LAJMI I FUNDIT:

Ngjashmëria (tragjike) e Kosovës me Palestinën

Ngjashmëria (tragjike) e Kosovës me Palestinën

Janë 135 vende në botë, pra 70 për qind e shteteve anëtare të OKB-së që e kanë njohur tashmë shtetin e Palestinës . Këto vende përfaqësojnë 80 për qind të popullsisë së botës. Suedia njohu shtetin e Palestinës më 30 tetor të vitit 2014, si vendi i 8-të në BE .

Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar ka miratuar në tetor një njohje simbolike të Palestinës. Po ashtu, Asambleja Kombëtare në Spanjë bëri të njëjtën gjë më 18 nëntor të vitit 2014. Edhe Asambleja Kombëtare Franceze votoi për një njohje formale në dhjetor të po këtij viti.


Por, pavarësisht nga kjo, “pyka izraelite” po depërton thellë e më thellë në zemrën e territorit të Palestinës. E, “çarja” po vazhdon. Territori i Palestinës po zvogëlohet. Palestinezët nuk kanë qasje të mjaftueshme, bile as në ujë të pijes. Burimet e ujit, bile-bile, kontrollohen nga shteti i Izraelit.

Kosova është pranuar nga 111, prej gjithsej 193 Shteteve anëtare të OKB-së. Ndër këto janë 24 prej 28 shteteve te Bashkimit Evropian, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani, me marrëveshjen e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe (kupto autonominë politike serbe në Kosovë), “pyka serbe” është ngulitur mu në zemër të Kosovës.

Kjo “pykë serbe” do të jetë aktive, politikisht, ekonomikisht, në aspektin diplomatik dhe, nëse do të jetë e nevojshme, edhe ushtarakisht. Edhe eshtrat e patriotit shqiptar, Heroit Isa Boletini, do të jenë të rrezikuar nga “thika e mbrehtë e pykës së autonomisë serbe”. Ndër tjerash, rezerva të mëdha të ujit të pijshëm do të jenë nën kontroll të Beogradit dhe “autonomistëve serb” të Kosovës.

Shtrohet pyetja cilët janë ata mekanizmat politik që do e frenojnë depërtimin e “pykës serbe” në çarjen e territorit të vogël të Kosovës?