LAJMI I FUNDIT:

Ora mbështet prodhuesit e mishit

Ora mbështet prodhuesit e mishit

Sipas ORA-së, ky udhëzim i dëmton mishtarët e Kosovës, duke rrezikuar falimentimin e kompanive dhe mbylljen e 4 mijë vendeve të punës.

Drejtues të Partisë Reformiste ORA, i kanë mbështetur sot protestat e prodhuesve të mishit, ndërsa nga Qeveria e Kosovës kanë kërkuar që të shfuqizojë urgjentisht udhëzimin administrativ për importin e mishit.

Kryetarja e Partisë Ora, Teuta Sahatqija ka kritikuar Udhëzimin, siç e quajti ajo “diskriminues”, Administrativ 07/09, ndërsa ka përkrahur protestat e punëtorëve, të kompanive të mishit, dhe të sindikatës dhe kërkon urgjentisht që të ç’fuqizohet plotësisht ky “udhëzim antikushtetues dhe diskriminues”.

“Udhëzimi administrativ 07/09 është udhëzim diskriminues që nuk punon në dobi të shtetit të Kosovës, as në dobi të kompanive vendore, as në dobi të punëtorëve e aq më pak përkujdesjen ndaj shëndetit të popullatës. Po të ishte Kryeministri vërtetë i brengosur për shëndetin e popullatës do të jepte prioritet shëndetësisë, do të kishim shëndetësinë më kualitative dhe sigurimet shëndetësore”, tha Sahatqija, në konferencën e rregullt për media.


Sipas saj, ka shumë masa me të cilat mbrohet shëndeti i popullit po jo me dorëzimin e gjithë ushqimit që hyn në shtet në dorë të një kompanie e të një pronari të kompanisë i cili në mënyrë gjeneroze do ta falënderon Qeverinë.

“Diskriminimi i këtillë nuk është i vetmi, të kujtojmë vetëm një, tenderin për ngritjen e imazhit të Kosovës në botë, diskriminimin e kompanive tona dhe dhënien e tenderit kompanisë së huaj “Saatchi&Saatchi”, e cila deri tash nuk bëri asgjë për paratë që i mori”, theksoi Sahatqija. /telegrafi/