LAJMI I FUNDIT:

Libri “1981”: Një punim me shqyrtime serioze të një kohe të rëndësishme – një vepër arsimuese, mbi të gjitha

Libri “1981”: Një punim me shqyrtime serioze të një kohe të rëndësishme – një vepër arsimuese, mbi të gjitha

Nga: Daut Dauti (Parathënia për librin e Agron Shalës, 1981 (Vidhe këtë libër)

Jeta fillon nga momenti kur pamja e botës dhe zëri i njeriut apo i gjallesave të tjera regjistrohen në kujtesë. Me kalimin e kohës, njeriu i kthehet gjithnjë e më shumë – dhe me sentimente më të thella – fillimit të kujtesës, jetës. Me këtë libër të Agron Shalës kuptojmë se jeta është e pandashme nga mendimi dhe nga kujtimet.


Për autorin e këtij libri, për Agron Shalën, jeta ka filluar në vitin 1981, siç shihet paralajmërimi në titullin e librit dhe më vonë shtjellimi në brendi të tij. Për autorin, sikur për shumicën e shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë, viti 1981 nuk është i zakonshëm si shumë vite të tjera që janë shënuar për t’u numëruar në kalendar. Dhuna është temë mjaft prezente dhe pothuaj me tendencë të okupimit të vendit qendror në këtë libër, temë të cilës autori i kthehet shpesh për shqyrtim, duke e kërkuar shkakun që ka krijuar kjo dhunë dhe pasojat e saja. Në fakt, libri fillon me pamje të tankeve të cilat janë mjetet më grafike që ekzistojnë për prodhimin e dhunës. E, pamja e tij e parë është tanku dhe zhurma e rëndë sikur pamja dhe pesha. Ky mjet dhunues, përmes së cilës regjimi i Beogradit e zbatonte politikën në Kosovë, e ka vulosur kujtimin e autorit. Pra, edhe pamja dhe zëri në formë të ushtimës frikësuese, si kujtime të para, në esencë janë dhunë.

Viti 1981 në Kosovë është vit i kujtesës për represionin e jetës tonë që është shënuar në këtë libër, që në shumë aspekte është biografia e autorit dhe njëkohësisht edhe grafikoni i zhvillimit mendor të njeriut nga fëmijëria në pjekuri. Për këtë arsye, lexuesi kosovar në këtë libër gjen ngjashmëritë e kujtimeve të veta sikur edhe prehje, kurse të tjerët fitojnë njohuri për jetën e njeriut, përkatësisht të shqiptarit, në atë periudhën e ish-Jugosllavisë.

Në fillim të jetës, të menduarit tonë, siç paraqitet edhe në këtë libër, ndikohet nga prindërit, familja apo rrethi. Më vonë vjen ndikimi tjetër nga shteti nëpërmes institucioneve arsimore dhe mediave, që në esencë e luajnë rolin propagandistik. Këtu e shohim konfirmimin se edukimi në familjet tona, në Kosovë, në masë të madhe ka qenë në kundërshtim me atë që e ofronte shteti. Kjo është për shkak se shteti, si një aparat i dhunës – atëherë edhe komunist – dëshironte ta ndërtonte Njeriun e Ri i cili duhej të ishte i larguar nga tradita dhe mbamendja tradicionale kolektive shqiptare. Siç bëhet me dije në këtë libër, për njeriun e Kosovës (shqiptarin) në formim, jeta ka qenë edhe një herë më vështirë sesa në Shqipërinë komuniste. Në Kosovë, pos luftës së klasave, ka ekzistuar edhe lufta për shtypjen e ndjenjës dhe veprimeve nacionale – në rastin e shqiptarëve. D.m.th., njeriu i ri është dashur të kalojë nëpër dy filtra dhe për këtë arsye represioni mbi shqiptarin ka qenë i dyfishtë. Në krahasim me Shqipërinë, në Kosovë filtri i parë, pra ai i luftës së klasave, ka qenë dukshëm më i butë. Por, i dyti, ai nacional, ka qenë i papërballueshëm dhe në këtë pikë autori me arsye e përqendron shpjegimin e tij për veten, familjen, shoqërinë dhe botën. Këtu kemi edhe shpjegimet që autori i ofron duke e krahasuar periudhën e komunizmit në Shqipëri dhe atë në Kosovë. Në mënyrë indirekte shohim dy sisteme të ndërtimit të ndryshëm të njeriut në aspektin human dhe të shqiptarit në aspektin nacional.

