LAJMI I FUNDIT:

Për të mos u sëmurur nga kanceri i gjirit

Për të mos u sëmurur nga kanceri i gjirit

Faktorët që ju rrezikojnë; Si ta shmangni; Duke u vetëdiagnostikuar; Dhe duke bërë kontrolle të herëpashershme.

Pavarësisht se nuk bën pjesë në tumoret me shkallë rrezikshmërie të lartë, tumori i gjirit është një sëmundje që prek kryesisht femrat, sidomos pas moshës 35 vjeç. Sipas statistikave, në 100 mijë femra 44 prej tyre rrezikojnë të preken nga tumori në gji.

Por duket se me kapjen e shpejtë dhe diagnostikimin në kohë, kanceri i gjirit mund të kurohet dhe pas shërimit të plotë, mundësia për të vazhduar një jetë normale është e sigurt, pa harruar konsultimet e herëpashershme me mjekun. Dhe nuk është aspak e vështirë.


Përveç konsultave dhe vizitave tek mjeku specialist, edhe ju vetë mund të vetëdiagnostikoheni dhe të drejtoheni tek mjeku në rast se vëreni diçka të dyshimtë që ju shqetëson.

Vetëdiagnostikimi, ka të bëjë me shikimin dhe prekjen. Një femër që i ka kaluar të 20 vjetët duhet të mësojë që një herë në muaj të bëjë një kontroll të imtësishëm të gjirit. Për ta bërë këtë, duhet të zhvisheni nga mesi e lart, të dilni para pasqyrës dhe të shikoni me vëmendje nëse të dy gjokset kanë madhësi të barabartë (duke marrë parasysh që disa femra e kanë vetë një gji më të madh se tjetri), nëse qëndrojnë të dy në të njëjtin nivel.

Nëse vini re se njëri prej gjinjve është më i rënë apo më i vogël, duhet të drejtoheni menjëherë tek specialisti.

Pa harruar të shikoni me vëmendje edhe kokrrat, të cilat duhet të kini parasysh që gjithmonë duhet të jenë në qendër të gjoksit. Pastaj ngrini duart lart dhe shikoni nëse vini re ndonjë tërheqje të lëkurës apo nëse njëri nga gjinjtë ngrihet më lart se tjetri. Më pas filloni të bëni një kontroll të imtësishëm me dorë. Me gishtat e dorës filloni të bëni lëvizje nga poshtë lart mbi sipërfaqen e gjirit si në figurë, dhe pastaj lëvizje në formë rrezesh në qendër të gjirit. Nëse gjatë prekjes dora ju kap ndonjë kokërr apo diçka tjetër të dyshimtë, tregon se ju nevojitet një vizitë tek mjeku specialist.

Në formimin e kancerit në gji ndikojnë disa faktorë dhe më kryesori prej tyre është seksi. Femrat janë gjithmonë më të predispozuara për të pasur kancer gjiri. Por kjo nuk do të thotë se meshkujt përjashtohen. Rrallë, por ndodh që edhe një burrë të ketë tumor në gji. Megjithatë përqindja është shumë e vogël, rreth 1,4 për qind.

Faktor tjetër risku është mosha. Me rritjen e moshës rritet edhe mundësia për t’u prekur. Kryesisht kufiri fillon nga 35 vjeç e lart. Pa lënë mënjanë edhe trashëgiminë. Në shumë raste kanceri i gjirit mund të jetë i trashëgueshëm nga nëna tek vajza apo nga njëra motër tek tjetra.

Qëndron gjithmonë i pranishëm rreziku kur njëri prej gjinjve ka pasur tumor, mundësitë janë dhjetë herë më të larta që tumori të prekë edhe gjirin tjetër. Kështu që ato femra që janë kuruar më parë nga një tumor në gji, duhet që herë pas herë të bëjnë vizita dhe konsulta tek specialisti për të mbrojtur gjirin e shëndoshë.

Edhe rrezet jonizuese janë të rrezikshme. Bëhet fjalë për rreze të shkaktuara p.sh. nga aparatet e radioskopisë, por pas moshës 40 vjeç ky rrezatim është i papërfillshëm. Ndër faktorët kryesorë bëjnë pjesë edhe ata endokrinë dhe riprodhues.

Si për shembull mosha e ardhjes së menstruacioneve. Risku është më i madh kur menstruacionet kanë ardhur rreth moshës 12 vjeç dhe më i vogël pas moshës 16 vjeç.

Gjithashtu edhe menopauza përbën një faktor rreziku që shtohet me lënien e hershme të menstruacioneve. Pa harruar këtu edhe lindshmërinë. Duket se lindja para moshës 20 vjeç dhe e sa më shumë fëmijëve, kthehet në mburojë mbrojtëse për kancerin në gji.

Por edhe kontracepsioni duhet marrë parasysh si faktor, kur vazhdohet gjatë dhe fillohet në moshë shumë të re. Ndoshta nuk e dinit, por edhe dieta luan rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen ndaj tumorit të gjirit.

Dieta hiperkalorike dhe e pasur me yndyra shtazore duhet të zëvendësohet me ushqime të lehta me bazë frutash dhe perimesh, për të qenë më të sigurta. Gjithashtu obeziteti përbën një nga shkaktarët e prekjes së tumorit në gji. Gratë mbi peshë duken më të rrezikuara nga tumori në gji.

Simptomat

Cilat janë disa nga simptomat e prekjes së mundshme nga tumori në gji? Ndër simptomat më kryesore bën pjesë ndryshimi i gjirit, i madhësisë ose i formës, tërheqja e lëkurës ose plagë të ndryshme, spostim apo sekrecione nga kokrra e gjirit si dhe gjëndra të dukshme në zonën e sqetullave.

Diagnostikimi

Ndër metodat e diagnostikimit të kancerit në gji e para është ekzaminimi klinik, që ka të bëjë me vetëdiagnostikimin me anë të shikimit dhe prekjes, që duhet të fillojë pas moshës 20 vjeç.

Kurse sa i përket diagnostikimit nga mjeku specialist, një metodë shumë e përdorshme është mamografia, që ka të bëjë me këqyrjen e gjirit në një aparaturë të specializuar.

Shkalla e saktësisë së mamografisë është 85-90 për qind. Diagnostikimi me metodën e mamografisë nuk këshillohet para moshës 35 vjeç dhe në periudhën e shtatzënisë.

Ekografia është një metodë shumë e përdorshme për të rënë në gjurmë të kancerit në gji dhe citologjia, që ka të bëjë me ekzaminimin e materialit të shkëputur nga zona dyshuese. Diagnostikimi me metodën dhe citologjisë jep 90-95 për qind siguri.

Është e këshillueshme që vetëdiagnostikimi të bëhet një herë në muaj, vizita klinike tek specialisti një herë në gjashtë muaj, kurse mamografia çdo dy vjet.

Mjekimi

Pas rënies në gjurmët e tumorit në gji janë disa mënyra mjekimi. E para është kirurgjia që ka të bëjë me heqjen e tumorit dhe nyejve limfatike duke ruajtur gjirin. Kimioterapia e cila aplikohet pas operacionit, por edhe para tij, gjithashtu edhe hormonoterapia dhe terapia radioaktive.

Megjithatë gjithmonë duhet të mbani parasysh se kanceri i gjirit në pjesën më të madhe të rasteve është i shërueshëm dhe mundësia e vazhdimit të një jete normale është më se e sigurt.

Faktorët e rrezikut: Seksi. Mosha. Trashëgimia. Kanceri i njërit gji. Rrezatimi jonizues. Menopauza. Lindshmëria. Kontraceptivët. Dieta. Obeziteti/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori