LAJMI I FUNDIT:

Pensione për kosovarët që kanë punuar në Maqedoni

Pensione për kosovarët që kanë punuar në Maqedoni

Maqedonia dhe Kosova do ta shqyrtojnë mundësinë për firmosjen e marrëveshjes bilaterale në sferën e sigurimit social. Për këtë qëllim sot në Shkup mbahet takimi punues i grupeve eksperte nga Maqedonia dhe Kosova, të cilat diskutojnë për tema nga sfera e sigurimit social.

"Shpresoj se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve marrëveshja do të jetë gati dhe do të mund të përurohet solemnisht", deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale i Maqedonisë Xhelal Bajrami.

Ai nuk mund të saktësonte se sa është shifra e shtetasve të Maqedonisë që punojnë në Kosovë dhe sa kosovarë punojnë në Maqedoni.

"Është fakt se Maqedonia dhe Kosova rezultojnë nga një ish-shtet i përbashkët dhe në atë kohë një numër i madh i qytetarëve nga Kosova punonin këtu dhe shumë qytetarë të Maqedonisë kanë punuar në Kosovë. Statusi i tyre rreth pensionimit ende nuk është zgjidhur dhe pikërisht kjo është njëra prej arsyeve për vendosjen e kësaj marrëveshjeje", tha Bajrami.


Të dyja palët e kanë potencuar nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve për rregullimin e çështjeve të lidhura me sigurimin social, gjegjësisht realizimin e të drejtave nga sigurimi pensional dhe invalidor, sigurimi shëndetësor, të drejtat në bazë të papunësisë së përkohshme dhe çështjet tjera.