LAJMI I FUNDIT:

Një e katërta e të rinjve në RMV punojnë gjatë shkollimit

Një e katërta e të rinjve në RMV punojnë gjatë shkollimit

Në kohën kur arsimi konsiderohet si faktor kyç për të ardhmen e të rinjve, gjithnjë e më shumë studentë në Maqedoninë e Veriut ballafaqohen me nevojën për të punuar gjatë studimeve. Sipas hulumtimeve të fundit, rreth 25% e të rinjve të vendit janë të punësuar gjatë arsimit të tyre formal. Kjo shifër, thënë nga organet kompetente, është në përputhje me mesataren e Bashkimit Europian, ku një e katërta e të rinjve punojnë gjatë shkollimit.

Ndërsa puna mund të sigurojë pavarësi financiare dhe të përgatisë të rinjtë për tregun e punës, ajo gjithashtu mund të ketë një ndikim negativ në arritjet e tyre akademike. Studentët të cilët njëkohësisht punojnë shpesh përballen me kufizime kohore, të cilat mund të çojnë në ulje të përqendrimit në studim dhe nota më të ulëta. Në rastin e Maqedonisë së Veriut , kjo tendencë reflekton edhe presionin ekonomik me të cilin përballen të rinjtë.

Papunësia e lartë e të rinjve dhe mundësitë e kufizuara të punës, theksohet se i bëjnë shumë të rinj të pranojnë çdo punë, edhe nëse kjo do të thotë të sakrifikojnë arsimin e tyre.

Megjithatë, në drejtim të kësaj kanë komentuar edhe sociologët të cilët theksojnë se jo të gjitha përvojat e punës janë negative. Por, ata njëkohësisht, shtojnë duke thënë se Shteti dhe institucionet arsimore duhet të ndërmarrin hapa për të mbështetur studentët që punojnë, duke përfshirë programe studimi fleksibël dhe mundësi bursash që do t’u mundësojnë të rinjve të balancojnë punën dhe studimin. Megjithatë, me mbështetjen e duhur, sipas sociologëve, puna gjatë shkollës mund të jetë një përvojë që përgatit të rinjtë për një të ardhme të suksesshme, në vend që të jetë pengesë për të.

Në ndërkohë, me formimin e qeverisë së re, të rinjtë shpresojnë që kostot e jetesës të ulen dhe të mundësohen më shumë bursa dhe mbështetje financiare me qëllim që ata të munden të fokusohen plotësisht për arsimimin dhe formimin e tyre.