LAJMI I FUNDIT:

Nuk kalojnë rekomandimet për çmimin e rrymës

Nuk kalojnë rekomandimet për çmimin e rrymës

Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Peticione dhe Persona të Pagjetur rreth çmimit të energjisë elektrike, sipas peticionit të qytetarëve kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike, pasi nuk pati kuorum për vendimmarrje. Edhe pse në sallë ishin 65 deputetë, në votim morën pjesë vetëm 46, nga të cilët 42 votuan për, ndërsa 4 abstenuan.

Meqë situata ishte konfuze nëse mund të konsideroheshin të miratuara ose jo, kryesuesi i seancës Xhavit Haliti duke u munduar të sqarojë gjithë këtë situatë, tha se, nëse i referohen rregullores në fuqi, atëherë rekomandimet llogariten të miratuara, por duke qenë se kanë vepruar sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, atëherë votimin mund ta përsëritin pafundësisht.

Në debatin që u zhvillua, opozita ishte kundër rekomandimeve të Komisionit, duke i vlerësuar ato në kundërshtim me kërkesat e qytetarëve të paraqitura në peticion, derisa përfaqësuesit e Komisionit theksuan se rekomandimet janë të harmonizuara me ato të qytetarëve.


Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Peticione dhe Persona të Pagjetur, Lirije Kajtazi, në fillim të seancës paraqiti katër rekomandimet e Komisionit rreth çmimit të energjisë, për të cilat tha se janë të harmonizuara me rekomandimet e qytetarëve të paraqitura në peticion.

“ZRRE-ja në afat prej një muaji nga dita e miratimit të këtij rekomandimi, t’i paraqesë Kuvendit të Kosovës një raport të veçantë për të gjitha çështjet e ngritura në peticion lidhur me dy rritjet e fundit të çmimit të energjisë elektrike duke përfshirë edhe analizën e detajuar të çmimeve. Qeveria në afat sa më të shpejtë të procedojë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e plotësimin e Ligjit për tatimin në vlerën e shtuar dhe të propozohet zbritja e TVSh-së në konsumin e energjisë elektrike nga 16 për qind në 8 për qind. Qeveria të rishikojë listën e përfituesve të kategorive sociale dhe të identifikohen përfituesit që kanë ndryshuar status financiar, në mënyrë që të bëhet rishpërndarja e mjeteve buxhetore në emer të pagesës së Energjisë elektirke për familjet që kanë ende nevojë. Të mos bëhet asnjë rritje e re e çmimit të Energjisë elektrike deri në rishikimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2015”, tha Kajtazi.

Por, kundër këtyre rekomandimeve ishte kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri, i cili tha se mund të jenë rekomandime të Komisionit, por jo edhe të qytetarëve. Sipas tij, rekomandimet e propozuara nga Komisioni janë të panevojshme dhe të papranueshme.

“Këtë që po e diskutojmë sot është maji i vitit 2015 dhe atë nuk po e diskutojmë peticionin e qytetarëve, por po i diskutojmë disa rekomandime të komisionit, apo siç u tha këtu, të harmonizuara edhe me Komisionin për Buxhet dhe Financa janë në shpërputhje të plotë me atë që e kanë kërkuar qytetarët. Pra po i bie se sot po diskutojmë apo nga parafolësit u dëgjuan disa rekomandime që janë rekomandime të Komisionit, por që s’kanë të bëjnë asgjë me kërkesat e qytetarëve as peticionin e qytetarëve. Dhe të cilat si rekomandime, dorën në zemër, duhet ta them se në masë të madhe janë edhe të pakuptimta”, tha Ymeri.

Lideri i VV-së kërkoi edhe shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së të datës 29 gusht të vitit 2014, i cili është marrë si shqyrtim i jashtëzakonshëm i tarifave të energjisë elektrike për shkak të avarisë së ndodhur në termocentralin Kosova A, në qershor të vitit 2014, dhe si rrjedhojë për shkak të rritjes së nevojës për import të energjisë elektrike. Sipas Ymerit, tash nuk ekziston ajo situatë dhe nuk ka nevojë t’i paguajnë qytetarët këto çmime të energjisë elektrike, meqë nevoja për import nuk ekziston.

Teuta Haxhiu, nga Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se anëtarët e ZRrE-së janë anëtarë politikë dhe si të tillë kanë marr edhe vendime politike rreth rritjes së energjisë elektrike.

“Gjithsesi Zyra e rregullatorit duke marrë vendime më tepër politike, por duke mos u interesuar asnjëherë në interes të qytetarëve, po kamuflon edhe përmes tarifave. Shihni se nuk bëhen çdo herë analizat në treg. Shiheni tarifën e dimrit dhe të verës dhe besoni që edhe ata njerëz profesionist nuk dinë të shpjegojnë se si qytetari ka për ta lexuar se çka ka shpenzuar”, tha Haxhiu.

Deputeti Enver Hoti nga Nisma për Kosovën tha se rekomandimet e Komisionit janë me shumë retorike dhe të pakuptimta sepse nuk e obligojnë asnjë institucion që t’i zbatojë ato.

