LAJMI I FUNDIT:

Përulje pa fund, apo fund të përulësisë

Përulje pa fund, apo fund të përulësisë
Ilustrim

Arlinda Memetaj

“Në një vend ku të gjithë njerëzit janë të verbër, edhe me një sy bëhesh mbret”. Është një frazë e hidhur që nuk dua ta dëgjoj për kombin tim. Jo se nuk është e vërtetë, por pikërisht dita ditës na përshtatet më shumë.


Sa herë na ka bërë vaki të skuqemi nga turpi kur dëgjojmë miqtë tanë nga Tirana apo nga Prishtina, të cilët habiten me intelektin dhe aftësitë e të përzgjedhurve tanë gjatë dy dekadave të fundit. Athua po verbërohemi, apo këta që vazhdimisht po na mashtrojnë, e paskan përsosur artin e mashtrimit deri në atë pikë sa që edhe kur na ndodh ndonjë e keqe, përpiqemi t’i arsyetojmë ata në vend që t’u kërkojmë llogari?

Premtimet shterpe që i dëgjuam përgjatë 15 viteve të fundit, duket se po u vjen fundi. Ato që i dëgjojmë sot dhe ato që do t’i dëgjojmë ditëve në vijim, do të dimë t’i vlerësojmë e t’i matim mirë, sepse nuk do të lejojmë më që të na i helmojnë shqisat tona edhe më tej. Lloj-lloj pisllëku na mbështollën me përrallat që na i treguan rreth vizionit për të ardhmen, në të cilin vizion të gjithë ne u mbështetëm, e i mbështetëm, sepse aty e shikonim njeriun tonë, të barabartë me gjithë njerëzit në Maqedoni, por kur erdhi koha të tregohet njerëzimi, e pamë se vizioni i tyre është personal dhe vetëm personal, përkundër çmimit të madh që të gjithë ne si shoqëri paguam.

Çështjet madhore që ishin shtylla të premtimeve të tyre, asnjëherë nuk u prekën, sepse po të prekeshin ato, nuk do të mund të preknin asgjë për veten e tyre. Logjika të humbim sot për të fituar ndonjëherë në të ardhmen, është logjika e frikacakut, i cili në pamundësi për tu përballur me realitetin, për t’ia arritur synimit, e përul kurrizin dhe fut bishtin ndër shalë e pret ditë më të mira, apo dikë tjetër, me pak më tepër guxim. Ne nuk e meritojmë më këtë turp.

Shqiptarët e Maqedonisë moti kanë ngritur sinjalin se nuk meritojnë të udhëhiqen nga korrupsioni, nga analfabetë me doktorata dhe njerëz që shesin interesin kombëtar për një tender të coftë që u servohet nga një kryeministër albanofob e klika e tij nacionaliste. Të ndodhur në një romancë të madhe politike, në dëm të qenies shqiptare, secila palë luan rolin që dëshiron pala tjetër. Por në një bashkëqeverisje, kur njëri luan rolin që dëshiron tjetri dhe atë deri në përulësi, të vjen të neveritesh nga dëgjueshmëria e skajshme dhe përulësia deri në ekstrem e palës tonë.

Shqiptarët nuk e ndjejnë veten aq të dobët. Atë ndjenjë të dobët e demonstrojnë vetëm deputetët e ministrat e partive shqiptare, të cilët të mbështjellë nga rrjetat e liderëve të tyre, nuk guxojnë as të mendojnë idealin e atyre djemve që dhanë jetën gjatë vitit 2001, e jo më t’i realizojnë ato ideale. Një djalë që gjakoset në Bit Pazar nga shkopinjtë e gomës të këtij pushteti, ka shumë herë më shumë guxim sesa të gjithë qyqarët bashkë, ata që e përfaqësojnë sot kombin tonë në Parlament.

Këtij populli 15 vite po i pihet gjaku me pambuk e tani duhet të hiqemi se gjithçka është në rregull. S’ka njeri që nuk ndjen turp, kur kujton gjithë ato padrejtësi dhe projekte që u bënë kundër një populli të tërë në këtë vend. S’ka njeri që nuk i ndjeu ato plumba e ato shkopinj gome të shoqëruara me bombat e gazit, në Brodec, në Shkup pas Smillkovcës, në Sfillarë, në Kumanovë, gjithandej ku u nëpërkëmb dinjiteti i shqiptarit.

Dikur ecnim me kokën lart nga krenaria. Sot atë kokë na e kanë ulur pikërisht ata që duhej të na përkrahin. Ky popull është i fortë, shumë më i fortë nga ai imazh që kanë krijuar dy tre liderë të korruptuar, të cilët ende po ndodhen në dehjen e pushtetit që populli ua ka dhënë me plot besim. Kohëve të fundit gjithnjë e më tepër po na zvogëlohen bangat shkollore, migrimi ritet, rinia po shterpet…

Të shkelësh mbi besën dhe gjakun e derdhur, është njësoj si të dënosh një popull në përulësi. Edhe pse verdikti moti është shqiptuar, ky vend ka djem dhe vajza që nuk do ta pranojnë asnjëherë atë. Përkulja ska qenë asnjëherë veti e jona.

Tek ne është krijuar një përshtypje, se i çmenduri dhe budallai, që të dy kanë gjë të përbashkët. Nuk u bëhet vonë kush i udhëheq. Ashtu si i dobëti dhe i pashpresi, çdo shqiptar ka një vizion triumfi. Por ky triumf tek ne, ka kohë që nuk na vjen në realitet, por vetëm në tribuna partiake, para militantëve, që fatin e tyre e lidhin me një rrogë për të cilën as që punojnë.

Njëzet vite më parë, shqiptari e jepte jetën e nuk e lejonte që ti nëpërkëmbet dinjiteti. Por sot, është krijuar përshtypja se dinjitet është jeta luksoze me gardërobë të shtrenjtë e makina të shpejta. Vallë ku humbën gjithë ato parime morale, për të cilat ishim të gatshëm të japim jetën. Si kemi mundur të bëjmë gjithë këtë transformim pa e kuptuar fare thelbin e nevojës së transformimit, nga njerëz të moralshëm në njerëz hallexhinj ku na nëpërkëmb kush të dojë e si të dojë, pa pasur kush të na mbrojë.

Duke e lënë popullin të vuajë në varfëri të skajshme, e duke i destinuar paratë për projekte të pakuptimta plastike milionëshe e makineri përgjuese e shtypëse, politikanët arritën që të minimizojnë deri në heshtje fjalën e intelektualëve, profesorëve, arsimtarëve, dijetarëve dhe njerëzve me vullnet të mirë. Por kur mbushet gota e zullumit, fillon e derdhet ai, sepse në një vend ku ka presion, aty ngrihet edhe potenciali. Në një vend që ka potencial, ngriten edhe shpresat, e aty ku ka shpresë, ka edhe zgjidhje, sepse vetëm aty ku ka zgjidhje, njerëzit mund ti hapin sytë e ti thonë jo përulësisë e mbretit me një sy…