LAJMI I FUNDIT:

Pesë simbolet e fshehura në pikturat e Vermeerit

Pesë simbolet e fshehura në pikturat e Vermeerit

Nga: Matthew Wilson / BBC
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Këtë muaj, Rijksmuseum-i i Amsterdamit hap dyert për retrospektivën më të madhe – deri sot – të Johannes Vermeerit, duke bërë bashkë 28 nga 37 pikturat ekzistuese të artistit. Është ekspozitë inteligjente, e kuruar me kujdes dhe me stil, dhe një ngjarje që ndodhë vërtetë vetëm një herë në jetë. Ajo që së pari ju prek në ekspozitë është teknika tepër realiste e pikturës së Vermeerit, veçanërisht aftësia e tij e paraqitjes së dritës. Si u jep formë dhe vëllim objekteve dhe se si varietetet e ndryshme të dritës së diellit, të filtruara nëpër xhamat e dritareve dhe me nuancat e shtresës së reve, modifikojnë ngjyrat e objekteve dhe i bëjnë tekstilet të duken thuajse shkëlqejnë.


Por, arti i Vermeerit është si një liqen i mbuluar me akull, ku jeta e fshehur struket nën një sipërfaqe mashtruese të ftohtë dhe të kristaltë. Brenda realitetit vizual, të ndërtuar për bukuri nga artisti, është një tjetër dimension: realiteti i padukshëm i ideve të folura në gjuhën e simboleve. “Për Vermeerin, simbolizmi ishte vendimtar”, tha për BBC Culture, Pieter Roelofs, një nga kuratorët e ekspozitës. Një nga interesimet e kuratorëve ishte se si funksionuan simbolet në artin e Vermeerit – për të komunikuar idetë fetare. “Ndihmuan në paraqitjen e pikturave të tij si një lloj shembulli i virtytit”.

Më poshtë janë pesë objektet, në dukje të rastësishme – një perde, një ngrohëse këmbësh, një xhaketë, tasat e peshimit dhe një sferë xhami – që shfaqin kuptimet më të thella të pikturave të Vermeerit.

1. Perdja te Vajza që lexon letrën pranë dritares së hapur (1657-8)

Vermeeri ishte 25 vjeç kur e pikturoi Vajzën që lexon letrën pranë dritares së hapur. Shënon një kthesë të re në karrierën e artistit, kur ai u largua nga skenat fetare dhe nisi të fokusohej në episodet intime dhe disi introverte nga jeta shtëpiake. Në qendër të kësaj vepre arti është qetësia e heshtur e përthithjes së gruas në lexim. Brezat e artdashësve e kanë admiruar paraqitjen elegante të artefakteve dhe të karakterit njerëzor në pikturë. E, megjithatë, një detaj e thyen qëllimisht këtë iluzion të përsosur.

Perdja e gjelbër që mbulon një të pestën e kompozicionit, paraqitet e varur nga një shtyllë dhe nga unazat e bronzta. Në Republikën Holandeze të shekullit XVII, pikturat shpeshherë mbuloheshin me perde për t’i mbrojtur ato, dhe Vermeeri duket se e kishte përfshirë atë si një trompe l’oeil – truk iluzionist të syrit që na tundon ta shtrijmë dorën dhe ta heqim mënjanë.

Gjithashtu na kujton një histori – të famshme në historinë e artit – të përshkruar te Historia e Natyrës e Plini Plakut (botuar në vitin 77). Ai flet për dy artistë, Zeuksi dhe Parasi, të cilët kishin një konkurs për ta gjykuar piktorin më të mirë. Zeuksi e krijoi një natyrë të qetë ku rrushi ishte aq real saqë kur u hoq mbulesa e pikturës zogjtë fluturuan për ta ngrënë. Kur Zeuksi u përpoq të shfaqte pikturën e Parasit, u habit kur zbuloi se mbulesa në të vërtetë ishte e pikturuar. Perdja e Vermeerit është aludim për këtë histori të njohur për të simbolizuar aftësinë e tij dhe për të na detyruar që ta vëmë në dyshim eksplorimin e iluzionit dhe të realitetit nga arti.

