Nga: Ismail Kadare
Që Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë të vihej në lidhje krahasuese me një lavire, kjo do të më dukej kundruallsi tejet vulgare, siç janë zakonisht metaforat e shpërdorura, sidomos pas rënies së komunizmit. E megjithatë, mendimi se si mund të shkruhej saktë historia e Lidhjes (së paku historia e saj midis viteve ’62-’67), prej kohësh më shoqërohej aty për aty nga kujtimi i gruas me emrin Margaritë. Më dukej e pamundur të shkëputesha prej saj, siç ndodh shpesh me kujtimin që sjell një aromë e largët. Margarita ishte një prostitutë. Shtëpia e saj ndodhej në një rrugicë të shkurtër, që dilte te Rruga e Dibrës, pak a shumë në të njëjtin nivel, ku dilte edhe rrugica, në fundin e së cilës ndodhej Lidhja e Shkrimtarëve, në krahun kundruall.
Kisha dëgjuar se pas projektimit prej një arkitekti francez të një ndërtese moderne, në qelqnajën e së cilës pasqyrohej katedralja përballë, një gjë e tillë nisi të bëhej e modës. Megjithatë, ishte e vështirë të krijohej një lidhje shëmbëllimi e diçkaje, e aq më tepër e një institucioni, me një grua që banonte përballë, vetëm për shkak të kësaj rastësie…
Që e njoha Margaritën për arsyen e thjeshtë se Lidhja e Shkrimtarëve ndodhej pikërisht kundruall rrugicës së saj, kjo ishte jashtë çdo dyshimi. Në trotuarin e djathtë të Rrugës së Dibrës ishte një mëngjesore e vogël, ku në ditët e nxehta gazetarët e rinj që punonin në Lidhje, merrnin zakonisht ndonjë gotë birrë. Ngjitur me të ishte një tregtizë private frutash. Aty për herë të parë pashë Margaritën. Ishim duke dalë nga lokali, kur dikush më tha me zë të ulët: “Kjo është Marga, që banon përballë”. Diçka më kishte zënë veshi për të, por fare turbull, që e kisha harruar sakaq. Një e ‘atillë’, e modës së shkuar, që jetonte bashkë me nënën në një shtëpizë te rrugica.
Ndryshe nga ç’e kisha menduar, ishte rreth të tridhjetave, me një fustan të hollë vere që e tregonte edhe më të re. E panxirë nga dielli, pa kurrfarë shenje vulgariteti, me flokë gështenjë, që i krijonin ca dredhka të buta te qafa, njëfarë Ane Kareninë, por pa Vronsk dhe pa goditjen e hekurt të vagonit hekurudhor, në vend të të cilit kishte marrë një fat gruaje të përdalë në një shtet komunist ballkanik, në fillim të viteve ’60.
Ndërsa ktheheshim në Lidhje të Shkrimtarëve, dëgjoja me vëmendje kureshtitë që tregonte kolegu ynë për të. Ishte prostituta më me klas të lartë në Tiranë dhe, me sa dukej, e vetmja. Një çudi e vërtetë se si kishte mbetur ende në këtë vend. Klientët i kishte të zgjedhur, zakonisht me njohje gojë pas goje. I mbante gjithë natën. Në orën 3 të mëngjesit, nëna ua sillte kafenë të dyve, asaj dhe atij. Shpërblimin prej 1000 lekësh klienti e linte kujdesshëm poshtë nënkresës. Rrallëherë më kishte qëlluar të përpija me aq etje hollësitë e një tregimi.
Pak kohë më parë, sikur dikush të më thoshte se do të shastisesha kështu pas një femre të modës së shkuar, nga ato, fotografitë e të cilave gjendeshin shpesh në albumet e familjeve të vjetra qytetare, me kapele e me vel të pikëzuar, disa herë në fundajën e ndonjë gondole, aty për aty do të shqyhesha gazit. Paskëshe qenë një matuf i fshehur, do t’i gërmushesha vetes, një lolo sentimental i maskuar pas pantallonave të modës. Të rruaçin pulovrat me dy ikse sipër, simbole të shekullit XX, të rruaçin edhe profkat e tjera për t’u pëlqyer vajzave.
I mendoja këto e megjithatë në asnjë cep të ndërgjegjes sime nuk qasej dyshimi se po vjetrohesha. Përkundrazi, në mënyrë të turbullt më dukej se kishte diçka të mirëfilltë, diçka tepër të re e moderne, në këtë pasion të ri.
