LAJMI I FUNDIT:

Partneriteti…

“E respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha zoti Sejdiu duke njoftuar opinionin për dorëheqjen e tij si President, i cili zgjidhet nga parlamenti. Fatmir Sejdiu u përkul pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese javën e kaluar se ai nuk mund të shërbejë njëkohësisht si kryetar i shtetit, kryesisht ceremonial dhe, si udhëheqës i partisë së tij politike, e cila është partner më i vogël në qeverinë e koalicionit. Presidenti i Kosovës i cili dha dorëheqjen menjëherë pas kthimit nga SHBA, arriti të qetësoj situatën potencialisht destabilizuese në skenën politike para se të fillojnë bisedimet me Beogradin, i cili ende refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas kërkesës së ngritur të një grupi deputetësh (31) për të qartësuar pozitën e tij kushtetuese. Kushtetuta e Kosovës e hartuar sipas Marrëveshjes Ahtisaari është shkelur seriozisht disa herë nga partnerët në koalicion dhe qeveria e Kosovës, duke mos e mbrojtur sovranitetin e saj territorial.

Edhe pse e paqartë kushtetuta lë hapësirë të interpretimit politik dhe juridik, edhe pas instalimit të presidentit të ri si ushtrues detyre Jakup Krasniqit, i cili aktualisht ka pozitën e kryeparlamentarit dhe sekretarit të përgjithshëm të PDK-së. Kushtetuta nuk jep ndonjë sqarim ligjor-ceremonial, të zëvendësimit institucional të presidentit të ri, as që ka ndonjë rregullore të veçantë për ushtruesin e detyrës së presidentit. Krejt kjo do të duhej të bëhej në një seancë të jashtëzakonshme, por për të gjitha këto as që ka menduar trupi i gjykatësve, duke lënë zvarrë çështjen e zëvvendësimit konstitucional. Përndryshe e tëra kjo nuk lihet si mundësi e shtrimit të debatit tematik në parlament si organi më i lartë legjislativ i Kosovës. Procedura e caktimit të presidentit të vendit dhe e dorëheqjes apo shkarkimit të tij duhej të ishte temë debati, në një situatë politike paksa relaksuese. Për këtë është dashur të mendonin edhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, ngase nuk sfidohet pozita e vendit për një çështje që veç paska qenë e njohur qe sa vite.


Nëse presidenti i vendit është zgjedhur në bazë të marrëveshjes së partnerëve në koalicion, për të siguruar 2/3 e votave të deputetëve, apo të 60+1 të votave, në herën e tretë, është dashur në po të njëjtën procedurë të kalonte kërkesa e mendimit për kushtetutshmëri para se lënda të kalonte në Gjykatën Kushtetuese; të jepej mendimi se a mundet presidenti i vendit të mbante funksionin e presidentit dhe pozitën e ngrirë të kryetarit të LDK-së. Realisht sipas këtij vendimi anakronik të Gjykatës Kushtetuese të gjitha institucionet e vendit, të nominuara, përfshirë atë të kryeministrit dhe qeverisë, paskan qenë jo legjitime, ngase presidenti i vendit paska bërë shkelje “serioze” të Kushtetutës, duke vënë në mëdyshje edhe aktin e shpalljes së pavarësisë, pastaj pranimin e saj nga 70 shtete, duke vënë në pikëpyetje vendimet tjera shumë të rëndësishme, apo verdikti i Gjykatës, deri në momentin e bërjes publike paska qenë legjitim dhe, a kishte ndonjë rëndësi për Gjykatën fakti se presidenti i vendit është zgjedhur para se të hynte në fuqi Kushtetuta, hartues i së cilës ishte edhe vet presidenti Fatmir Sejdiu.

Çështja e shtruar është shumë e rëndësishme, ngase juridikisht është e paqartë kush kontrollon punën e Gjykatës Kushtetuese, nëse verdikti i saj i nënshtrohet presionit politik. A po i vihet kapak treshit barabrinjës të tre pushteteve demokratike në vend, atij ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësorë, apo njëri po u vënë “kapuç” dy të tjerave. Krahasimet janë të ndryshme, njëra ndër to është shumë krahasuese me atë në SHBA, menjëherë pas vrasjes së John F. Kenedy, në Dallas, skandali “Watergate” apo skandali Lewinsky, për të cilin u votua në senatin amerikan “50:50” për të shkuar apo mos shkuar lënda në Gjykatën Supreme të SHBA-së. Vota e Al Gores si vice president i SHBA-ve ishte vendimtare, presidenti Clinton u lirua nga gjykimi i Gjykatës Supreme.

Në rastin konkret të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës “versus” presidentit Sejdiu vendosi Gjykata, duke u anashkaluar mendimi i parlamentit të Kosovës, si organi më i lartë i pushtetit në vend. Kërkesa e 31 deputetëve të parlamentit u shqyrtua ngutshëm duke mos i lënë aspak hapësirë presidentit të vendit të jep sqarimin e tij. E tëra që rrodhi më pastaj u bë temë e debatit në rrugë, kafene, në gazeta, në televizion, kudo… A e merituan këtë parodi qytetarët e Republikës së Kosovës, të një loje të ulët politike, tash jo-politike si procesi i “Zanzibarit”, por tashmë vendimtare Gjykata Kushtetuese V presidenti Fatmir Sejdiu: kush “fitoi”? Sigurisht jo logjika juridike, por ajo politike po-se-po.