LAJMI I FUNDIT:

Një përpjekje për mashtrim

Kalimi nga pozita A në pozitën B i shtetit të Kosovës në kuadër të Marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk është sukses. Në vend se ta bjerr kohën me shpjegime konfuze, Qeveria duhet të mobilizohet që këtë humbje ta kalojë më sa më pak refleksione negative për qytetarin e Kosovës, por edhe për kontinuitetin e Marrëveshjes me FMN- në.

Kryeministri Hashim Thaçi duke mbajtur në dorë Marrëveshjen e Qeverisë me FMN-në, në debat me analistët e hutuar, këtë dështim u mundua ta projektonte si fitore! Ditëve në vazhdim të njëjtën gjë e bëri edhe ministri i financave të Kosovës, zoti Bedri Hamza, prej të cilit pritej një gjuhë më e saktë dhe më profesionale. Edhe ky kishte të njëjtën letër në dorë!


Së pari, leksionet elementare të ministrit të financave para deputetëve në Kuvend për dallimin mes donacionit dhe kredisë, janë tepër qesharake, por njëkohësisht edhe fyese për inteligjencën e deputetëve të cilët ai duket se i merr për injorantë! Kush nuk e di faktin se FMN-ja jep kredi e jo donacione? Apo, duhet filluar gjithsesi me këtë sqarim banal që të krijohet një konfuzion në mesin e qytetarëve të rëndomtë, të cilët në këtë rast nuk mendohen si qenie normale njerëzore që kanë informacionin dhe gjykimin e tyre, por thjesht si bashkësi numrash që të gjithë bashkë sajojnë shumën e votave dhe nuk përbëjnë ndonjë vlerë tjetër! Nga ajo që kemi parë në debatet televizive, duket sheshit se brenda qeverisë ka një konsensus konspirativ që zyrtarë të caktuar të flasin në favor të kësaj Marrëveshje të dështuar, kurse ata që ende duan ta ruajnë minimumin e dinjitetit njerëzor, të paktën të heshtin apo ta injorojnë të vërtetën. Ky është shembulli klasik i keqkuptimit të rolit esencial të funksionarëve politikë, të cilët në vend që ta informojnë drejt qytetarin nga i cili e marrin votën, si një e drejtë për të qeverisur dhe nga i cili marrin po ashtu paranë publike, si mjet për ta avancuar pozitën dhe mirëqenien e tij si kundër shpërblim, ata mohojnë, deformojnë, apo heshtin me qëllim faktet reale.

A mundet, një qeveri që deklarohet si e djathtë në momentin kur mbron një veprim të caktuar, të kthehet në të majtë kur duhet mbrojtur një veprim tjetër? Duket se kjo është e mundur në Kosovë, ku dyfytyrësia është bërë normë e veprimit politik. Apo, ku askush nuk e njeh ndonjë profilizim të qartë të partive politike. Si mund të thuash se ne i kërkuam paratë (SEPSE JEMI TË DJATHTË), por shyqyr që nuk na i dhanë ato meqë pastaj do duhej të paguanim kamatat (SEPSE JEMI TË MAJTË). Por pa marrë parasysh a je i majtë apo i djathtë, nëse ke kërkuar një kredi dhe ajo nuk të është miratuar, ti je personi që ke mbetur me gishta në gojë. Dhe kur mbetesh me gishta në gojë nuk të quajnë fitues. Si mund të ju thuash deputetëve që kanë votuar buxhetin se mirë keni bërë që e keni votuar sepse ato para do t’i marrim më 2012, kur atyre ua ke prezantuar si para që hyjnë në buxhetin e vitit 2011? Nëse buxheti është aprovuar në Kuvend në bazë të prezantimit të argumenteve të projektuara dhe ato argumente kanë pushuar të jenë reale, duhet të bëhesh fer dhe ta tregosh dështimin. Deputetët, madje edhe ata të partisë së ministrit aktual të financave, duhet të ndihen të ofenduar me mënyrën se si ai tenton t’i mashtrojë.

Një pjesë e opozitës dhe shoqërisë civile kanë potencuar me kohë mundësinë e dështimit të pjesës së buxhetit të planifikuar si formë kredie të FMN-së. Këtë shumë qartë e ka paralajmëruar edhe vetë FMN-ja. Në këtë kontekst, premtimet e zyrtarëve qeveritarë kanë qenë se krahas rritjes së rrogave do ta bindnin FMN-në për të mos ndryshuar Marrëveshja. Ky premtim nuk është realizuar. Tani, krahas sqarimit se Marrëveshja përsëri ekziston, po tentohet të sugjerohet, pa kokërr argumenti, se asgjë nuk ka ndryshuar. Normalisht se Marrëveshja për bashkëpunim ekziston dhe FMN-ja nuk ia mbyll dyert askujt që është huamarrës potencial, sepse para se gjithash është në interesin e saj për të realizuar të hyra nga kamatat. Dhe është krejt normale që një shtet, si tani Kosova që është bërë anëtare e këtij asociacioni financiar ndërkombëtar të mos përjashtohet aq lehtë. Bisedat “e vështira” nuk janë bërë për të mos u përjashtuar nga mundësia teorike e huamarrjes, por nga marrja praktike e parave. Kjo nuk ka ndodhur. Tani nuk ka asnjë garant se ato para do të merren në mënyrë retroaktive. Ka një proces monitorimi, këshillimi dhe testimi periodik të qeverisë nga ana FMN-së që mund apo nuk mund të kurorëzohet me thithjen e mjeteve financiare nga ky fond në të ardhmen.

Kalimi nga pozita A, ose bashkëpunimi i qeverisë me Bordin e FMN-së në pozitën B, ose bashkëpunimi me stafin e këtij Fondi (në vend se me Bordin) nuk është sukses dhe qeveria duhet të mobilizohet që këtë humbje ta kalojë më sa më pak refleksione negative për qytetarin e Kosovës, por edhe për fatin e kontinuitetit të Marrëveshjes me FMN-në. Këtu nuk ka aspak vend që të paraqitet si kualitet i ri profesionalizmi, autonomia apo guximi i qeverisë aktuale për t’i realizuar interesat e vendit karshi negociatave aktualisht të dështuara me FMN-në. Ky është shembulli më klasik se si një qeveri e tërë bëhet peng i një fjale të dhënë në momentet euforike të fushatave zgjedhore. Mos mbajtja e kësaj fjale ka rrezikuar rrëzimin e qeverisë nga protestat qytetare ende pa u konsoliduar mirë. Mbajtja e saj është shpatë Demokleu mbi kokë të qeverisë.