LAJMI I FUNDIT:

Organizohet BarCamp Prishtina #29

Organizohet BarCamp Prishtina #29

Edicioni i 29-të me radhë i BarCamp Prishtina po vjen! Ky edicion i sponsorizuar si rëndom nga IPKO Foundation do të mbahet të martën, më 24 shkurt 2015 në ora 17:30 në teatrin Oda.

Gjatë viteve që lamë pas, BarCamp Prishtina ka arritur të sjellë pranë jush folës eminent me tema inovative dhe ka krijuar një komunitet që nxitë vlera të mira dhe ide kreative mes qytetarëve të Prishtinës.

Ky edicion i BarCamp Prishtina sjell tre folës me storie interesante rreth rrugëtimeve dhe profesioneve të tyre duke ngjallur kështu edhe diskutime rreth problemeve që hasen në këto të fundit.

Duke filluar nga Fitim Uka, Lirie Lokaj, e deri te Gani Bajraktari, folësit do të na shpalosin përvojat e tyre gjatë në profesionet adekuate.

Fitim Uka, një psikolog që synon të studiojë inteligjencën e fëmijëve dhe aftësitë e tyre vetë-rregulluese, do të shpalosë rrugëtimin e tij drejt psikologjisë, dështimet e sukseset, e përvojat e hidhura e të lumtura.

Lirie Lokaj, psikologe në përfundim të masterit të dytë në fushën e Psikologjisë Klinike dhe Shëndetit në Universitetin e Prishtinës. Liria do të na flasë më shumë rreth profesionit të saj, sfidën që e përcjellë aplikimi i psikoterapisë në Kosovë si dhe për këshillimin online sikurse ueb faqja nukjevet.net, si formë alternative e shërbimeve të shëndetit mendor për të rinjtë në Kosovë.

Gani Bajraktari, PhD, Doktor i Shkencave të Mjekësisë, Profesor i Asocuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, do të na flasë rreth përvojës së tij si kardiolog, Drejtor Klinike në Klinikën Interne në QKUK, Dekan në Fakultetin e Mjekësisë, si dhe rreth eksperiencave e aktiviteteve të shumta shkencore.

Pasi që BarCampet iu ofrojnë njerëzve një vend ku ata mund të ndajnë ide dhe tregime interesante personale, ky BarCamp do i sigurojë pjesëmarrësit me biseda e ide të frytshme.

Nëse dëshironi të jeni pjesë e një përvoje të këndshme, ejani të martën në teatrin Oda nga ora 17:30.