LAJMI I FUNDIT:

Papërcaktueshmëria

Papërcaktueshmëria

Sami Haliti

Fjalën e kam për pa përcaktueshmërinë politike të opinionit publik shqiptar, me theks të veçantë në Kosovë, në kontekst të orientimin politik tradicional, i manifestuar si majtizëm apo djathtizëm. Është opinion konsonant, konsideroj se edhe i arsyeshëm, se skena politike në Kosovë nuk është e profilizuar në aspektin programorë politik dhe e njëjta më shumë identifikohet me emrat e personave të cilët kanë arritur të jenë në majat e strukturave (piramidale) të ndikimit social dhe politik.


Realisht duhet pranuar faktin se roli liderëve nuk mund të përjashtohet, pasi që çfarëdo organizimi shoqëror, aq më parë politik, patjetër duhet të ketë një lider. Por, ajo çka vlen për të vënë në pah, është se skena politike, konkretisht profili politik i partive politike, paraqitet i mjegullt. Për të qenë i saktë, ai më tepër është vetëm deklarativ. Kjo ndodhë ngase liderët politik ose nuk kanë njohuri lidhur me profilizimet politike, gjë që nuk është për të u besuar, ose nuk kanë guxim ta shpalosin orientimin e tyre të mirëfilltë politik, gjë që është më afër të vërtetës.

Në fakt, për të e zbuluar origjinën e këtij konfuzioni, nuk mund ta anashkalojmë faktin se edhe vet baza (substrati) politik nga ku derivon legjitimiteti i liderëve politikë, fatkeqësisht nuk ka pësuar zhvillime politike në mënyrë procesuale, gjë e cila do të ishte reflektuar me një strukturim elementar, respektivisht një diferencim politik elementar. Kjo është kështu ngase shoqëria shqiptare kurrë nuk arriti të jetë subjekt i proceseve puro politike, për të pasur arsye për të qenë në njërin apo tjetrin tabor politik, apo identifikohet me to, kjo për shkakun e thjeshtë se ishte përherë e pushtuar. Edhe identifikimi me komunizmin edhe ai me fashizmin ishte i imponuar e jo opsion programorë politik.

Duke mos mundur të anashkalosh këtë fakt, që mendoj se është edhe kryesori, konsideroj se është vështirë të gjesh një orientim politik (le të themi të sigurt), me të cilin, posaçërisht konsideroj se kjo vlen për shqiptarët e Kosovës, do të mund të ndiheshin komod me përcaktimin e tyre politik, kjo ngase, për fatin e keq të tyre, që të dy orientimet politike tradicionale, pra e djathta dhe e majta, i sollën mjaftë fatkeqësi dhe asnjëri nga ta nuk mund të mbetet pa u kritikuar. Dhe, kur them kritikuar mendoj të kritikohet rreptë dhe me bazë të gjerë arsyetimi, për shkak të aspekteve të errëta që ishin pasojë e veprimeve të tyre.

Si djathtizmi po ashtu dhe majtizmi u sollën probleme edhe shoqërive dhe kombeve të zhvilluar, por amortizmi te to ishte më i lehtë dhe më i mundshëm (në raport me shqiptarët) për faktin e se te to në kontekst të zhvillimeve politike të shekullit të kaluar, ishin krijuar rregulla dhe tradita politike (që te shqiptarët ende mungojnë, posaçërisht kur vjen fjala te respektimi i tyre) më të konsoliduara të një karakteri shtet formues. Sistemet përkatëse në shoqëritë e zhvilluara, me gjithë tragjeditë individuale dhe grupore që sollën, megjithatë arritën të konsolidohen, elementi ky i cili jo vetëm që u mungoi, por u mungon shqiptarëve ende, e kjo manifestohet sidomos te ata jashtë shtetit shqiptar, por sigurisht se edhe te ata brenda shtetit, krejt kjo për shkak të vonesës faktike në procesin e shtetformimit.

