LAJMI I FUNDIT:

Nën presion të pagave

Nën presion të pagave

Pas aksionit të institucioneve kosovare për të kontrolluar më shumë dhe më rreptë aktivitetet biznesore, vlera e importeve në muajin janar është rritur për 23 milionë euro, ndërsa eksporti për 3 milionë. Këto rezultate vijnë për shkak të thirrjeve të Qeverisë për të siguruar paratë për rritjen e pagave.

Kontrollet dhe masat e rrepta të institucioneve kosovare që kanë marrë ndaj bizneseve dhe importit ilegal, ka ndikuar që importet ilegale të kenë rënie gjatë muajit janar në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Vlera e importeve është rritur për 23 milionë më shumë, përderisa edhe eksporti është shtuar për 3 milionë euro.

Krejt kjo në saje të thirrjes së Qeverisë për kontrollim më të madh të çdo biznesi në vend.

Drejtues të Doganës dhe ATK-së pranojnë se thirrjet e Qeverisë kanë ndikuar që të ketë më shumë efikasitet në punën e tyre. Rritja e importit, sipas doganierëve, ka ardhur edhe si nevojë e konsumit, por edhe si rezultat i shtimit të kontrolleve në kufij, që kjo ka ngushtuar rrugët për import në të zezën, raporton Express.


Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës, thotë se gjatë muajit janar ka pasur shtim të kontrolleve në kufij. Kjo sipas tij, ka sjellë zvogëlimin e importeve ilegale. “Nevoja e konsumit dhe aksionet më të shpeshta në terren të doganës kanë ndikuar që importet të rriten, duke zvogëluar mundësinë e hyrjes ilegal të tyre”, tha Stavileci.

Ndërmarrës vendorë thonë se aksionet e shpeshta të inspektorëve kanë ndikuar edhe në rënien e shitjes së tyre qysh në muajin e parë të këtij viti.

Ndërsa importi nga 94 milionë euro sa ishte në janarin e vitit të kaluar, tani është rreth 116 milionë euro. Sipas të dhënave nga ky institucion, thuhet se mineralet kanë rritur vlerën e eksportit gjatë muajit janar, pastaj prijnë kthimi dhe mbetjet ferrike, mbetjet dhe kthimet e bakrit, plumb i paqëndruar, si dhe mielli në një përqindje të vogël. Në importe prijnë vajrat e naftës dhe vajra të fituara prej mineraleve bituminoze, autovetura, shufra dhe shkopinj të tjerë prej gize, medikamentet, mishi, cigaret, buka, gruri, gazet dhe gazet e naftës.

Përveç Doganave edhe ATK-ja ka intensifikuar vizitat e saj nëpër bizneset vendore. Gjatë janarit, ATK-ja dhe Dogana e Kosovës buxhetit të shtetit i kanë sjellë të hyra dukshëm më shumë se para një vitit. Që të dyja, gjatë këtij muaji, kanë kontribuar me 79.6 milionë euro ose 63.2 për qind më shumë se një vit më parë. /Telegarfi/