Në Moskë, prej nga isha kthyer para një viti, kisha kaluar një krizë të ngjashme, por kjo e tanishmja ishte më e thellë. Kishte lidhje me një thelb prej të cilit fshihej tjetër gjë: tipi i femrës që më tërhiqte. Si në një krisje të gëzueshme akujsh, në mendjen time u kthjellua një e vërtetë që, me sa dukej, kishte kohë që përgatitej: vajza që njihja, ato trupe e barqe të lëmuar nga sporti, ekskursionet dhe pishina, m’u dukën befas shterpa e pa mister në krahasim me trupin e përfytyruar të Margaritës.
Pas mesnate, nuk di sa ishte ora, ndoshta pikërisht koha kur nëna e saj u çonte kafenë e dytë në shtrat, më kishte dalë gjumi e po përpiqesha të merrja me mend zhartierat e saj të zeza, të hedhura në fund të shtratit, si dhe mëndafshin e lodhur të mbathjeve, pas dashurisë.
Një zi zhartierësh zonjash të një tjetër kohe, në mendjen time bie si muzg…
Mendimi për të shkuar te rrugica përballë gjallonte brenda meje i këndshëm, por i mbështjellë me një mjegull penguese. Si të merresha vesh me të? Ku ndodhej rrjeti që ia gjente klientët?
Nganjëherë më dukej se kurrfarë rrjeti s’mund të kishte, ngaqë gjëra të tilla quheshin të rrezikshme, megjithatë edhe e kundërta, vajtja tek ajo ashtu thjesht, pa një marrëveshje, s’mund të bëhej. Ishte ndoshta nëna e saj, me anë mikeshash të vjetra besnike, ato që nuk mungonin kurrë në rruginat e Tiranës, që ia siguronin vizitorët. Ndoshta xanxa për Margaritën do të më zbehej shkallë-shkallë, si shumë gjëra të tjera, sikur të mos e ndeshja përsëri te shitorja e frutave…
Do të shkoja patjetër te Margarita. Kisha ndjesinë se këtë vendim e kishte marrë gjithë qenia ime, që nga truri e gjer te qendra e trupit tim. Edhe kur një pjese të kësaj qenieje i binte vrulli, ishte pjesa tjetër që e shtynte drejt mëkatit. Dhe, për habinë time, shtytësi nuk ishte gjithmonë mishi.
Ndryshe nga të gjitha ato që quheshin aventura dashurie, kur faza e parë: njohja, shoqërimi në rrugë ose në kafe, ose dërgimi i një letre, ishin gjëra gjithsesi të lehta, kurse i panjohur mbetej gjithmonë përfundimi, domethënë ajo që në mënyrë vulgare quhej “shtirja në dorë”, në këtë rast ishte kjo e fundit që ishte siguruar, kurse vështirë, gati e pamundur ngjante faza e parë: rënia në përkitje me Margaritën. Duhej të ishte një hartë tjetër e Tiranës, me adresa dhe kode të tjera, që ne nuk i njihnim.
Një mbrëmje, pasi kthyem nga një gotë birrë te bar “Voza”, mua dhe shokun tim të redaksisë, i vetmi me të cilin e kishim bërë bisedën e M., siç e quanim tani midis nesh, këmbët po na çonin si padashur në drejtimin ku duhej të ishte shtëpia e saj. Nga Rruga e Barrikadave dolëm në atë të Dibrës dhe atje unë e mbaja mend shumë mirë rruginën ku ajo ishte futur herën e fundit, me ato këmbë me gishta me manikyr ngjyrë ëndrre…
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Historia e gjakmarrjes së madhe në Tokën e Shenjtë, shqiptari që tentoi të ndalte Rothschildët dhe sulltani që lejoi krijimin e Izraelit

Ryshfet dhe mashtrim: Shpëtimi i 1,200 hebrenjve nga Oskar Schindler gjatë Luftës së Dytë Botërore

Historia e panjohur e pasardhësve të Skënderbeut

Petro Marko: Na ndau Greqia e regjimi shqiptar, se gjaku i himarjotëve është shqiptar
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Viti 1919: Konferenca e padrejtësive

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

"Shfrytëzimi që kanë dashur të bëjnë në kurriz të dhimbjes time" - operimi që iu premtua në BBVK 3 nuk u realizua, Anisa Veseli përfundon në polici?

"Po jam në kontakt me Eglin", Livia thyen heshtjen për gjendjen e Eglit pas daljes nga shtëpia e Big Brother VIP Albania 4

Notat e lojtarëve: Atletico Madrid 1-0 Real Madrid, dështon Vinicius

Ushtria amerikane kryen lëshim ajror të trupave në veri - patrullim rutinor në kufirin me Serbinë

Real Madridi eliminon Atleticon përmes penalltive, në çerekfinale takohet me Arsenalin

'Heroi i vërtetë' i PSG-së përballë Liverpoolit qëndronte pas Alisson Becker