Pra, ishin proceset reale shoqërore dhe politike që ndodhën te shqiptarët në përgjithësi, dhe te ata të Kosovës në veçanti, që ndikuan në një zhvillim jo normal të formimit të profileve politike, sepse kalimi nga një feudalizëm i vonuar, fillimi i shekullit të kaluar, në një eksperiment të madh dhe të vrazhdët politiko shoqërorë që quhej socializëm (derivim i majtizmit) ishte një kërcim jo normal dhe shumë i shpejtë, shikuar nga të kuptuarit e procesualitetit shoqëror. Prandaj, si konsekuencë, kemi një skenë politike e cila brenda shtetit shqiptarë megjithëse pak më e diferencuar nga aspekti i orientimit programor politik, është aq i elektrizuar dhe polarizuar sa që ende është në një antagonizëm thuajse parapolitik dhe i ngjason zhvillimeve politike te mesit të shekullit të kaluar, diferencim ky i cili nuk derivon zhvillime evolutive politike të cilat do të reflektonin zhvillime përmbajtësore progresive, por të shumtën manifestohet me liderizëm tekanjoz politik.

Mungesa e parimësisë është rezultat i stërtheksimit të senzualitetit dhe emotivitetit shqiptar. Abstraksioni si kusht elementar i krijimit të sistemeve shoqërore funksionale dhe stabile, i cili nënkupton heqjen dorë konkretizimi dhe impulsiviteti sensual, rrjedhimisht manifestohet me mungesë të parimeve e cila kompensohet me individualizëm vulgar dhe romantizëm individualist pseudo-heroik.

Aq më tepër kjo reflektohet në skenën politike të Kosovës. Në fakt ende, jo edhe pa të drejtë, dështimet organizative programore politike, si dhe orientimet specifike politike, justifikimin e tyre e gjejnë në pushtimin jugosllav. Pa dyshim se ky arsyetim e ka logjiken e vet, pasi që opinioni i vërtetë politik në Kosovë, ose u ndikua nga majtizmi jugosllav ose nga ai shqiptar, përderisa djathtizmi politik më shumë ishte një anti-jugosllavizëm se sa një djathtizëm parimorë. Në fakt ka edhe gjurmë të cilat tregojnë polarizimin politik të shqiptarëve edhe në mbretërinë jugosllave. Kjo ngase shqiptarët, kushtimisht thënë, pos Skënderbeut kurrë nuk kishim një mbret.

Rrëfimi për rojalizmin shqiptar nuk paraqet sot e kësaj dite diçka serioze e kjo ngjanë nga turbo-metamorfizmi nga një feudal në zë përmes një presidenti transit deri te një mbret i pakonsoliduar, Ajmet Zogu, kur dihet se të shumtën (por jo përherë) tradicionalisht burimi dhe justifikimi i djathtizmit fillesa i ka nga rojalizmi.

Por, duhet pranuar se edhe djathtizmi shqiptar ka pasur figura cilat në kushte normale shoqërore-politike do të mund të ishin ekuivalent me elitat evropiane, por për faktin se ata patën fatin të veprojnë në kushte okupimi, d.m.th në kushte të një politizimi të skajshëm majtist (jugosllav apo shqiptar), veprimtaria e tyre përfundoi me aktivitete celulash dhe qëndisje famujsh.

Ky procesualitet i munguar në fakt është baza e një dezorientimi politik, jo vetëm të parisë politike, të cilat ose kanë trashëgimi komuniste (jugosllave apo shqiptare) dhe paraqiten si djathtistë, ose kanë orientim majtist po nuk e manifestojnë të njëjtin, pasi që majtizmi në realitetin aktual historik është aq i diabolizuar sa që paraqet rrugën e vështirë për sukses në një karrierë politike, gjë që besoj se manifestohet edhe si presion nga opinioni publik .

