LAJMI I FUNDIT:

Olldashi: Zona e rrezikut në tunelin e Kalimashit, 50 metër, e dinim që do shembej

Olldashi: Zona e rrezikut në tunelin e Kalimashit, 50 metër, e dinim që do shembej

Në vijim të komunikimeve që Ministria e Punëve Publike,Transportit dhe Telekomunikacionit ka mbajtur me shtypin, me të gjithë qytetarët, për problemet e hasura në tunelin Thirrë – Kalimash, Ministri Sokol Olldashi tha se situate tashmë është nën kontroll të plotë dhe drejt stabilizimit.

“Në saj të masave emergjente të marra, në respekt të udhezimeve të eksperteve, galleria e veriut është siguruar në gjendje të qëndrueshme dhe ajo e jugut (ku ndodhi rrëshqitja) ka një përmirësim të ndjeshëm”, u shpreh Olldashi.
Sipas tij, kontraktori së shpejti do të fillojë implementimin e Projektit të ri për stabilizimin dhe zgjidhjen definitive të galerisë jugore në bazë të rekomandimeve të ekspertëve të pavarur të angazhuar për zgjidhjen e situatës.

“Me duhet të ripërsëris faktin që fenomeni gjeologjik i tunelit të Thirrës, ka qenë i paparashikueshëm, por jo i panjohur për ne. Per t’i dhëne zgjidhje problemit shumë më parë se të ndodhte rrëshqitja, kemi angazhuar ekspertët më të mirë e më të spikatur të inxhinierisë boterore si Dr. Sauer Bureau nga Austria dhe Muller & Hereth nga Gjermania”, u shpreh ministri.

Në bazë të rekomandimeve të grupit të ekspertëve, u shpreh Olldashi, të supervizorit kroat IGH, menaxherit britanik të projektit, Roughton dhe ekspertizës së pavarur, ne vendosëm mbylljen e tunelit, një muaj përpara shëmbjes në galerinë jugore.


“Bëmë sigurimin e domosdoshëm dhe të menjëhershëm të hyrjeve të tunelit për të mos lejuar asnjë person (pervec eksperteve te specializuar) të afrohet pranë zonës së riskut deri në stabilizimin e rishpërndarjes së sforcimeve dhe të plasaritjeve të shkëmbit”, theksoi Olldashi.

Ai sqaroi se janë përforcuar paretet në 250 metra të galerisë veriore për të evituar efektet e mundshme që mund të shkaktonte në të galeria paralele; perforcuam zonat e riskut me fasho betoni të projektuar mbi fibra metalike.

“Duhet të mbajmë parasysh se zona problematike është vetëm 50 metra, në një gjatësi prej gati 12 mijë metrash që është totali i tunelit, ose e shprehur në përqindje në vetëm 0.4 përqind të tunelit”, theksoi ai.
Olldashi nënvizoi se ajo që thotë Partia Socialiste është një gënjeshtër.

“Afati i përcaktuar për hapjen e tunelit, në verën e vitit 2010, është një shtesë kontrate, ajo nuk është kontrata bazë. Kontrata bazë ka qenë për në qershor të vitit 2009. Duke pasur fenomene në galerinë e jugut të njohura nga ne, por të paparashikueshme për Institutin e Bolonjës, bëhej fjalë për një shtresë gjeologjike që ka defekte milionavjeçare të ndodhura për gjatë gjithë historisë së vet, ne parashikuam një shtesë kontrate për punime suplementare për në tunelin e jugut”, u shpreh Olldashi.

Ai sqaroi se ndërkohë në tunelin e veriut ky fenomen nuk ka ekzistuar, ose ka ekzistuar përkujdesja jonë që të mbahej në monitorim se mos fenomeni që ndodhte në galerinë jugore mund të afektonte edhe galerinë paralele. “Por është mbajtur gjithmonë nën monitorim dhe në kontroll të vazhdueshëm dhe për asnjë sekondë nuk ka pasur shqetësime. Ndërkohë që galeria jugore sikurse e dini nuk ka qenë e hapur as edhe një ditë të vetme për publikun. Pra edhe një herë afati i vendosur në verën e 2010-s është një afat që është përcaktuar me shtesën e kontratës dhe jo me kontratën fillestare”, u shpreh ministri.