2. Ngrohësja e këmbëve te Mjelësja (1658-59)

Dhoma është e ftohtë dhe e thjeshtë, me njolla të lagështisë në mur dhe një xham të plasaritur. Shërbëtorja është duke bërë një nga aktivitetet më të rëndomta që mund të imagjinohen: të bëjë përshesh nga buka bajate dhe nga qumështi. Megjithatë, ngrohësja e këmbëve në këndin e poshtëm djathtas, e transformon në mënyrë gjeniale kuptimin e imazhit, duke e bërë shumë më tepër se një dokument të jetës së përditshme.

Ngrohëset e këmbëve ishin projektuar për të futur qymyr të nxehtë dhe ato vendoseshin nën fundet e grave teksa ato punonin në shtëpi gjatë muajve të dimrit. Në pikturën e Vermeerit, ngrohësja e këmbëve rri përballë një pllake të lyer me ngjyrë të kaltër që përshkruan Kupidin si perëndi të dashurisë dhe shigjetën e tij të dëshirës. Ky kombinim i simboleve kishte kuptim specifik për audiencën holandeze të shekullin XVII. Në pikturat e zhanrit, ngrohëset e këmbëve simbolizonin epshin sepse ato ngrohnin pjesët e poshtme të trupit. Ato shpeshherë shfaqeshin në kombinim me objektet tjera eufemiste, si p.sh. ibrikët bosh, për të paraqitur disponueshmërinë seksuale të mjelëseve dhe të grave shërbëtore.

Në pikturën e Vermeerit, simbolet e pasionit janë të pranishme, por gjithçka tjetër sugjeron respektin ndaj gruas: ajo shikon larg nesh, trupi i saj është i mbështjellë me rroba të rënda dhe nuk përballet me simbolet e epshit në punët e saj shtëpiake.

3. Tasat e peshimit te Gruaja me peshore (1662-64)

Një grua e re shikon grupin e tasave të peshimit që gradualisht gjenin ekuilibrin e tyre në një dhomë pa zhurmë dhe të mbuluar nga perdet. Objektet në tavolinë bëjnë me dije se ajo di ta çmojë vlerën e monedhave dhe të perlave të ndryshme, por prania e një pikture të varur direkt pas saj na sugjeron një shpalosje më të thellë të ngjarjeve.

Koka e saj errëson pjesën më të madhe të pikturës, por pjesa e sipërme e saj e ekspozuar zbulon Krishtin në Ditën e Gjykimit. Në këtë pikturë-brenda-pikture, Jezusi bën atë që bën gruaja – peshon diçka. Veçse puna e tij është vlerësimi i shpirtrave për Ditën e Gjykimit.

Vermeeri ishte shumë fetar dhe i kodoi disa nga veprat e veta të artit me simbole spiritualiteti. Jetoi në Republikën protestante dhe të devotshme holandeze, por ishte katolik i konvertuar dhe peshorja mund të ishte aludim për besimin e pakicës. Themeluesi i Rendit Jezuit, Shën Injaci i Lojolës (1491-1556), i kishte këshilluar që katolikët e mirë duhet t’i peshojnë mëkatet kundrejt mirësisë së tyre, sa herë që luten: “Më së shumti duhet të jem peshore e balancuar e ekuilibrit të gatishmërisë për të ndjekur rrugën që mendoj se është për lavdinë dhe mëshirën e Perëndisë, të Zotit tonë, dhe për shpëtimin e shpirtit tim”.

Gjatë gjithë jetës së tij, Vermeeri në mënyra të ndryshme ishte i ndërlidhur me jezuitët: besohet se me gruan e vet u martua në një kishë jezuite afër qytetit të tij të lindjes në Delft, dhe se njërit prej djemve të tij madje i vuri emrin e Injacit – sipas themeluesit të jezuitëve.

“Vermeeri ishte i mbingarkuar nga katolicizmi”, thotë Pieter Roelofs për BBC Culture. “Kishte të paktën shtatë vajza dhe pikturat që krijoi mund të kenë funksionuar si një lloj shembulli për fëmijët e tij në shtëpinë e tij”.

