LAJMI I FUNDIT:

Një tekst për skandalin e teksteve

Një tekst për skandalin e teksteve

Latif Mustafa

Se funksioni i kryetarit të komunave nuk është teknik dhe administrues, por thellësisht politik; si dhe roli i Këshillit nacional nuk është kulturor, por është politik, kjo u pa me firmosjen e marrëveshjes së teksteve mësimore apo më saktë me skandalin politik të firmosjes së marrëveshjes së fundit për librat në gjuhën shqipe, me konsekuenca pedagogjike dhe humane.


Është skandal politik, sepse ka të bëjë me përkthimin e teksteve të historisë (edhe pse u paralajmërua se do të përkthehen veç ato “ekzaktet”), tekste shkollore këto që tejkalojnë pedagogjizmin e çështjes së mungesës shkollore, por që me pranimin e këtyre teksteve është pranuar edhe modelimi politik i shqiptarit të ardhshëm në Serbi (me një memorie kolektive historike që nuk përkon me vullnetin politik popullor, njashtu siç nuk përkon me memorien kolektive të shqiptarëve gjithandej ku gjenden). Aq më tepër, kjo çështje bëhet akoma më skandaloze kur kujtojmë faktin se shqiptarët e Preshevës ishin në “bisedime” me Serbinë. Se në cilin “kapitull” kanë mbetur dhe çfarë ka mbet pa u zgjidhur dhe si na doli kjo çështje e librave nga hiçi, tregon qartë se askush nuk bisedon me shqiptarët e Luginës. Ata, thjeshtë, “urdhërohen”, kurse pala e urdhëruar përjeton një servilizëm të natyrshëm.

Le të marrim shembull luftën e UÇPMB-së! Kush e di sa do të bastardohet tregimi për këtë luftë, apo për motivet e kësaj lufte! Në librat e përkthyer të historisë, lëre që nuk do mësohet për Adem Jasharin, por versioni i treguar për luftën e UÇPMB-së, gjeneratë pas gjenerate, do të shtrembërohet, bastardohet dhe keqpërdoret – nëse ky fragment i historisë sonë të re nuk përbën librin shqip të historisë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, ku parashihen të përkthehen edhe katër librat e historisë së shkollës fillore, nuk besoj se në to do të mësohet kjo: “Në vitet e 2000-ta, në jug të Serbisë, grupe të armatosura shqiptarësh janë ngritur për të luftuar dhunën, shtypjen dhe mohimin e lirisë së qytetarëve që jetojnë po në këtë rajon”!

Ana vrasëse e kësaj marrëveshjeje është se pala nënshkruese është një ish-pjesëtar i UÇPMB-së dhe kryetari i Këshillit Nacional, kurse propozues i saj kryetari i komunës së Preshevës, hendikep i të cilit, siç duket, janë vetë mësimet e historisë. Mos të flasim për historinë e shqiptarëve, apo luftën e fundit në Kosovë e Maqedoni. Do të mësojnë në librat e Gjeografisë se Kosova është vend i Serbisë dhe se Shqipëria është një vend kënetash dhe mushkonjash.

Me cilin vullnet të shqiptarëve përkojnë këto libra?

Në aspektin pedagogjik, libri shkollor i përkthyer është pashfrytëzueshëm, i papërshtatshëm e sidomos librat e shkencave sociale, pa harruar se tekstet shkollore të historisë në Serbi janë ksenofobike. Për këtë besoj se kanë çka të flasin pedagogët. Nxënësit e Preshevës me gjenerata kanë mësuar përmes shënimeve dhe kurrë nuk e mbajë në mend që arsimtarët apo profesorët të kenë detyruar t’i blejmë librat e përkthyer. Përkundrazi! Gjithmonë i kemi bojkotuar librat e tillë, sepse asnjëherë nuk kanë qenë të përkthyer si duhet. Në anën tjetër, edhe po të mblidheshin të gjithë albanologët Serbisë për një periudhë 40 ditore, nuk do mund të përkthenin kaq shumë libra, e mos të flasim për redaktim, lekturimin, faqosjen dhe shtypin. Edhe pse është hipotetike – por shihet qartë që qëllim i këtyre librave është pompoziteti i politikanëve – librat do përfundojnë në shportë.

Le të presupozojmë se këta libra u realizuan dhe nxënësi shqiptarë i gjen në raftet e librashitësve në Preshevë! Çka nëse prapë arsimtarët e shkollave vendosin t’i bojkotojnë këta libra? Kush e mban përgjegjësinë për tërë ato shpenzimet!? Apo, thjeshtë do të konsiderohet një keqpërdorim i radhës?

Le të bëjmë një krahasim me komunat serbe në veri, ashtu siç e kemi zakon shpesh, edhe pse me kalimin e kohës ky veriu bo bëhet edhe më i pakrahasueshëm me Luginën. Në një hulumtim të organizatës GAP në Kosovë, për funksionimin e katër komunave serbe në veri, sa i përket arsimit shkruan: “Planprogrami mësimor është i bazuar në modelin e Serbisë, tekstet mësimore sigurohen falas nga Ministria e Arsimit e Qeverisë së Serbisë, ndërsa certifikatat dhe diplomat lëshohen sipas numrit rendor të po kësaj Ministrie”! Ky citat tregon qartë për imponimin e Serbisë në Kosovë, por edhe vendosmërinë e serbëve të Kosovës pas aq shumë privilegjesh dhe pushtetin që iu ka ofruar qeveria e Kosovës. Megjithatë, ata gjithmonë janë këmbëngulës në orientimin e tyre.

Mbi të gjitha, edukimi shkollor është edukim politik. Edukimi i ardhshëm politik, nëse bazohet mbi idenë e mbijetesës se ne shqiptarët duhet të mbijetojmë, të jemi të sigurt se do ta humbin edhe jetesën e edhe mbijetesën – nëse përmes një plani strategjik, të aplikuar sistematikisht në Preshevë, Bujanoc dhe Preshevë, neutralizohet dhe zhduket tërësisht bindja se problemet e shqiptarëve janë teknike.

Kujtoni bisedimet e Kosovës me Serbinë ku gjithmonë pala serbe i konsideronte bisedimet si teknike, por pësimet e shqiptarëve ishin politike. Problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë qenë dhe janë etnike e jo teknike. Teknicizimi i problemeve është gjithmonë me prapavijë serbe, kurse naiviteti gjithmonë shqiptar.

Mbjellja e heshtur e një kozmopolitizmi-serbofil, shqiptarin e Preshevës do ta shndërrojë në qytetar të cilit iu ka vjedhur ëndrra e tij dhe lirinë e tij e sheh i burgosur në lirinë e tjetrin; ëndrrën e tij e sheh i prangosur në ëndrrën e tjetrit. Politikanët, nacional-instrumentalistët dhe kozmopolit-serbofilët, le ta kujtojnë se një popull mund të ketë veç një ëndërr: ëndrra për t’u bë popull, një shtet dhe një sovran.