LAJMI I FUNDIT:

Përurohet pikëkalimi i ri kufitar Shqipëri-Mal i Zi

Përurohet pikëkalimi i ri kufitar Shqipëri-Mal i Zi

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq inauguruan të enjten pikën e përbashkët të kalimit kufitar Murriqan-Sukobinë, e ndërtuar me një fond prej 1.1 milion euro të Komisionit Evropian.

Kjo është pika e parë kufitare e kësaj natyre në Ballkanin Perëndimor, pjesë e rrjetit prej 12 pikave kufitare që do ndërtohen në Shqipëri dhe vendeve të saj fqinje, falë financimit të KE-së prej 5.4 milionë euro.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin edhe ambasadori i KE-së në Tiranë Helmuth Lohan dhe homologu i tij në Malin e Zi, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ministra të qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze dhe autoritete vendore të Shkodrës dhe Ulqinit.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së për realizimin e këtij projekti, që është një nga dhjetëra projektet që zbatohen në Shqipëri dhe Mal të Zi me ndihmën bujare të taksapaguesve evropianë.


Duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, Kryeministri Berisha tha se dy qeveritë po nxisin zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke krijuar edhe infrastrukturën e nevojshme për këtë qëllim. /Telegrafi/