“Këto rekomandime krejtësisht lënë një retorik të zbrazët dhe një pakuptimësi që nuk e obligojnë as Kuvendin dhe asnjë institucion që u drejtohen që t’i zbatojnë dhe të jenë funksionale dhe të zbatueshme. Prandaj arsyeja këtu shihet shumë qartë pse këto rekomandime kanë devijuar nga kërkesat e qytetarëve. Ne jemi dëshmitarë që në vitin 2014 brenda dy muajve u bënë dy rritje të cilat arrijnë shifrën 10 për qind të vlerës së çmimit të energjisë elektrike”, u shpreh Hoti.

Pas shtrimit të debatit nga deputetët, kryeministri Isa Mustafa tha se do të angazhohen si Qeveri që të shqyrtojnë problemin e energjisë, pasi ka nevojë që të shihet struktura e çmimit të energjisë, atë se çfarë prodhon KEK-u dhe çfarë është çmimi i konsumatorëve që paguajnë shfrytëzuesit.

“Unë konsideroj se duhet të angazhohemi edhe Qeveria përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Komisionit Parlamentar, ZRrE-ja, dhe së bashku ta shqyrtojmë problemin e energjisë. Ka nevojë të shihet struktura e çmimit, çfarë është çmimi i prodhuesit, KEK-ut, dhe çfarë dihet të jetë çmimi që duhet të paguajnë shfrytëzuesit e energjisë elektrike dhe mbi çfarë baze vendos Zyra e Rregullatorit për kërkesat e KEDS-it dhe mbi çfarë baze vendos mbi kërkesat e KEK-ut, sepse edhe aty nuk kemi tempo të njëjtë të trajtimit të këtyre çështjeve të ngritjes së çmimit”, tha Mustafa.

Kreu i ekzekutivit theksoi se po ashtu duhet të trajtohet edhe problemi i humbjeve, atyre që nuk paguajnë dhe obligimi që dikush tjetër të paguajë për ta që nuk paguajnë, pasi askush nuk duhet të paguajë për atë që nuk paguan.

Rreth votimit të këtyre rekomandimeve, kryesuesi i seancës Xhavit Haliti dha një shpjegim, meqë ishte konfuze nëse ato u miratuan ose jo.

“Sipas Rregullores në fuqi rekomandimet janë miratuar. Rezultati është 42 vota për, 4 abstenime, në sallë janë 65 deputetë. Sipas Rregullores së Parlamentit kjo çështje ka kaluar, sipas një praktike që ne po e marrim që është nxjerrë një vendim i Gjykatës Kushtetuese për një çështje të caktuar dhe nuk është nen i veçantë në kushtetuese dhe nuk është shndërruar në nen të veçantë në rregullore ne po e zbatojmë praktikën që na ka sugjeruar Gjykata Kushtetuese… Por, sipas praktikave që i kemi ndjekur nga ai vendim kjo mund të përsëritet 10 herë… Unë nuk kam interpretim për këtë çështje konkret. Por, sipas rregullores së kuvendit kjo ka kaluar. Sipas asaj normës që ne po e praktikojmë pa normëzuar në rregullore as kushtetutë mund ta përsërisim pa fund votimin”, tha Haliti.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti i informoi deputetët se së shpejti do të shkojë në Kuvend Ligji për TVSh-në, që e zbret ngarkesën tatimore për energjinë prej 16 për qind sa është tash, në 8 për qind, si dhe do të vazhdojnë me mbështetjen e familjeve në asistencë sociale për pagesën e disa qindra kilovat orë që i kanë. Ai tha se për këtë çështje kanë rreth 4.5 milion euro që këtë vit i kanë të buxhetuara. /Telegrafi/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Bisha Lamborghini Revuelto tani në Kosovë, ekskluzivisht nga Auto SHERRETI

Bisha Lamborghini Revuelto tani në Kosovë, ekskluzivisht nga Auto SHERRETI

Auto Sherreti
Për flokë dhe lëkurë rrezatuese: Këto 3 lloje të kolagjenit janë gjithçka që ju duhet

Për flokë dhe lëkurë rrezatuese: Këto 3 lloje të kolagjenit janë gjithçka që ju duhet

E Bukura e Dheut
Udhëto sigurt drejt top destinacioneve evropiane me Prishtina Ticket

Udhëto sigurt drejt top destinacioneve evropiane me Prishtina Ticket

Prishtina Ticket
Shijuat verën, por humbët formën? Ja si të riktheheni në formë pa pasur nevojë të dilni nga shtëpia

Shijuat verën, por humbët formën? Ja si të riktheheni në formë pa pasur nevojë të dilni nga shtëpia

Melodia Px
Inaugurohet investimi më i ri për lumturinë e fëmijëve - ATC Kids

Inaugurohet investimi më i ri për lumturinë e fëmijëve - ATC Kids

ATC Kids
Kush tha që pushimet verore kanë mbaruar? Shtatori vie me oferta që nuk duhet t'i humbisni asesi

Kush tha që pushimet verore kanë mbaruar? Shtatori vie me oferta që nuk duhet t'i humbisni asesi

Fafa Resort
Kalo në kategori