edhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk ia jep LDK-së postin e presidentit, atëherë nuk do të ketë marrëveshje për koalicion mes tyre.

“Nëse nuk marrim postin e presidentit, shkojmë në opozitë”, ka deklaruar Hoti.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa (Foto:Ridvan Slivova)

Derisa LDK është e vendosur të mos lëshojë pe për postin e Presidentit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, vazhdojnë të jenë të qëndrimit se LDK-së nuk i takon posti i presidentit.

Haki Abazi, i cili do të jetë deputet i ri i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ndryshimi i madh dhe vija e kuqe të kërkuara nga votuesi nuk mund të sfidohen nga asnjë njeri e asnjë emër, qoftë edhe një emër për president.

“LVV po bën kthimin dhe ndryshimin e madh duke kërkuar formulë funksionale për qeverisje efektive, të qëndrueshme politikisht dhe me mirëbesim të plotë më partnerin e koalicionit. Kjo është edhe qasje obliguese që ka dalë nga vota e ndryshimit të madh duke lënë ne opsion vetëm LVV dhe LDK. Zgjedhjet për herë të parë e kanë vendosur vijën e kuqe duke ndarë opsionin qeverisës për ndryshim dhe ka përjashtuar nga opsioni ata dhe ato parti që e kanë dështuar shtetin dhe interesin e qytetarit.Ndryshimi i madh dhe vija e kuqe të kërkuara nga votuesi nuk mund të sfidohen nga asnjë njeri e asnjë emër, qoftë edhe një emër për president”, ka thënë Abazi.

Gjithashtu, deputetja Arbëria Nagavci ka thënë se deri tani në strukturat e LVV-së, nuk është diskutuar për asnjë emër të përveçëm për pozitën e presidentit.

“Ne jemi të vetëdijshëm se kemi garuar për zgjedhjet parlamentare dhe na është besuar përgjegjësia për të propozuar qeverinë. Për këtë jemi të përkushtuar dhe jemi angazhuar që nga 7 tetori. Jemi të kënaqur që kemi bërë një hap përpara me harmonizimin e programit duke vendosur kështu një standard të ri.Sa i përket bartësve të përgjegjësive. Deri më tani asnjë emër i përveçëm nuk është diskutuar në organet tona, as për pozitat në ekzekutiv e aq më pak për postin e presidentit. Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndrimet e veta fillimisht i diskuton gjatë e me seriozitet në organet e veta. Aty bëhet dhe vendimmarrja, ashtu si parashihet me statut. Në vazhdimësi LV! ka konsistencë në qëndrimet e veta dhe të njëjtat i bën publike dhe i mbron me argumente. Dua të besoj se qytetarëve do t’u ofrojmë atë që kanë kërkuar: se opozita e deri djeshme do të jetë qeverisja e sotme”, ka thënë ajo.

Se nuk ka pasur diskutime në Lëvizje Vetëvendosje, sa i përket postit të presidentit ka thënë edhe Erzen Vraniqi.

Vraniqi ka thënë se as Albin Kurti, dhe as Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka propozuar, preferuar, mbështetur apo kundërshtuar asnjë emër të caktuar për president, duke shtuar se tani duhet krijuar Qeveria dhe nuk duhet gjetur presidenti.

“Qëndrimi ynë, ashtu si dhe qëndrimi i figurave të LDK gjatë fushatës zgjedhore, është se presidenti duhet të diskutohet kur t’i vijë koha”, ka theksuar ai.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti  dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa (Foto: Ridvan Slivova)

Në përpjekje për arritjen e koalicionit qeverisës, LVV dhe LDK kanë mbajtur mbledhjet e kryesive të tyre. Ndërsa, LDK ka zhvilluar edhe konsultë me kryetarët e degëve. E, Isa Mustafa për të enjten ka thirrur edhe mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, por në bazë të deklarimeve nga zyrtarët e kësaj partie, LDK nuk do të heq dorë nga posti i Presidentit.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ta thërras më datën 26 dhjetor, në orën 15:00. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Haradinaj: Pritet arrestimi i tre ministrave të Qeverisë Kurti

Haradinaj: Pritet arrestimi i tre ministrave të Qeverisë Kurti

Politikë
Avokati Halilaj: Faton Hajrizit i ishte premtuar statusi i veteranit të UÇK-së, nëse pranonte se ai kishte vrarë ushtarin rus

Avokati Halilaj: Faton Hajrizit i ishte premtuar statusi i veteranit të UÇK-së, nëse pranonte se ai kishte vrarë ushtarin rus

Lajme
Hasani: Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit rihapin çështjen e statusit të Kosovës

Hasani: Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit rihapin çështjen e statusit të Kosovës

Lajme
Policia e Kosovës arreston në Mitrovicë të kërkuarin nga Gjermania për vrasje e grabitje

Policia e Kosovës arreston në Mitrovicë të kërkuarin nga Gjermania për vrasje e grabitje

Lajme
Një grua në veri gjen disa pika të bardha në veturë, policia nis hetimet

Një grua në veri gjen disa pika të bardha në veturë, policia nis hetimet

Kronika e Zezë
Turisti gjerman kishte humbur orientimin nga Valbona në Theth, ndihmohet nga policia

Turisti gjerman kishte humbur orientimin nga Valbona në Theth, ndihmohet nga policia

Lajme
Kalo në kategori