Libri ka të bëjë me evoluimin e mendimit të një fëmije deri në moshën e pjekurisë apo në stadin e krijimit të një intelektuali siç është Agron Shala. Kjo nuk ka qenë rrugë e lehtë në një vend ku ekzistojnë tabelat e udhërrëfimit me drejtimet qëllimisht të gabuara. Udhërrëfimi kishte nisje, por ai ishte absurd për shkak se mendja e shihte se kjo rrugë njeriun e çon në askund. Prandaj, sistemi shtetëror jugosllav, sado që mundohej të tregohej socialist në sundim dhe kapitalist në ekonomi, që në Kosovë e prodhonte pijen “Coca-Cola” (simbolin e kapitalizmit), në esencë ka qenë një utopi e llojit të vet. Kjo gjë e detyron autorin, si intelektual i mirëfilltë, ta kërkojë rrugën e duhur apo të vërtetën, e cila gjithmonë është e vështirë për ta gjetur, sidomos në rastin e këtij dualizmi mashtrues të sistemit politik jugosllav që pas shtresës shkëlqyese e fshihte diskriminimin dhe dhunën ndaj shqiptarëve dhe që, po ashtu, e kishte krijuar ndarjen e stilit të aparteidit në “ne” dhe “ata”. Në këtë kërkim Agron Shala i identifikon pengesat të cilat, tashti në moshën e pjekurisë intelektuale, i analizon duke i vendosur në rrafshin sociologjik, por edhe filozofik, për ta gjetur përgjigjen. Në shumë raste ai e thërret në ndihmë historinë për ilustrim të shembujve dhe për forcimin e argumentit. Historia nuk është problem i vogël te ne dhe për vendet tjera ballkanike. Për shkak të paanshmërisë, kualitetit dhe besueshmërisë, autori, me të drejtë, ua jep përparësinë studimeve të historianëve të huaj që janë shquar për kompetencë në hulumtimin dhe në shpjegimin e situatave dhe të fenomeneve të historisë shqiptare dhe ballkanike.

Në këtë vazhdë, autori e kërkon arsyen se pse të tjerët, kryesisht historianët serbë, e kanë shtrembëruar të kaluarën në dëm të shqiptarëve. Kjo bëhet duke i marrë shembujt që i ilustrojnë situatat ekzistuese dhe duke i vënë ato me kujdes në shoshën e analizës. Por, autori nuk ndalet këtu, pasi që me ngulm e kërkon pamjen e plotë të së vërtetës dhe vazhdon të bëjë me dije se ekzistojnë probleme edhe në historinë tonë. E tërë kjo bëhet me qëllim që të mënjanohen pengesat që janë krijuar në të kaluarën, kryesisht ideologjike, dhe të cilat tashti, në kohën e sotme, po e pengojnë rrugën normale të krijimit të mendjes së shëndoshë të njeriut të hapësirës shqiptare dhe ballkanike.

Agron Shala edhe më herët i ka trajtuar problemet shoqërore dhe kulturore në mënyrë serioze. Por, me këtë libër tashti e rikonfirmon krijimin e kompetencës së padyshimtë të shqyrtimit të problematikave të kësaj fushe. Eksperienca e gjatë në gazetari e ka pajisur autorin me njohuri edhe në fushën e publicistikës dhe të letërsisë. Prandaj, mënyra e shkrimit dhe e analizave të tija është për lakmi. Agroni për shumë vjet ka qenë redaktor i gjeneratës time të gazetarëve në Zëri, gjatë kohës kur numri i mediave dhe gazetarëve ka qenë shumë më i vogël sesa sot. Megjithatë, përkundër faktit se ne dallojmë në moshë, në mënyrë të konsiderueshme, unë, por edhe të tjerët gazetarë, nuk kemi pasur ndonjë ankesë ndaj punës së tij. Kjo për shkak se Agroni me njohuritë e fituara gjatë viteve, është kompetent edhe si redaktor.

Ekziston edhe një varg i arsyeve të tjera që këtë libër e bën të rëndësisë së veçantë. Siç shihet nga përmbajta e librit, trajtimi i problematikës është i shumanshëm. Agron Shala është ndër gazetarët, publicistët dhe shkrimtarët e rrallë mes shqiptarëve që janë edhe ekspertë të muzikës, ngjyrën apo efektin e së cilës e gjeni po në këtë libër. Ai nuk është vetëm njohës ndër më të mirët e rokënrolit, por edhe ekzekutues i kësaj muzike, e cila gjë – në rininë e tij kur ai është marrë në mënyrë mjaft aktive me këtë zhanër muzikor – prej pushtetit është konsideruar si dekadente dhe, si e tillë, e dëmshme për shoqërinë socialiste. Kujtimet e tija të fëmijërisë dhe të rinisë janë të karakterit urban dhe që më vonë janë shndërruar në mendime kritike të vlefshme.

Prandaj, arsyet pse ky libër duhet të lexohet, edhe nëse “vidhet”, janë të shumta. Ky nuk është vetëm libër i përshtypjeve të zakonta. Ky është një punim me shqyrtime serioze të një kohe të rëndësishme. Është një vepër arsimuese, mbi të gjitha. /Telegrafi/