LAJMI I FUNDIT:

Ngërçi politik dhe apologjia e modelit të kopjuar

Ngërçi politik dhe apologjia e modelit të kopjuar

Ngërçi, i cili pa dashje dhe pa nevojë po mbretëron në Kosovë tash e sa muaj të tërë, nuk është rastësi. As rritja e pabarazisë shoqërore e grupeve dhe elitave politike, gjithsesi jo.

Klasa e mesme në Kosovë vazhdon të solidarizohet, sot e kësaj dite, me elitat autoritare. Kjo ishte kështu që nga mbarimi i luftës. Populli ynë, ndoshta me të drejtë ushqen një simpati kundrejt prijëseve autoritarë se sa është në gjendje të përkrah kursin e shtetit të së drejtës dhe barazinë sociale.


Si në gjithë vendet tjera, edhe në Kosovë u aplikua modeli perëndimor i shtetit kapitalist, demokracia pluraliste dhe deri diku shteti multinacional ose qytetar dhe më pak ai nacional. Ky projekt i suksesshëm, siç kishte qenë në vendet perëndimore, akoma nuk po i shihet rezultati definitiv. Madje, as nuk mund të themi se sa ishte i suksesshëm kopjimi i modelit, sepse ai po rrezikohet nga strukturat ilegale, nga korrupsioni gjithnjë në rritje i cili ka përfshirë elitat politike, pa përjashtuar segmentet ekonomik dhe administratën.

Kjo jep një pasqyrë se në Kosovë, ashtu si në Rusi e vendet e Lindjes, po funksionon shteti kapitalist ose gjysmë kapitalist pa demokraci të mirëfilltë liberale. Në të njëjtat përmasa brishtësia ka kapur edhe administratën e cila nuk mund të ndahet nga e kaluara dhe të përshëndetet njëherë e mirë nga tradicionalizmi feudal i të udhëhequrit.

Demokracia liberale nuk po i pengon as grupet kriminale dhe ato religjioze në vend (ato për fat të keq akoma po i drejtojnë rrjedhat e zhvillimit politik). Mediet të etura për ngjarje dhe përfitime, nga ana e tyre si pushtet i katërt, po vazhdojnë luftën për betejën komerciale të evokojnë “betejat” mes rivalëve, si kudo tjetër, duke acaruar diskursin shoqëror edhe më tepër.

Ideja se në Kosovë do të përparojë shteti i së drejtës dhe ai i shtetit liberal i cili do të krijojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie të gjithëmbarshëm, ngeli deri më tani i parealizueshëm. Papunësia u rrit dhe po rritet dita-ditës, sistemi arsimor është gjithashtu para degradimit. Shteti u kap nga partitë politike, qeverisëse. Pra, u ndërtua një pushtet autokratik demokratik, vetëm në dukje, dhe në një mënyrë, shteti u bë punëdhënësi më i madh i udhëheqësve partiakë dhe vartëseve të tyre, dhe jo tregu, siç e parashihnin ideologët e demokracisë liberale.

As siguria shtetërore nuk është e sigurt pa pranin e KFOR-it. Gjithashtu, mund të thuhet edhe për sektorin e rendit dhe ligjit. Pa pranin e EULEX-it nuk ka garanci se mund të ketë zgjidhje të rasteve të krimeve të rënda. Mbase Policia dhe gjyqi akoma mbeten të pa zonja të ruajnë dhe ta zhvillojnë pavarësinë e tyre institucionale. Kishte madje, ose mund të ketë akoma shpresë se ideja liberale e shtetit dhe zhvillimit mund të jetësohen në këtë shoqëri tradicionale shumetnike, por akoma mbetet të shihet se si do të jetë përfundimi. Vetëm atëherë mund ti’ përgjigjemi pyetjes se a dështoi modeli perëndimor i të berit shtet dhe krijimit të identitetit shumë-nacional në Kosovë?

Megjithatë, realiteti kosovar ka ditë të jetë disi më i suksesshëm në krahasim me vendet e tjera aziatike, lindore ruse, dhe arabo-afrikane. Mbase këtu Bashkësia Ndërkombëtare pengoi ndërtimin e shtetit nacional të importuar nga Evropa Perëndimore, siç ishte praktikuar në shumë vendet islamike. Edhe partia në pushtet, përkundër se krijoi struktura dominonte nuk lejoi grusht-shtet ose shkatërrim të institucioneve brenda. Megjithatë, u ruajt nonsensi kapitalist në vija të përgjithshme, me ç’rast u dekompozua modeli i vjetër i zhvillimit ekonomik.

Procesi i privatizimit deri diku eci tutje, por pa kaluar hendekun më të madh, siç ishte Posta dhe telekomunikacioni, të cilat në masë të madhe i kundërshtoi Vetëvendosje e cila është defiluar si parti e spektrit të majtë me një orientim kah qendra, ngjashëm si Partia Social Demokrate në Gjermani.

Në këtë ruajtje të konformizmit partiak shtetëror luajti rol vendimtar edhe kultura e luftës dhe sakrificat e saja për liri, të solidarizuar nga masat e gjera popullore. Ndonëse bazamenti i shtetit nuk ishte as nacionalist e as fetar, por një shtet i ndarë nga feja, një shtet i së drejtës, një shtet i tregut të lirë, një shtet qytetar ku shumë etni kishin drejta të barabarta dhe ishin të destinuara, herët apo vonë, do të ndërtojnë një identitet multinacional të pasur me një kulturë politike dhe tolerancë politiko-fetare, edhe pse Kosova vetëm para një decenie sapo ishte çliruar nga statusi kolonial i Serbisë.

Kosovarët në një mënyrë u zhgënjyen duke menduar se mbarimi i luftës do t’i gjejë në një shtet nacional ku ata mund ta jetësonin idenë e kombit të bashkuar dhe ta gëzonin lulëzimin kombëtar. Tashti kjo nuk ndodhi, mirëpo sërish u dashtë solidariteti shoqëror i cili, si në gjitha rastet tjera, krijohet duke sajuar idhuj demagogjikë, duke riprodhuar armiqtë të jashtëm për ta ruajtur solidaritetin brenda.

Prandaj, nëse analizohet sipërfaqësisht, del në pah se i gjithë diskursi qeveritar ose partiak zyrtar del të jetë pikërisht i drejtuar kundër armiqve të jashtëm, pra kundër Serbisë e cila siç thuhet nuk dëshiron ta shoh Kosovën e përparuar etj. Gjithashtu solidariteti i brendshëm dhe, deri diku edhe dështimet e qeverisjes politike, i apostrofohen faktorit verior, serbëve lokalë e bandave kriminale.

Për dy shtetet, si Kosovën po ashtu Serbinë, dhe gjithë shtetet e rajonit, duhet të vlejë monedha e pajtimit dhe ribashkimit në BE, ashtu siç bënë dikur shtetet e Evropës Perëndimore pas luftës. Kosova ka edhe një sfidë më tepër për ta tejkaluar se sa Serbia e kjo është leva religjioze, e cila po të radikalizohet mund të shpërthej si në shtet arabe. Për këtë duhet të kihet parasysh dialogu i mirëfilltë, ndërsa nuk duhet tu lihet hapësirë elementëve radikal të përhapin ideologjinë e tyre të urrejtjes, siç bënë në të kaluarën.