LAJMI I FUNDIT:

Për Kurban Bajram, Ferronikeli shpërndan pako me ushqim

Për Kurban Bajram, Ferronikeli shpërndan pako me ushqim

Në prag të festës së Kurban Bajramit, ndërmarrja e NewCo Ferronikeli së bashku me Komunën e Drenasit bënë shpërndarjen e 80 pakove me ushqim , për familjet me kushte të rënda ekonomike.

Me këtë rast përfaqësuesit e Kuvendit Komunal të Drenasit, falënderuan NewCo Ferronikelin për bashkëpunim në projekte të ndryshme duke kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve , në fusha të ndryshme. “Falënderojmë NewCo Ferronikelin e në veçanti menaxhmentin e saj të cilët po shprehin solidaritet me rastin e festës së Kurban bajramit. Ne si komunë , në kuadër të bashkëpunimit që kemi me NewCo Ferronikelin në shumë fusha po ashtu kemi arrit që të realizojmë edhe këtë aktivitet sot pra shpërndarjen e ndihmave për banorët”, tha Skender Hasi , përfaqësues i Kuvendit Komunal të Drenasit dhe njëherazi edhe koordinator i komunës për këtë projekt me Ferronikelin.

Ndërkaq Drejtori Menaxherial i NewCo Ferronikelit, Ioannis Moutafis , në një fjalim të shkurtër përpara qytetarëve të pranishëm , tregoi për përkushtimin që Kompania e tij ka ndaj komunitetit të Drenasit dhe për bashkëpunimin e mirë në projekte të ndryshme me Komunën e Drenasit.


Ai më konkretisht tha se “Në këtë ditë të rëndësishme , po përpiqemi që me këto ndihma sado të vogla që vijnë nga ana jonë, të bëjmë të mundur që kjo festë të vij këtë vit sa me e madhe dhe sa me e gëzueshme në familjet tuaja . E gjitha kjo po arrihet, fal një bashkëpunimi të mirë që kemi me Komunën e Drenasit. Kompania NewCo Ferronikeli e ka dëshmuar diçka të tillë pasi edhe në të kaluarën kemi arritur të bashkëpunojmë , me projekte të ndryshme me Komunën e Drenasit që prekin mirëqenien e banorëve”, tha Moutafis.

Po ashtu Moutafis u zotua para qytetarëve të rajonit të Drenasit që projekte të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Në fund përfaqësuesit e NewCo Ferronikelit dhe Komunë së Drenasit ju uruan festën e Kurban Bajramit të gjithë të pranishmëve, të cilët edhe shprehen falënderimet e tyre

Pakot ushqimore që u shpërndan sot përbëhen nga: 50 kilogram miell, vaj, sheqer, oriz e ushqime të tjera elementare./Telegrafi/