LAJMI I FUNDIT:

Nënshkruhet kontrata për autostradën Morin-Merdar

Nënshkruhet kontrata për autostradën Morin-Merdar

Ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konzorciumit amerikano turk "Bechtel Enka", sot në orët e pasdites do të bëhet nënshkrimi i kontratës për projektin e autostradës Morin-Merdar.

Qeveria e Kosovës kishte bërë të ditur nga fundi i muajit të kaluar përfundimin e negociatave me kompaninë amerikano turke "Bechtel & Enka", për fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar.

Autostrada do të ndërtohet segment pas segmenti dhe do të fillojë të punohet në ndërtimin e segmentit të parë dhe të dytë, nga Vërmica deri në Qafë të Dulës, ka thënë Ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, më herët, duke shpjeguar detaje lidhur me marrëveshjen për fillimin e ndërtimit të autostradës Vërmicë Merdar.

Autostrada Vërmicë-Prishtinë-Merdar do të jetë autostradë hyrje dalje, në gjerësi prej 28 metrash, ku do të jenë dy shirita qarkullues me nga 3.75 metra, një shirit ndihmës emergjent 2.5 metra dhe brezi i gjelbër në mes me gjerësi 3 deri në 4 metra. Sipas parashikimeve, autostrada në segmentin e parë dhe të dytë mund të fillojë të ndërtohet më së largu deri në maj të këtij viti, mirëpo ende asgjë nuk është përfundimtare.