LAJMI I FUNDIT:

Një në shtatë amerikanë janë të kërcënuar nga uria

Një në shtatë amerikanë janë të kërcënuar nga uria

Në Shtetet e Bashkuara e Bashkuara, sipas të dhënave të Departamentit të Bujqësisë, numri i amerikanëve që sigurojnë me vështirësi ushqimin vazhdon të jetë në nivelin më të lartë historik.

Më shumë se 17 milionë familje, pra 1 në 7, nuk e kishte ushqimin të siguruar vitin e kaluar. Kjo shifër nuk ka ndryshuar që nga viti 2008. Është një kujtesë e zymtë që ekonomia në përmirësim nuk i ka shtrirë efektet tek të gjithë.

Në depon e ushqimeve Sistas United, në dalje të Uashingtonit, sot ofrojnë shalqinj të freskët. Numri i familjeve që kërkojnë ndihmë këtu është rritur gjatë viteve të fundit. Themeluesja e qendrës, Wessita McKinley, thotë se këtu nuk e ndjen që kriza ekonomike të ketë mbaruar në vitin 2009. “Kam pyetje një milionë dollarëshe. Kush po e merr veten ekonomikisht? Pasi këtu unë nuk e shikoj popullsinë që e ka marrë veten.”


Niveli i papunësisë u rrit gjatë kohës që kriza u thellua. Numri i të papunëve tani ka rënë krahasuar me kulmin e vitit 2010.

Shifra të reja nga Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara tregojnë se pasiguria e ushqimit u shtua së bashku me krizën, dhe vazhdon të jetë në nivelin më të lartë historik, pavarësisht se njerëzit po rikthehen në punë. /Telegrafi/