LAJMI I FUNDIT:

I pamëshirshëm dhe i dëmshëm ishte vesi im për debat, por pastaj ndërhyri mbesa ime

I pamëshirshëm dhe i dëmshëm ishte vesi im për debat, por pastaj ndërhyri mbesa ime
Ilustrim (Lorenzo Rossi/Alamy)

Nga: Sergey Maidukov, shkrimtar ukrainas / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Kam hisen time të ceneve, si kushdo tjetër. As shprehia ime për kafeinë dhe as fiksimi im i pamëshirshëm ndaj ciklit të lajmeve nuk janë tamam vese të mira, por ato ishin thjesht gjëra të vogla në krahasim me fiksimin tim për të pasur të drejtë. Më pëlqente të debatoja për gjithçka – nga ngjyra për të lyer kuzhinën deri te origjina e një thënieje të famshme, apo edhe për diçka aq të parëndësishme sa ajo se çfarë duhet të ha për darkë. Ditë a natë isha gjithmonë gati të grindesha me këdo që kishte fatin e keq të niste një bisedë me mua.

Te sfiduesit e mi përfshiheshin edhe fëmijët e mi, gruaja ime, miqtë dhe madje edhe të huajt. Gjatë këtyre debateve, unë mund të ngacmoja me shaka, të kundërshtoja vrullshëm, apo edhe të sillesha në një mënyrë shpërfillëse superiore. Por, e vërteta ishte se unë kurrë nuk e dëgjoja me të vërtetë këndvështrimin e personit tjetër. Për ndonjë arsye të panjohur, gjithmonë e konsideroja argumentin tim më kompetent dhe përpiqesha ta vërtetoja në çdo mënyrë të mundshme.


Fiksimi im për të pasur të drejtë ka qenë një shtyllë në jetën time dhe shpesh ka shkaktuar telashe në familjen time; kishte momente kur martesa ime u tensionua dhe fëmijët e mi u distancuan. Lufta më e gjatë që pata ishte me prindërit e mi dhe ajo zgjati për gati një vit. Edhe mosmarrëveshjet e vogla kishin prirje të shpërthenin. Kur përpiqesha të ruaja gjakftohtësinë, humbja durimin nga nervozizmi. Nuk e besoja se veset e vjetra janë kaq të qëndrueshme. Vesi im dukej i pavdekshëm. I përjetshëm.

Por, një pasdite me mbesën time – rreth 70 vjet më e vogël se unë – m’i hapi sytë ndaj ndikimit që sjellja ime kishte te njerëzit përreth meje. Ishim duke luajtur një lojë kur ajo bëri një lëvizje që thyente rregullat. E korrigjova, por ajo vazhdoi duke bërë të njëjtin gabim përsëri. I lexova rregullat me zë të lartë dhe e pyeta nëse i kishte kuptuar këtë herë. Ajo më buzëqeshi dhe tundi kokën. “Gjysh, pse i zmadhon gjërat?” – pyeti ajo. “Është thjesht një lojë. Jemi këtu për t’u argëtuar, apo jo?”

Diçka te fjalët e saj pati vërtet ndikim tek unë. Nuk ishim aty për të pasur të drejtë; ishim aty për t’u kënaqur – se kur do të hidhnim zarin ose si do të lëviznim figurat, këto gjëra ishin thjesht dytësore. Ajo që kishte vërtet rëndësi ishte lidhja jonë dhe momentet që ndamë së bashku.

Disa ditë më vonë, djali im erdhi për darkë. Gjatë vaktit, ai dha një pikëpamje që më dukej e pabazë, në mos absurde. Zakonisht, unë do ta kisha futur veten fund e krye në një debat të ashpër me të, gjithmonë duke u ndier në fund fajtor që isha kokëfortë. Por, këtë herë, kur lëviza buzët për t’u përgjigjur, kuptova se e mbusha pirunin me ushqim dhe e futa në gojë, duke e shijuar në heshtje. Fjalët e mbesës sime më jehonin në mendje – ishim mbledhur për t’u argëtuar, apo jo? Vërtet, a ia vlente të prishja mbrëmjen vetëm për të vërtetuar mendimin tim?

Maturia ime më befasoi. Por, ajo që me të vërtetë më mahniti, teksa e dëgjoja, ishte dëshira ime për ta kuptuar. Kjo përvojë më solli një gëzim që tejkalonte shumë kënaqësinë kalimtare të fitores në një debat.

Kur i analizoj gjërat, e kuptoj se dëshira ime për të fituar nuk kishte lidhje me kërkimin e së vërtetës, por me dëshirën për të treguar se isha më i mirë se të tjerët. Doja që njerëzit të më shihnin si njeriun më të zgjuar, më të aftin në dhomë, dhe duke thënë gjithmonë fjalën e fundit unë ndjeja se po i vërtetoja gjërat. Ajo që kuptova ishte se sjellja ime kishte efektin e kundërt. Nuk fitoja respekt apo vlerësim duke qenë kokëfortë. Duke lëshuar pe, fitova shumë më tepër sesa duke reaguar.

Dhe, sa më shumë që e ushtroja këtë, aq më mirë e zotëroja artin e heshtjes. Ajo që nuk mund ta kisha parashikuar kurrë ishte sa do të përmirësohej lumturia ime e përgjithshme – thjesht duke dëgjuar me qetësi të tjerët, pa i ndërprerë dhe pa u bërë tepër emocional. Të mësosh të frenosh muskulin e gjuhës, nuk do të thotë se tani pranoj në mënyrë pasive mendimin e të gjithëve. Por, më ka mësuar të kem një tolerancë të re ndaj dallimeve. Në fund të fundit, askush nuk më detyron të tund kokën në shenjë miratimi për çdo deklaratë. Kur nuk jam i pajtimit me dikë, një ngritje e thjeshtë e supeve ose një përgjigje neutrale si “Kush e di? Ndoshta?” mund të kryejë gjithashtu punë.

Nuk mund të pretendoj se e kam arritur përsosmërinë. Herë pas here ndiej ende një valë të njohur acarimi që vlon, e cila ka potencialin të prishë strategjinë time të maturisë. Por, si me të gjitha gjërat e vështira në jetë, këmbëngulja është çelësi. Sapo kuptova se mund të bëja ndryshime në kontrollin e sjelljes sime, fillova të vërej të gjitha fushat e tjera të jetës që mund të përfitonin nga një akordim i mirë – si të blija një xhemper të ri dhe të vëreja papritur se pjesa tjetër e gardërobës kishte nevojë për rifreskim. Pirja e tepërt e kafesë dhe çajit ishte një nga veset që nuk kishin më efekt tek unë. Sepse, sapo qetësova streset e konflikteve me të dashurit, kuptova se nuk kisha më të njëjtën dëshirë për kafeinën.

Tani e kuptoj se të grindesh në tryezën e darkës është si të zgjedhësh të pish një filxhan kafe ose një gotë verë më shumë, ose të kalosh një orë shtesë (ndonjëherë dy ose tri) në mediat sociale. Këto janë çështje të vetëdisiplinës dhe asgjë më shumë. Në teori, gjithmonë e kam kuptuar këtë koncept, por u desh ndërhyrja e një shtatëvjeçareje që ta zbatoja. Në fund të fundit, ne jemi këtu për t’u argëtuar, apo jo? /Telegrafi/