LAJMI I FUNDIT:

Për një monument lirie

As lapsi hyjnor e as kjo tastaturë e bekuar kompjuteri nuk mund ta shpreh madhështinë e heroinave për të cilat dua të flas. Ndoshta do të mendoni se po flas për heroinat e kombit tonë ndër shekuj. Për ato trimëresha që me jetën dhe veprat e tyre i kanë dhënë nder kombit dhe kanë hyrë në përjetësi. Ato vajza e gra që na kujtohen nga emrat e rrugëve, monumentet e ndryshme apo nga emrat e shkollave dhe institucioneve tjera. Mirëpo, kësaj radhe, dua të kujtoj një grup të madh femrash shqiptare që kanë ardhur dhe po shkojnë nga kjo jetë duke mos kërkuar nga ne asnjë favor, asnjë çmim, asnjë shpërblim. Janë gra anonime, pa emra, pa nishan, që ngadalë po bëhën “specie në zhdukje”. E pikërisht ato, mendoj unë, duhet të trajtohen si monumente të gjalla lirie dhe identiteti.

Në këtë grup, afërsisht dhe duke mos tentuar të caktoj kufij artificialë në mes moshave, janë gratë shqiptare që kanë lindur në mes viteve 1910 dhe 1960. Afërsisht, janë gjyshet dhe nënat e gjeneratës që tashmë e ka barrën kryesore në shtetbërjen dhe në jetësimin e lirisë sonë. Ato gjyshe të mrekullueshme, shumica nga të cilat kanë shkuar nga kjo botë, pa e parë një ditë lirie, dhe ato nëna të mrekullueshme, që po plaken tashmë dhe nuk janë të sigurta se a ka ardhur liria e vërtetë apo jo (ky dyshim vjen nga ndjenja e hollë që ato kanë për të lexuar fytyrat tona, për të kuptuar brengat tona, për të cilat ato kanë jetuar dhe ende jetojnë).


Ato gra që vajzërinë e tyre e kanë filluar me një zi të tmershme buke (të parat me urinë e luftës së parë botërore dhe të dytat me urinë e “vishakut”) dhe që kanë ëndërruar nusërinë në një kohë më të mirë, ato janë heroinat tona. Me gërshetat e pastra sikur shpirtërat e tyre, të kërrusura në vekun e tyre, ato kanë çëndisur, përveç artit, edhe lirinë. Lirinë e shpirtit të tyre dhe lirinë e atyre, për të cilat këto kanë jetuar. Kanë filluar nusërinë në kohë të egra dhe pa marrë parasysh nga gjuha e huaj, që i ka ngulfatur burrat e tyre, këto u kanë kënduar djepave ninanana në gjuhën e ëmbël shqipe.

Të pandikuara nga shkretëtira komuniste, gjyshet dhe nënat tona janë shëndërruar në “fjalorë” ku janë ruajtur mijëra fjalë e shprehje të gjuhës shqipe, që as profesorët e gjuhës shqipe nuk i dinë tashmë. Burrat e tyre kanë shkuar në burg për shqipen dykrenare, por ky shpend ka vazhduar të qëndrojë krenar në qilarët e këtyre heroinave, ku është ruajtur qejzi i tyre artistik. Ngjyrat e saj dhe të sfondit ku rrin krenare shqiponja, kanë qenë ngjyrat e para që fëmijët kanë mësuar. Edhepse i tërë kombi ka qenë i zënë në kurthën e një “hapësire për jetë të zhveshur”, këto gra kanë dhënë shumë dashuri. Ato na kanë mësuar dhe vazhdojnë të na mësojnë se çfarë është dashuria e vërtetë për babain, për vëllain, për burrin, për fëmijën, për të afërmin…

Kur kohët ndryshonin dhe meshkujt detyroheshin të vishnin uniforma e rroba të të tjerëve, këto gra vazhdonin të ruanin me xhelozi veshjen më madhështore që një femër mund të ketë. Ato vazhdonin të ruanin traditën dhe atyre u ishte besuar shumë nga ruajtja e zingjirit që na bën sot krenar para botës. Ato janë që kanë ruajtur zakonet e vjetra dhe fisnike, kanë ruajtur forcën e lidhjeve horizontale, të cilat lidhje na veçojnë ende dhe na japin vlerë në këtë kohë të stuhishme asimilimi dhe globalizmi. Si do të ruheshin këngët e ëmbla për të porsalindurin, këngët e bukura për trimin e ri, këngët e papërsëritshme të fejesës e martesës dhe vajet e madhërishme për shqiptarin që po kalonte në një tjetër jetë…pa zërin e ëmbël dhe gjithmonë të qetë të këtij grupi anonim të grave shqiptare?!

