LAJMI I FUNDIT:

Personaliteti në moshën e adoleshencës

Adoleshenca është mosha me modifikime të gjithanshme në planin biologjik, psikologjik dhe shoqëror. Në këtë fazë ëndrrat marrin rrugë. Është moshë e dehjes pa pasur nevojë të pijë, që e bën Platonin të përcaktojë rininë si dehje shpirtërore. Është mosha që i beson më shumë fatit e horoskopit, e shumë më pak vetes së tyre, vullnetit të tyre. Është moshë ankthi e paniku sesi do të vlerësohen nga të rriturit dhe çfarë niveli shoqëror do të arrijnë në jetën e tyre.

Perceptimi shoqëror ndikon dhe luan një rol të rëndësishëm për motivimin apo frenimin e zhvillimit të individualitetit të adoleshentit.


Suksesi, realizimi i dëshirave dhe qëllimeve, janë preokupimi kryesor i çdo njeriu për të arritur në jetë, por të pakët janë ata që e arrijnë në mënyrë të plotë. Suksesi është i shumanshëm, ashtu siç janë edhe marrëdhëniet shoqërore. Ka njerëz që arrijnë sukses në mësime apo në punë tregtare, por janë “pafat” me vajzat apo me gratë e tyre me të cilat nuk kanë harmoni, kështu që lumturia e tyre do të çalojë. Ka të tjerë që arrijnë ta fitojnë lumturinë e tyre, por nuk iu ecin për së mbari punët në karrierë

Në shoqëri ka një domethënie për secilin nga ne. Është mjedisi në të cilin lindim, rritemi, zhvillohemi, edukohemi. Në formimin e personalitetit të adoleshentit ndikimi i shoqërisë është i madh dhe shumëplanësh, por në fakt ndikimi i shoqërisë është mjaft i madh jo vetëm te adoleshentët, por tek çdo qenie njerëzore. Adoleshenca është ai segment i jetës i cili ravijëzon personalitetin, këndvështrimin dhe pozicionin e qenies njerëzore, pra me fjalë të tjera është kufiri mes të qenurit i vogël drejt rrugës për tu rritur.

Pavarësisht jetës tonë personale, ne jemi pjesë e një grupi te caktuar shoqëror (vendi i punës, ambient i shkollës, ambienti ku banojmë) ku përpiqemi të shfaqim virtytet që ne kemi, por shpeshherë pa dëshirën dhe vullneti tonë shfaqim dhe veset tona. Kështu dhe deformimet e ndryshme që mund të pësojë personaliteti nuk duhen parë dhe analizuar të shkëputura nga grupi në të cilin ne bëjmë pjesë.

Në zhvillimin e sotëm të shkencës dhe teknikës, edhe shoqëria njerëzore njeh evoluimin e saj, ndaj dhe komunikimi masiv sot është zgjeruar e shtrirë aq shumë në dëm të komunikimit ndërpersonal, të afërt e intim mes njerëzve. Përqindja e personave që kalojnë orë të tëra para kompjuterit duke biseduar me të njohur e të panjohur vjen gjithnjë në rritje, çka nënkupton një kompjuterizim të gjithë shoqërisë.

Një rol të veçantë në personalitetin e adoleshentit luan kryesisht familja, fal mënyrës së komunikimit të vendosur mes prindërve dhe adoleshentit. Të dyja palët përjetojnë një ndjenjë paniku se çfarë do të sjellë jo vetëm e ardhmja e largët, por edhe e ardhmja e afërt, madje e menjëhershme. Pra, familja vazhdon të luajë rolin primar në edukimin e adoleshentit. Ajo formon jo vetëm përfytyrimet fillestare për të mirën dhe të keqën, por edhe për atë që lejohet e nuk lejohet, si dhe bazat e edukimit moral. Prindërit duhet të jenë këshillëdhënës të mirë, sepse familja është institucion bazë ku realizohet formimi i adoleshentit.

Pjesë e shoqërisë së individit e veçanërisht adoleshentit është edhe ambienti shkollor, segment i jetës i cili luan një rol specifik në krijimin e personalitetit, duke mos harruar të theksojmë që etapa e adoleshencës përkon me një kohëzënie të madhe në shkollë. Shkolla është e ndjeshme dhe më objektive në vlerësimin e pozitës së re të adoleshentit. Komunikimi i tij në shkollë merr rëndësi të veçantë, sepse aty nxënësi vërteton pretendimet për nivelin e ri të statusit social që ka arritur më shpejt dhe më lehtë se në familje. Këto synime dhe dëshira i realizon ne komunikim me mësuesin dhe me moshatarët.

Pikërisht për këtë arsye, bota e qytetëruar i kushton rëndësi të veçantë edukimit të adoleshentëve. Një fidan i shëndoshë i ka të gjitha gjasat të jetë një pemë e shëndoshë, prandaj është nevojë e veçantë, sidomos e prindërve të kenë kujdes gjate edukimit të tyre, sepse siç dihet, fëmija bazën e shëndoshë të edukimit e merr në fëmijëri.