LAJMI I FUNDIT:

Parafestum gërshetimesh

Me shkas, edhe Ne do ta kemi një festival filmi si “glamurozitet”. I nevojshëm dhe i vonuar. Megjithatë, duhet ta kemi. Pikëtakime dhe refleksione ndërmjet Festivalit të Durrësit dhe këtij të Prishtinës…

“Pikëtakime” ndërmjet dy qyteteve dhe dy manifestimeve: Në Prishtinë, në këto ditë t’i quajmë të filmit, në një anë, në repertorin e kinemasë së vetme të kryeqytetit është shfaqur filmi premierë “The Taking of Pelham” (“Rrëmbimi i trenit Pelham”), ndërkaq pritet të shfaqet filmi “Slumdog Millionaire”, e në anën tjetër fillon edicioni i parë i një Festivali Ndërkombëtar të Filmit.


Në Durrës nuk ka kinema! Për pak kohë është aktivizuar kinemaja e qytetit, por në përpjekjet private, ajo pas një kohe “u shua”! Është Qendra e Kulturës! Dhe, në kuadër të saj, Teatri “Aleksandër Moisiu”. Dhe, në 2 amfiteatro d.m.th. te Teatri “Aleksandër Moisiu” dhe amfiteatri i hapur romak mbahet edicionet e Festivalit të Filmit Veror. PriFest Film mbahet në Teatrin Kombëtar të Kosovës!

Pikëtakimet: Në PriFest film shfaqet një nga fituesit e Gladiatorit të edicionit të parë të Festivalit të Durrësit: “Koha e Kometës”.
Filmat në Durrës janë shfaqur në Teatrin “Aleksandër Moisiu”! Atje nuk ka kinema! Filmat e PriFestFilmi-it do të shfaqen në teatër! Në Prishtinë ka kinema! Bile edhe rezervë që i ndërrohet destinacioni, a hesht!

Festivalin e Prishtinës e financon edhe Ministria e Kulturës, sikur edhe Festivalin e Durrësit. Në Durrës për vetëm dy edicione ka sjellë projekte filmash të njohur, pastaj kineastë të njohur si Jiri Menzel, Paolo Sorrentino. Në Prishtinë pritet të vijë aktorja britanike legjendare, fituese e çmimeve Oscar e Golden Globe, Vanessa Redgrave.
Përpjekjet për prezantimin e kinematografisë shqiptare e ka një përgjasim. Derisa në Durrës u shfaq një film në konkurrencë dhe është dhënë retrospektivë filmi i Anagnostit (në edicionin e parë janë rishfaqur të gjithë filmat fitues të 12 edicioneve të Festivalit të Filmit Shqiptar, që tashmë pak flitet për të), në Prishtinë nuk ka konkurrim filmash nga Kosova, po megjithatë do të shfaqen projekte filmash shqiptarë! Dhe, nga Kosova.

Një festival që duhet ta kemi: Në pritje të filmit “Gomarët e kufirit”! Edhe pse festivali është shtyrë për muaj të tërë, filmi i Jeton Ahmetajt nuk e kapi dot këtë manifestim! Shpresojmë se do të kemi projekte serioze së paku një herë në 3 vjet! Do të donim t’i dinim edhe “përplasjet” pse PriFilm Fest-i nuk mbahet në kinema! Ndoshta jemi në prag të Hollywood, kur dihet se ceremonia e ndarjes së Oscar-ëve mbahet në Kodak Theatre. Ajo është ceremoni, ndërsa Ne kemi Festival. Megjithatë, shpresojmë se në edicionin jubilar e pas-jubilar filmat e një festivali të shfaqen në kinema! Kuptohet, nëse ruhet destinacioni i kinemave deri atëherë!

P. S.
Pikëtakimet si reflektim:
Në librin “Ftesë në studio”, Kadare shkruan për një analogji ndërmjet Lasgushit e Beketit. Që të dy për Kadarenë ishin dyzuar në jetën dhe veprën e tyre letrare. Që të dy, njëri në poezi e tjetri në dramaturgji, ishin të kursyer. Enigma e tyre prosedeike letrare dhe “publicitetit” hermetik mbetën kodet e tyre universale në veprën e tyre, por që kritika e gjen analizën e vet për studime të pashtershme. Tek askush, më shumë se te të dy këta shkrimtarë, vërejmë “boshllëqe”, që vetëm “ardhmëria e pafundësisë studimore” e gjen shpjegimin. Këtu qëndron edhe fuqia e imagjinatës intelektuale. Edhe vetë portretet e tyre, pamja e tyre fizike e intelektuale, sikur bashkëdyzojnë, bashkëpërputhen dy figura, të pazbërthyera deri në fund. Ata nuk morën asgjë në varr. Ata morën me vete imazhin, sjelljet, intelektin, “shikimin”, mendimin sa ishin të gjallë. Ata ishin të kursyer në dekla(ri)mimet e tyre publike. Ata ishin të kursyer në vetvete. Dihet, për arsye të ndryshme: Beketi mori pjesë në luftë, Lasgushi jo. Beketin avangard e hermetik e bëri moderniteti, ndërkaq Lasgushin diktatura.