4. Tekstilet te Vajza me vathë perle (1664-67)

Vajza me vathë perle duket si imazh tjetër i një momenti të shkurtër natyralist. Është shembulli i një “tronie”: zhanër holandez i artit që shfaqte një figurë të paidentifikuar me kostum interesant. Mbulesa e saj e kokës kishte për qëllim ta shfaqte si personazh ekzotik ose antik, ndërsa perla për të përcjellë pastërtinë shpirtërore ose bukurinë tokësore. Xhaketa e saj është bërë nga një tekstil i ylbertë që duket të jetë gri/kaltër në zonat me hije dhe e praruar në dritën e drejtpërdrejtë. Në kohën e Vermeerit, paraqitja e tekstileve shkëlqyese kishte interes të veçantë për koleksionistët që vlerësonin piktorët për aftësinë e tyre për t’i evokuar ato në art. Babai i Vermeerit punonte në tregtinë e tekstileve, duke i dhënë artistit një kuptim të hershëm për bukurinë dhe rëndësinë e rrobave të çmuara.

Vermeer dihet se e ka përdorur gjuhën simbolike të artit të definuar në librin për alegoritë të shkruar Cesare Ripa, Ikonologjia, që u përkthye në holandisht në vitin 1644. Te Ikonologjia, figura e Pitturës – “Pikturë” – përfaqësohet nga mëndafshi me ngjyrat që ndryshojnë në dritë. Modeli i Vermeerit është gjithashtu i zbukuruar me tri ngjyrat kryesore që janë baza e zanatit të një piktori – buzët e kuqe dhe veshjet e verdha dhe të kaltra. Në pikturën e Vermeerit, gruaja e re – e pikturuar me gojë të hapur dhe duke na parë drejtpërsëdrejti për të shtuar dëshirueshmërinë për të – kthehet thuajse zhduket në errësirë. A është ajo mishërim i vetë artit, idealet e përsosura të të cilit janë gjithmonë të paarritshme?

5. Sfera qelqtë te Alegoria e Besimit (1670-74)

Besimi fetar i Vermeerit shprehet më shumë në pikturën e tij të fundit alegorike, Alegoria e besimit. Personazhi kryesor është personifikimi i katolicizmit dhe pamja dhe gjestet e saj janë marrë edhe një herë nga Ikonologjia, këtë herë nga një figurë që tregon “Besimin”.

Por, sfera e qelqtë mbi kokën e saj nuk gjendet në libër dhe studiuesve iu deshën dekadat për të kuptuar se çfarë do të thoshte. Në vitin 1975, historiani i artit Eddy de Jongh e zbuloi emblemën – e përfaqësuar pikërisht si në Alegorinë e besimit që pezullohet nga një fjongo – në një libër të titulluar Emblemat e Shenjta të Besimit, Shpresës dhe Bamirësisë të jezuitit flaman Willem Hesius. U shoqërua me një moto: “Kapton atë që nuk e mban dot”.

Një varg i shkurtër në libër shpjegon se sfera është si mendja e njeriut. Në reflektimet e tij panoramike, “universi i gjerë mund të shfaqet në diçka të vogël” – dhe po ashtu “nëse beson në Zot, asgjë nuk mund të jetë më e madhe se ajo mendje”. Sfera simbolizon ndërveprimin e mendjes me Zotin.

Mund të shtohet se të gjitha pikturat e Vermeerit janë gjithashtu si sferë, duke kapur ngjarje dhe ide kalimtare në sipërfaqet e sheshta dhe duke i vulosur ato për pasardhësit. Me gjithë aftësinë e jashtëzakonshme të pikturave për kapjen e realitetit, Vermeeri gëzoi sukses shumë modest derisa ishte i gjallë. Krijonte rreth dy piktura në vit dhe shuma e vogël e parave që mund të fitonte prej tyre nënkupton se nuk mund të siguronte jetesën vetëm duke pikturuar.

Ndoshta arti i tij na tërheq më shumë në shekullin e furishëm XXI, sepse ofron një ndjenjë unike të prehjes. Në skenat e Vermeerit, koha duket se ngrin në dritën e kristaltë të diellit dhe heshtja zbret si peshë e vdekur. Por, një botë e gjallë simbolesh pulson nën sipërfaqe: ide të rëndësishme të përhershme për artin, dëshirën, materializmin dhe spiritualitetin, të kapura nga Vermeeri dhe që janë në pritje të zbulimit. /Telegrafi/