LAJMI I FUNDIT:

Oda Amerikane kundër rritjes së TVSH-së

Oda Amerikane kundër rritjes së TVSH-së

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) dhe Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), kanë reaguar kundër njoftimeve se Qeveria synon të rris TVSH-në.

OEAK dhe STIKK mbeten të befasuara nga lajmi se gjatë takimit është diskutuar ngritja e TVSH-së sepse kjo çështje nuk ka qenë temë diskutimi. Më tej, njoftimi për ngritjen e TVSH-së nuk është në vijë me premtimet e dhëna nga qeveria për përmirësimin e ambientit biznesor në Kosovë si dhe mos ngritjen e ngarkesës fiskale.

“Rritja e TVSH-së do të ketë ndikim në ngritjen e çmimeve si tatim i konsumatorëve, e që në fund do të zvogëloj efektet e ngritjes së pagave të parapara nga ana e qeverisë”.

Sipas këtyre dy asociacioneve në Kosovë urgjentisht nevojitet krijimi i vendeve të qëndrueshme të punës të cilat do të vinin nga rritja e investimeve të huaja direkte, investimeve vendore, e të cilat rrezikohen seriozisht në rast të ngritjes së barrës fiskale nëpërmjet të rritjes së normës tatimore dhe aplikimit të masave ndëshkimore, e që kanë për qëllim rritjen e të hyrave.


“Ne përkrahim plotësisht zgjerimin e bazës së tatimpaguesve në Kosovë, si dhe futjen e sa më shumë bizneseve në kuadër të ekonomisë formale për të siguruar të hyra më të mëdha dhe klimë të barabartë për të gjitha ndërmarrjet”, theksohet në reagim. /Telegrafi/