Paradoksaliteti shqiptar i profilizimit politik manifestohet kur p.sh nga intelektualët e shumtë dëgjojmë të flitet me pietet për demokracinë dhe liberalizmi dhe kur njëkohësisht me këtë ata nënkuptojnë edhe barazi ekonomike (demokracia dhe liberalizmi në fakt nuk e presupozojnë barazinë ekonomike) apo edhe me opinione deklarative liberal-demokrate, por me besimin se shteti duhet të jetë adresa kryesore e zgjidhjes së problemeve. Natyrisht se këto nuk shkojnë, së paku në kontekstin tradicional europerëndimor.

Kjo shkarje duhet tejkaluar duke bërë hapin e parë drejt një diferencimi politik elementarë. Askush si liberal-demokrat nuk duhet pres që shteti të jetë akteri i cili do të jetë adresa ku zgjidhen të gjitha brengat tona, pasi që politikat djathtiste europërëndimore nuk presupozojnë këtë dhe nga ana tjetër kur deklarohemi si majtistë (gjë që nuk është në trend posaçërisht në Kosovë) duhet ta pranojmë faktin se disa nga politikat e majta, si. p.sh shkollimi i detyrueshëm, barazia gjinore, barazia sociale, sigurimi shëndetësorë, kontratat kolektive, ndihmat sociale, mandej dita tetorëshe e punës (gjë që në Kosovë ngjan vetëm në sektorin publik etj.), me gjithë faktin se derivojnë nga ideja majtizmit politik (nga ku derivoi edhe komunizmit), megjithatë duhet pranuar se ishin gjë e mirë për njerëzimin dhe lirinë e individit .

Në këtë kontekst duhet ditur se përqafimi i djathtizmit do të thotë se do të kemi sektor publik (thuajse në të gjitha sferat) jo efektiv i cili kryesisht do të jetë shumë hapa pas atij privat gjë që në gjuhen e jetës konkrete do të thotë se një (apo shumë) fëmijë të talentuar dhe të varfër do të amortizohen në shkolla, trajtohen në spitale, dhe do të kenë shtëpi jo të mira, dhe jetë kualitativisht inferiore, në raport me një apo shumë fëmijë jo edhe aq të talentuar, që për shkak se janë djali apo vajza e babit ekonomikisht të pasur, do të trajtohen nga shkolla dhe spitale privatë kualitative, të pa arritshme për të varfrit, dhe do t’i kenë shanset më të mëdha për të e rritur ndikimin e tyre social, e pastaj edhe përvetësimin e pushtetin. Krejt kjo për shkakun e një pabarazie ekonomike e cila imponon pabarazi edhe juridike e edhe sociale dhe politike. Fakti se miliarderët varen nga centët apo votat e të varfërve që janë shumicë, tregon sa jo superiorë mund të jenë ata në sferat tjera të jetës. Dihet se shpeshherë fuqia ekonomike e blenë lirinë politike (Karl Popper) dhe kjo shkakton defekte serioze sociale ku rrjedhimisht kemi krijimin e elitave udhëheqëse injorante. Ne e shohim përditë se presioni ekonomik (slogani ne krijojmë vende pune) përdoret si mjet i përfitimit politik.

Civilizimi europerëndimor (si cak deklarativ i yni) i ka tejkaluar këto dilema pasi që në mënyrë përmbajtjesore është ballafaquar me këto probleme dhe konkrete, qoftë të reflektuara si dështime, por edhe mësime nga pësimet. Sot kemi komplimentarizimin e tyre, çka do të thotë se kemi djathtizëm të korrigjuar me elementë majtiste (rasti kur mbreti holandez interesohet për politika sociale) dhe vice versa (kur laburistët e majtë nuk e kontestojnë legjitimitetin e mbretërisë në Mbretërinë e Bashkuar). Kjo për faktin se aplikimi i politikave puro majtiste ka sjellë vazhdimisht një burokratizim enorm të sektorit publik të stërngarkuar dhe me rritje enorme të tij (Franca) e krejt kjo duke e shkuar kjo në llogari (dëm) të fleksibilitetit dhe efikasitetin organizativ social, por edhe të vet ngufatjes së shtetit ku si rrjedhojë vjen edhe ngufatja e iniciativës individualiste, përderisa djathtizmi ka sjellë vazhdimisht iniciativa dhe efikasitet social, por njëkohësisht edhe diferencim dhe polarizim të thellë shoqërorë (klasor, racor), shpeshherë jo human, ku faktori ekonomik nuk lejon mobilitetin social dhe ku mungesa e lirisë ekonomike është justifikuar me lirinë formalo-juridike.