Dhe kur meshkujt shtrëngoheshin të anashkalonin tradita shekullore, ishin gjyshet dhe nënat tona që merrni primatin e konzervimit dhe “ajrosjes” së këtyre visareve. Nipave e mbesave, bijave e bijve, në netët e gjata të dimrit, këto gra fisnike u pëshpëritnin në vesh për vlerat njerëzore, etike, kombëtare e fetare që duhet t’i ketë njeriu. Derisa burri i saj ishte jashtë duke luftuar t’i mbijetojë stuhisë asimiluese, kjo grua dhe kjo nënë vazhdonte luftën e saj brenda shtëpisë. Derisa burri i saj ishte i detyruar të mos përcillte rite fetare dhe shpirtërore, jashtë “fesë” së re që kishte pllakosur gjithçka; derisa (paramendoni) burrat punonin për Bajram dhe Kërshëndella e Pashkë, duke u shtirur se nuk po u dhemb kjo fare, gjyshet dhe nënat shqiptare, me këmbëngulje ua mësonin duatë (shqiptarëve myslimanë) dhe uratat (shqiptarëve të krishterë) për Krijuesin, duke e mbushur shpirt një epokë të zezë e të zbrazët komunizmi. Me një sakrificë titanike, ato vazhdonin të agjëronin dhe të falenderonin për jetën, të cilën e falnin për të tjerët, pa kërkuar asnjë kompenzim për vete.

Janë këto gra që kanë pritur në shtëpi burrat e tyre të vrarë, pa nxjerrë një zë dëshpërimi. Janë këto gra që nuk kanë vënë kujën edhe kur shtëpitë kanë mbetur pa bukë e fëmijët e tyre s’kanë pasur gjë për të veshur në mungesë të baballarëve që dergjeshin në burgje. Janë këto heroina që kanë qëndruar burrërisht (nuk e di se a tregon kjo ndajfolje atë që dua ta them) kur djemtë e tyre janë kthyer në arkivole të gozhduara. Janë këto gjyshe dhe këto nëna që kanë varrosur vajzat e djemtë, nipat e mbesat dhe kanë vazhduar të luftojnë dhe të përpiqen që zingjiri i këtij kombi të mos këputet. Janë këto amazona që në ditën e fundit të shtatzanisë dhe në ditën e parë të lehonisë, kanë punuar tërë ditën përkrah burrit. Duke rrezikuar veten dhe pa asnjë kujdes mjekësor, këto trimëresha kanë bërë luftën më të madhe: kanë shtuar shqiptarët në këto troje.

Krejt këto, dhe shumë të tjera që s’i zë letra, i kanë bërë, dhe gjyshet e nënat tona nuk kanë kërkuar asgjë si kompenzim. Të mësuar në këtë shekull të vështirë, me heronj të shumtë, sidomos të gjallë, dhe të mësuar t’u japim nderin e respektin e pakushtëzuar, shpeshherë duke u penduar pastaj, ne mund të ndjejmë çudi nga kjo. Mirëpo një gjë është e sigurt: gjyshet dhe nënat tona që meritojnë respektin tonë më të madh si heroina të këtij kombi, po perëndojnë dhe ato nuk kanë kërkuar dhe vazhdojnë të mos kërkojnë asgjë nga ne. Asgjë!

Në varrin e gjysheve po rritet bari. Në fytyrën e nënave tona po shtohen rrudha më të thella! Nuk e di se a janë të qeta gjyshet në varre dhe nuk e di nëse nënat tona janë të kënaqura me ne. Rrugë të reja po shtrohen dhe monumente të reja po ngriten për të gjithë ata që kanë dhënë diçka nga vetja për këto ditë. Jam i bindur se monumenti më i madh i lirisë dhe identitetit shqiptar u takon pikërisht këtyre grave shqiptare. Nëse, për shkak të numrit të madh të tyre, është e pamundshme një permendore fizike, le t’ua ndërtojmë nga një monument në zemrat tona! Ato e meritojnë t’i ruajmë përjetë aty!

Në trend

Më shumë
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Ballkani me fitore ndaj Llapit feston titullin e kampionit në

Ballkani me fitore ndaj Llapit feston titullin e kampionit në "Zahir Pajaziti"

Superliga
U raportua se tregoi para Policisë së Serbisë të dhëna për UÇK-në, Durmishi: Është dokument i falsifikuar, jo deklaratë e imja - nuk shantazhohem dot nga UDB-ja

U raportua se tregoi para Policisë së Serbisë të dhëna për UÇK-në, Durmishi: Është dokument i falsifikuar, jo deklaratë e imja - nuk shantazhohem dot nga UDB-ja

Lajme
Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Bosnja
Goditen grupet kriminale në Shqipëri, sekuestrohen pasuri në vlerë 4.5 milionë euro, arrestohen 50 persona

Goditen grupet kriminale në Shqipëri, sekuestrohen pasuri në vlerë 4.5 milionë euro, arrestohen 50 persona

Lajme
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Kalo në kategori