LAJMI I FUNDIT:

Papunësia globale në rritje

Papunësia globale në rritje

Papunësia globale parashikohet në rritje gjatë pesë viteve të ardhshme. Sipas një raporti të Organizatës ndërkombëtare të punës, vetëm gjatë vitit 2015, numri i të papunëve pritet të rritet me 3 milionë. Për të mbyllur atë që organizata e cilëson si hendekun e papunësisë globale, do të duhet që brenda vitit 2019 të krijohen rreth 280 milionë vende të reja pune.

Ky numër është pikërisht ai i vendeve të punës të humbura që prej fillimit të krizës financiare botërore. Situata në drejtim të punësimit është përmirësuar ndjeshëm në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar apo Japonia. Rajoni i cili sipas raportit të organizatës është cilësuar si problematik dhe ku ka pasur regres të theksuar, mbetet Europa. Sidmos në Europën Jugore, papunësia e të rinjve mbetet një ndër çështjet që duhet të gjejë zgjidhje emergjente.

Politikat e ndjekura deri më tani për t’iu përgjigjur një sfide të tillë kanë qenë të vakëta. Në fillim të vitit 2014, Komisioni Europian njoftoi një skemë të re garancie për të rinjtë në mënyrë që të nxiste punësimin, por janë parë vonesa të theksuara në implementimin e kësaj skeme. /Telegrafi/