Politikanët në Kosovë kanë ditur dhe po dinë që në mënyrë të zellshme të e shfrytëzojnë si njërën po ashtu edhe qasjen tjetër, por përherë duke u kamufluar pas justifikimeve politike nacionale. Identifikimi i tyre me djathtizmin reflektohet me mungesë të përmbajtjes në këtë drejtim, pasi që si demokrat dhe nacionalist premtojnë barabarësi ekonomike, por janë kundër privatizimit gjë e cila nuk është karakteristikë dalluese e djathtizmit, por e ideve socialiste dhe social demokrate, si dhe nga ana tjetër kemi politikan me orientim majtist, por me synime dhe pretendime nacionaliste gjë që është karakteristikë e djathtizmit, edhe pse mendoj se nacionalizmi te shqiptarët nuk do të ishte aq mëkat i madh pos faktit që tashmë është koncept i vonuar teorik dhe kundër-produktiv në sferën social-politike, në raport me trendët aktualë të globalizmit.

Në fakt, duke i tejlakuar qëllimisht problemet konkrete shoqërore dhe shtetërore, konsideroj se orientimi politik në Kosovë realisht është problematik pasi që nuk kemi ende një zhvillim normal politik, ku legjitimimi i pushtetit do të ngjante nga parime universale humaniste. Shqiptarët ende nuk mund të merren me politika parimore për vet faktin se ende një pjesë e popullatës jeton me anksiozitetin e agresionit në sferën politike dhe të varfërisë (idares) në sferën ekonomike. Fakti e kemi disa milionerë të cilët duan të dëshmohen në politikë, e justifikon faktin se në çfarë krize doktrinare është djathtizmi shqiptarë.

Profilizimi i politikës në Kosovë, por edhe Shqipëri, nuk mund t’i shmanget kolaudimit të partive si të djathta ashtu edhe ato të majta (me emra), por me përmbajtje të njëjtë operimi dhe duke krijuar kushtin e parë drejt një profilizimi politik. Nëse dëshirohet barabarësi ekonomike, duhet të mos na vije turp të identifikohemi me politika të majta. Figurativisht, nga një figurë piramidale ku lartë është lideri i gjithëfuqishëm e poshtë baza, duhet të metamorfizohemi drejt një figure diamanti, ku fuqia do buronte nga një klasë e mesme kualitative e konsoliduar, kritike posaçërisht ndaj liderëve dhe e aftë që në bazë konkurrence të gjenerojë të tillë sa herë që është e nevojshme. Krejt kjo në funksion të krijimit të një shoqërie racionale dhe kritike e cila do të ishte refleksive si ndaj të djathtës, po ashtu edhe ndaj të majtës.

Idetë për shoqëri egalitare (majtiste) dhe rojaliste (djathtiste) duhet të tejkalohen me synime drejt një shoqërie me parime të mirëfillta republikane e cila do të krijonte hapësirë për elementet pozitive, qofshin me profil majtist apo edhe djathtiste të cilat si këtilla janë treguar të domosdoshme në shoqëritë e moderne. Iniciativa individualiste dhe liberal-demokratike dhe filantropizmi social me origjinë socialiste duket se janë komponente reale të cilat nuk duhet anashkaluar nga çfarëdo politike reale.

Ne ende jemi duke votuar për lider, gjë që nuk është mëkat, por faktet flasin se duhet të përgatitemi të votojmë për projekte politike që i ofrohen qendrës dhe që kanë elemente të theksuara ekologjiste.