LAJMI I FUNDIT:

OBRM-PDUKM do të marrë pjesë të premten në seancën për ndryshimet kushtetuese

OBRM-PDUKM do të marrë pjesë të premten në seancën për ndryshimet kushtetuese

Deputetët e OBRM-PDUKM-së do të marrin pjesë në seancën plenare të së premtes mbi nevojën e hapjes së Kushtetutës dhe njoftuan se do të përsërisin qëndrimin e tyre kundër ndryshimeve kushtetuese. Kjo u bë e qartë pas takimit të deputetëve me kryetarin e partisë Hristijan Mickoski, në të cilin u përcaktua një strategji për periudhën e ardhshme.

Ata nuk zbuluan më shumë detaje, përveç se të premten do të paraqiten njësoj si në debatin e fundit të komisionit për nismën për ndryshime kushtetuese, ku ata vetëm njoftuan qëndrimin e partisë dhe vendosën të mos marrin pjesë në debat. OBRM-PDUKM i bëri thirrje qeverisë të mos vonojë dhe ta hedhë menjëherë pikën në votim.


“Qëndrimi ynë u tha edhe në Komisionin për Ndryshime Kushtetuese, ku argumentuam se shumica po shtyn një proces që nuk mbështetet nga qytetarët. Të njëjtën gjë do ta përsërisim edhe në seancë plenare. Kjo seancë do të jetë një mundësi e mirë për të parë gjithë opinioni i gjerë se qeveria ka gënjyer, manipuluar dhe shpërndarë mjegull mbi ndryshimet kushtetuese për një vit të tërë dhe se ata nuk janë as afër ndryshimeve kushtetuese”, deklaroi Nikolla Micevski – OBRM-PDUKM.

Koordinatori Nikolla Micevski theksoi se nuk ka presione ndaj deputetëve nga OBRM-PDUKM, por ka mbështetje nga qytetarët për të mos votuar ndryshimet kushtetuese.

Nga ana tjetër, LSDM përsëri i bëri thirrje opozitës që të përdorë, sipas tyre, mundësinë e fundit.

“Propozimi është dorëzuar nga Qeveria. Pres që të gjithë 120 deputetët ta vendosin veten në nivelin e detyrës, ta kuptojnë përgjegjësinë që kemi të gjithë para qytetarëve. Ndoshta kjo është mundësia e fundit e Mickoskit për t’u bashkuar me bllokun pro- evropian”, tha Fanica Nikollovska – LSDM.

Seanca plenare është caktuar për të premten në orën dhjetë dhe mund të zgjasë deri në dhjetë ditë. Por ekziston edhe mundësia që kryetari Talat Xhaferi ta ndërpresë atë, dhe vazhdimi të jetë kur të sigurohet shumicë prej dy të tretash. Më parë, debati në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese përfundoi për dy orë, pasi opozita vendosi të mos marrë pjesë në debat. Ndryshe, sipas marrëveshjes mes Shkupit dhe Brukselit, mbledhja e dytë ndërqeveritare e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian do të mbahet vetëm pasi bullgarët të futen në Kushtetutë./Alsat/