LAJMI I FUNDIT:

Përcaktohet përbërja e Këshillit Ekonomik Social

Përcaktohet përbërja e Këshillit Ekonomik Social

Ky komision është organ i nivelit nacional i cili do të merret me udhëheqjen e konsultimeve nga lëmi i marrëdhënies së punës, mirëqenies sociale dhe çështjeve tjera për politikat ekonomike në Republikën e Kosovës.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke u bazuar në Rregulloren mbi Degën e Ekzekutivit të Institucioneve të Kosovës dhe në përputhje me këtë rregullore, duke marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit për verifikimin e dokumentacionit të punëmarrësve (sindikatave) dhe të organizatave të punëdhënësve ka nxjerr vendimin me të cilin përcaktohet përbërja e Këshillit Ekonomik Social (KES) të Republikës së Kosovës.

Në këtë këshill institucionet e Republikës së Kosovës do të përfaqësohen nga ministrat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale; Ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave; Ministri i Tregtisë dhe Industrisë; ai i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe nga Ministri i Shëndetësisë.

Organizatat e punëmarrësve do t’i përfaqësojnë tre anëtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe dy anëtarë të Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës.


Kurse në këtë organ interesin e organizatave të punëdhënësve do t’i përfaqësojnë tre përfaqësues nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe dy përfaqësues nga Aleanca Kosovare e Biznesit.

Mandati i kryesuesit të KES-it dhe anëtarëve tjerë të këtij organi do të rregullohet sipas dispozitave ekzistuese ligjore të Qeverisë së Republikës së Kosovës. /telegrafi/